Parabolat e shpresës dhe zhgënjimit
Hyrje/Kanë kaluar 10 vite nga botimi i kësaj eseje shumë interesante dhe ajo mbetet përsëri shumë aktuale për vendet e ish-lindjes komuniste. Mbas 10 vitesh ose siç mund të quhet 10-vjeçari i dytë i tranzicionit, kemi një situatë tjetër në këto vende në të gjitha planet. Në planin gjeopolitik, kemi Kosovën shtet të pavarur në Ballkanin Jug-perëndimor, një situatë krize ekonomike e cila nuk është rajonale, por ajo ka marrë përmasat globale, një Shqipëri të anëtarësuar në NATO dhe pothuajse kandidate për në BE me stabilitet, dhe një Poloni e cila ka krijuar një stabilitet ekonomik, pavarësisht krizës ekonomike botërore e europiane. Bullgaria “dëgjohet” pak. Në Ukrainë ka probleme me “demokracinë” dhe zgjedhjet e lira!? Gjermania është shumë e interesuar për zhvillimet ekonomike në Ukrainë dhe Rusi. Rusia po bën “progres” ekonomik në kuadrin e një krize globale ekonomike. Serbia ka dëshirë t’i bashkohet kontinentit të vjetër, por nuk e “lejon” mafia rajonale, por edhe historia. SHBA mbështesin Atifete Jahjagën, këtë “Grua të hekurt” në politikë. Nocioni “Shqipëri e madhe” po kthehet në një term dhe zhvillim normal politik. Ka ndryshuar paradigma politike botërore! Megjithatë konstatimet e Martin Krygier, profesor i ligjit në Universitetin e Uellsit Jugor, në Australi, janë përsëri aktuale, por në një situatë tjetër politike dhe ekonomike. Krygier me shumë inteligjencë bën analizën e 10 viteve të para të tranzicionit në ish-Lindje, me zhgënjimet dhe ëndrrat që kishin njerëzit në këto vende, të cilat ishin si rezultat i mungesës së eksperiencës dhe komunikimit dhe parashikimeve shpesh të pa baza për zhvillimin e tyre!
Qamil Gjyrezi
“Në korrik 2001, u mbajt në Krakov (Poloni), Kongresi Botëror i Institutit Ndërkombëtar të Sociologjisë. Tema e kongresit ishte: “Struktura e moralit e shoqërisë bashkëkohore”- Në seancën plenare u mbajt tema: “Europa Lindore pas komunizmit: “Premtimet dhe zhgënjimet”: Më poshtë janë përshtypjet e mija për këtë seancë, përpunuar në disa fragmente të vogla.
Krygier M.
I ftuar kohët e fundit, të marr pjesë në seancën plenare të këtij kongresi, pyesja veten se ç‘farë mund të ishte e përshtatshme t’u ofroja pjesëmarrësve të kësaj seance. Duke patur parasysh që ky kongres, do të merrej me trajtimin e problemeve morale, si dhe vendndodhjen e tij, në Krakov, qendër religjioze e Polonisë, frymëzimin e kërkova tek Bibla. Ajo ç‘farë vijon më poshtë, janë 10 Parabolat. Mund të jenë më shumë ose më pak, dhe kërkush nuk kujtohet sa parabola janë në Bibël. Deri në momentin që lexova tri, më dukej e papërshtatshme të ndalesha tek e nënta ose të vazhdoja tek e njëmbëdhjeta. Në fund të fundit, dhjeta ka rezonancë Biblike si dhe treshi.
