Para derbit vjen përcaktimi i Dostit: Elbasani është më lart se Shkumbini
Së pari ne jemi skuadër e pathyeshme në fushën tonë, edhe sepse kemi një tifozeri të zjarrtë, e cila, ashtu sikurse ne, beson në ngjitjen e skuadrës në nivelet e larta të futbollit shqiptar. Së dyti, kemi lojtar cilësor e profesionist. Në këto kushte, të shtunën në fushë do të ketë vetëm një skuadër, ekipi verdheblu…
Ndihmëstrajneri i Elbasanit, ish një nga portierët më me përvojë të skuadrës verdheblu në vite, Muharrem Dosti ka dhënë dhe përcaktimin e tij për Gazeta e Sportit në prag të derbit të prefekturës me Shkumbinin. Sipas numrit dy të bankinës verdheblu, elbasanasit i kanë kushtuar më tepër vëmendje këtij takimi, që në fakt është më i fortë se sa ai me Luftëtarin një javë më parë.
Them kështu shpjegon Dosti – pasi në radhë të parë do të luajmë përballë një skuadre që vjen nga Kategoria Superiore e në radhë të dytë peqinaset janë rivalët tanë kryesor për tu ngjitur një kategori më lart. Kam besim të madh të lojtarët tanë, që të shtunën do të tregojnë cilësitë e tyre më të mira, aq më tepër që tashmë dihet se ne kemi një skuadër me shumë element profesionist, me futbollistë që kanë luajtur në skuadra të mira në futbollin shqiptar ku dhe kanë marrë trofe. Grupi është i plotë, ku përjashtim bën vetëm mesfushori Isaji, që është ndëshkuar me karton të kuq në Gjirokastër, kurse të tjerët janë të gjithë të gatshëm për ta përballuar me sukses këtë derb të prefekturës me Shkumbinin, atje ku do të kërkojmë ta nxjerrim me sukses.
Për mua Elbasani është më lart se Shkumbini dhe kjo dihet tashmë, pasi ne jemi jo vetëm një ekip me tradita në futbollin shqiptar, por dhe një klub që vetëm prodhojmë talente, të cilat kanë furnizuar dhe skuadra. Disa prej tyre ne i kemi në skuadër dhe do ti aktivizojmë të shtunën në derbin me peqinasit. Në fushën tonë jemi të pathyeshëm, të paktën deri përpara kësaj ndeshjeje, sepse kemi dhe mbështetjen e madhe të tifozëve tanë të mrekullueshëm, të cilët i pëshëndes dhe i ftoj që të vijnë të ndjekin Elbasanin, i cili po kërkon të ngjitet në majat e futbollit shqiptar atje ku në fakt ka dhe vendin.
Fitorja në derbin me peqinasit nuk diskutohet, kështu që i gjithë Elbasani është i angazhuar maksimalisht për ta nxjerrë me sukses sfidën me peqinasit. Ditën e shtunë do të ketë vetëm një skuadër në fushë e ajo do të jetë Elbasani, ka përfunduar numri dy i pankinës së Elbasanit, Muharrem Dosti. Sa për stërvitjen, dje ajo ka vijuar normalisht te elbasanasit, ndërsa Filja është angazhuar më tepër në përgatitjen tekniko-taktike të skuadrës, si dhe disa gjuajtje drejt portës në pozicione të ndryshme të fushës. Ka praktikuar dhe disa aksione sulmuese që nisnin që nga mesfusha.
