Organi i akuzës ngre grup hetimor. Rama: Askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë
Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur grup hetimor që nga dita e djeshme, rreth ngjarjes më të fundit në fshatin Gërdec të Vorës. Në përbërje të grupit hetimor janë disa prokurorë, oficerë policie dhe ekspertë. Gjatë ditës së shtunë janë marrë disa deklarime të personave që kanë qenë pjesë e kësaj ngjarje dhe që janë ndodhur pranë saj, persona të cilët ishin në gjendje për të folur dhe mund të pyeteshin në spitale. Kryeprokurorja e Pergjithshme Ina Rama ka deklaruar së tashmë janë duke punuar për zbardhjen e ngjarjes së Gerdecit. Sipas saj, është e pamundur ndërhyrja e tanishme në vendin e ngjarjes pasi rrezikohen ende shpërthimet. Aktualisht kemi disa pista hetimi dhe ne kemi pyetur 30 persona që janë në dijeni per ngjarjen. Gjithashtu kryeprokurorja tha se janë pyetur edhe përfaqësues të ministrisë së Mbrojtjes dhe drejtues teknike të firmës që kryente çmontimet për këtë situatë. Janë duke u zbardhur të gjitha veprimet në lidhje me veprimet e lëndëve plasëse. Ina Rama tha se ka urdhëruar ngritjen e një grupi për verifikimin e ngjarjes. Me tej ajo ka theksuar se grupi hetimor ka kryer veprimet e para dhe ka qenë pjesë e shtabit të emergjencës. Është punuar edhe për identifikimin e kufomave nëpërmjet policisë gjyqësore. Janë duke u kryer punime për të zbardhur ngjarjen pasi është pista e zbatimit të rregullave për lëndët plasëse nga të gjitha subjektet që janë të përfshira në këtë proçes. Po hetohet nëse janë zbatuar rregullat në proçesin e çmontimit, nëse janë zbatuar kriteret e drejta, shpërdorimet e mundshme të detyrës apo konkurrencat e pandershme mund të jenë shkaqet e një qëllimi kriminal të krijuar apo diçkaje me dashje. Këto janë disa nga hipotezat e krijuara në kushte shumë të vështira pasi ne kemi shumë pak kohë në dispozicion dhe për më tepër në një terren të vështirë. I gjithë aktiviteti hetimor konsiston në zbardhjen e ngjarjes”, theksoi Rama. Ajo vuri në dukje se, ajo që dua t’ju them është se organi i akuzës me mundësinë që ka po mundohet të zbardhë këtë ngjarje në mënyrë që përgjegjësit të vihen para ligjit. “Nëse faktet do të rezultojnë se përgjegjësi për këtë ngjarje kanë edhe zyrtarët e lartë atëherë ata nuk do të mbesin jashtë kësaj përgjegjësie ligjore. Megjithatë dua të theksoj se kemi vetëm 24 ore hetimi dhe nxjerrja e një përfundimi do të ishte shumë e nxituar. Grupi hetimor po lidhet me prokurorinë e Tiranës dhe çdo gjë që disponon edhe prokuroria e Durrësit për këtë ngjarje do ti kalojnë prokurorisë së Tiranës”, deklaroi kryeprokurorja, Ina Rama. Gjithashtu ajo shprehu se “nuk dua të gjykoj zgjidhjen e këtij proçesi dhe nuk mund të bëjmë paralelizma”. “Ne kemi administruar një pjesë të dokumentacionit, dhe do të shihen me përpikmëri të gjitha proçedurat që duhej të ndiqeshin sipas ligjeve. Me aq sa unë kam informacion nuk ka rezultuar që aty të ketë patur fëmijë pasi është marre në pyetje administratori i firmës shqiptare z. Delijorgji”, përfundoi kryeprokuroria Ina Rama. Ndërkaq, të dhënat e para janë mbledhur nga dëshmitarët e gjendur në spitalet e Tiranës dhe Durrësit. Eshtë mbledhur një pjesë e dokumentacionit dhe pritet që të merren të tjera të dhëna që janë me interes për hetimin e kësaj cështje. Ajo që pritet është që grupi i ekspertëve t’i afrohet vend ngjarjes, pasi deri ditën e djeshme ka qene e veshtire depertimi apo dhe shkuarja në vend ngjarje. Pritet që dita e sotme të jetë më aktive për të mbledhur më shume detaje rreth ngjarjes. Në keto kushte janë duke u ndërmarrë veprime për të hetuar cdo pikë të mundshme që i sherben hetimit të ngjarjes. Grupi hetimor drejtohet nga Prokurori i Tiranës Genti Xholi dhe zëvendësi i tij, bashkë me prokurorinë e Tiranës është duke punuar edhe Prokuroria e Durrësit. Mbledhjen e të gjitha veprimeve atje është duke e kryer Prokurori i Durrësit Arjan Ndoi. Cdo veprim po kryhet në bashkëpunim me policinë e shtetit.