Parabolat e mia merren me shpresat më shumë se premtimet, pasi kujtimet e 1989 i përkasin më shumë të shkuarës se sa të tashmes. Neve mund të harrojmë nervozitetin (dhe pesimizmin e përhapur) të vitit 1989, gjithashtu me lehtësi, secili mendonte se e ardhmja do të ishte e bukur dhe e lehtë. Nuk është pikërisht ky fenomen që më ka ngelur në mend, pasi shpresat akoma ishin të mëdha. Është e natyrshme që zhgënjimi të merret si një reagim i natyrshëm dhe direkt, në marrëdhënie me këto zhvillime “jo dinjitoze” dhe pastaj të vazhdohet të kërkohet se ç‘farë ishin këto zhvillime që çuan në zhgënjim? Sigurisht në rajon ka patur ngjarje, veçanërisht në pjesën jugore dhe lindore që zhgënjyen gjithësecilin pavarësisht shpresave të tyre. Megjithatë unë jam i intriguar nga një përfundim tjetër; më vetë shpresat. Disa zhgënjime, rrjedhin në formë të pashmangshme, prej natyrës së shpresave fillestare. Disa shpresa janë qenësisht të parealizueshme dhe parabola ime e parë ka të bëjë me to. Megjithatë ka lloje të tjera shpresash që pjellin zhgënjime kur ato realizohen, dhe pjesa tjetër e diskutimit tim do t’iu referohet shpresave të këtij lloji. Kjo nuk është e gjithë historia dhe në disa vende të ish-lindjes, është vetëm një pjesë e vogël e saj. Por duke theksuar këtë aspekt, unë nuk kam ndërmend të zvogëloj ose thjeshtësoj problemet më të thella të cilat janë shumë, e që pikërisht, pikëllojnë çdo njeri që duhet t’i durojë ato. E megjithatë meqë kujtimet nuk rrojnë gjatë, ndoshta ja vlen të rikujtosh, që jo gjithçka që neve na zhgënjen, rrjedh prej asaj e cila çuditërisht na ka prurë deri në atë pikë. Diçka vjen prej se ç‘farë neve vetë i sjellim asaj.
Domethënia e shpresave, zhgënjimndjellëse, ndryshon, siç ndryshon, gama e amplitudës së ndryshimeve të eksperiencës post-komuniste. Unë e njoh Poloninë më mirë, dhe mendoj se atje, karakteri i shpresave fillestare, luan një rol të rëndësishëm, në zhgënjimet në vazhdim, një pjesë e të cilave vërehet shpesh. Gjithashtu, në disa vende të tjera, këto zhgënjime, nuk janë, pa rëndësi. Zakonisht parabolat janë emërtuar: parabolat e Samaritanit të mirë ose parabola e djalit plangprishës dhe rikujtohen shpesh në këto emërtime, kur njerëzit i kanë harruar. Duke i qëndruar besnik traditës, unë do të emërtoj çdo parabël dhe pastaj do ta shpjegoj atë.
1. Ëndrrat utopike - Adam Miçnik (ish- desident polak) shquante dy lloje ish –desidentësh: Ata të cilët e urrenin komunizmin sepse nuk u pëlqente diktatura dhe pala te cila e urrente atë sepse nuk ia dolën të pranoheshin se ato ishin më të mëdhenj se Homeri. Disa prej ish-disidentëve, si vetë Miçnik, janë të kënaqur me postkomunizmin sepse ato janë të lirë. Më të rinjtë në përgjithësi nuk janë të kënaqur, pasi ato akoma janë të klasifikuar pas Homerit. Në shumë sfera të jetës postkomuniste mund të gjinden paralele të këtij lloji frustrimi. Disa shpresonin se posa komunizmi të shembej, progresi i tyre ose rritja e vendit të tyre do të ishte i pandalshme. Zhgënjimet u shfaqën në raport të drejtë me shfaqjen e ambicjeve, si nata pas ditës. Një koncept i tillë ka të ngjarë që pikërisht kështu të jetë predikuar. Nëse nuk realizohen shpresat e zjarrta, ata janë të mjaftueshme të çojnë në zhgënjime dhe nëse shpresat janë “grandiose” zhgënjimet jo vetëm që do të jenë të pashmangshme por të stërmëdha. Ç’do përpjekje për të plotësuar shpresa të tilla është lidhur me zhgënjimin.
