Belle Air bllokon kombëtaren shqiptare në Islandë
Sikur të mos mjaftonte dushi i ftohtë i marrë në dy transfertat e radhës në Slloveni dhe Islandë, vuajtjet dhe makthi për skuadrën përfaqësuese shqiptare nuk kanë fund. Delegacioni kuqezi në të cilin gjendeshin edhe drejtuesit e federatës shqiptare të futbollit, skuadra me stafin teknik por dhe gazetarët e shumtë që kanë shoqëruar ekipin, është bllokuar për disa orë në aeroportin e Rejkjavikut. Arsyeja është sepse kompania Belle Air e cila pati marrë përsipër transportin e kuqezinjve në këto dy ndeshje duke vendosur në dispozicion një çarter, nuk ka paguar detyrimin financiar për korridorin ajror të cilin duhet të përdorë. Skuadra dhe delegacioni kuqezi duhet të ishin nisur nga Islanda në orën 11 të paradites, por aeroporti i Rejkjavikut ka qenë i populluar për më shumë se 5 orë nga kuqezinjtë të cilët prisnin momentin për tu rikthyer drejt Tiranës. Kjo ngjarje e përsëritur është një tjetër humbje për kombëtaren shqiptare, madje më e rëndë se dy disfatat e fundit të mara së bashku, pasi prish imazhin e mirë të cilin kuqezinjtë tanë kishin ndërtuar këtë edicion në fushën e lojës