2 Çështja Irlandeze - Më 1066 dhe “All that” (e gjithë ajo, Magna Karta), kjo hyrje e mrekullueshme e të gjithë Historisë Angleze prej fillimit të tij si “një komb superior”) gjer tek fundi i tij, Fukujama (kur Amerika u bë “tërësisht komb superior dhe historia u kthye tek germa a”), tregohej se kryeministri britanik i shekullit të 19 të Gladstone, “kaloi” vitet e rënies së tij”, duke u përpjekur t’i jepte një përgjigje çështjes irlandeze. Fatkeqësisht kur ai arriti të kuptonte çështjen, irlandezët në formë sekrete e ndryshonin atë. Gjithashtu, çështjet në këtë rajon, kanë ndryshuar herë pas here. Në vitet e para pas shembjes së komunizmit pati shumë gjëra të reja- mbarimi i despotizmit komunist, zgjedhjet e para të lira, politikanë që u votuan jashtë zyrave e pastaj të lënë pas dore;-vendime gjykate të cilat u ndoqën bindshëm nga ato që ishin në fuqi – u konsideruan si arritje të shquara në vendet ku ngjanë. Siç ishin ato në të vërtetë. Por shënjestrat u vendosën lart. Çështje të ndryshme janë shtruar, dhe shumë njerëz nuk do të jenë të kënaqur, gjersa ato të marrin përgjigje të kënaqshme. Kur ato do të marrin një përgjigje; pra kur çështjet do të zgjidhen, ato do të kërkojnë për çështje të tjera
3. Mençuria e Çu-En-Lait - Ata të cilët imagjinonin se pas shembjes së komunizmit, do të ishte lehtë dhe shpejt të ndërtohej demokracia, sundimi i ligjit, prosperiteti dhe barazia – të gjitha në çast përnjëherë – ishin dënuar të zhgënjeheshin. 12 vjet janë një kohë e shkurtër për zhvillimin e institucioneve dhe ç‘do rregulli shoqëror pavarësisht se ato u shemben shumë shpejt. Kujto përgjigjen e Çu-En-Lait, kur e pyetën që të jepte vlerësimin për rezultatet e Revolucionit Francez; “Është shumë shpejt të flasësh.”
4. Pyetje budallaqe, përgjigje budallaqe - Shumë iniciativa post-komuniste janë me të drejtë të lidhura me zhgënjimin, jo vetëm se ato dështuan, që të kënaqin premtimet e çuditshme, dredharake ose të papjekura. Për disa përgjigjet (të mira ose të këqija, s’ka rëndësi me të vërtetë) janë destinuar të frustrojnë, meqë ato i përgjigjen pyetjeve të këqija, ose pyetjeve të bëra keq. Në këtë pikë, nuk është problemi se premtimet janë të parealizueshme ose ato ndryshojnë. Për më tepër që t’i realizosh ato - megjithatë me sukses- është shpesh diçka e gabuar që përpiqe për të bërë. Ky problem do të ngjasë, kur pyetja është qesharake në princip, ose, si një përkthim i varfër i një pyetje delikate, ajo bëhet qesharake në kontekst. Pyetje të caktuara të këtij lloji të dytë, kanë qenë të zakonshme, prej misionarëve ligjorë nga metropolet e “besueshme” dhe konvertimet e tyre egoiste. Një pyetje delikate, por e vështirë, e cila bëhet shpesh është: Çfarë mund të bëhet përreth asaj që funksionon keq këtu (ish- lindje)? Kjo është përkthyer shpesh, veçanërisht, prej misionarëve perëndimorë dhe këshilltarëve në rajon, si: Çfarë funksionon mirë në shtëpi, ose në vendet “normale”, ose në perëndim? Kur pyetja e parë bëhet (si) e dyta pa u menduar mirë, ose në të vërtetë kur i përgjigjet, pa gjetur në fillim përgjigjet për pyetjet e rëndësishme, përreth kushteve dhe mundësive të transplantimit institucional, përreth se ç‘farë ka humbur gjatë rrugës dhe ç‘farë është e pëlqyeshme të arrihet; -përreth se si mund të përshtatemi me institucionet lokale, premtimet, interesat shoqërore, historinë- të tilla pyetje do të çojnë shpesh në përgjigje që duken budallaqe, dhe ashtu mund të jenë. Por e vërteta e thellë është që ç‘do përgjigje do të jetë budallaqe, sado e zgjuar që të jetë, përderisa ajo të jetë një përgjigje e një pyetje budallaqe. P.sh, ky lloj zhgënjimi do të ndjekë shumë imitime vendase të acquis communautaire.
5. Kruarja 7 vjeçare - Disa njerëz marrin tamam ç‘farë ato dëshirojnë kur ato martohen, por pas pak kohësh ato zbulojnë atë që nuk i kënaq ato. Fenomeni është i njohur në anglisht, si kruarja 7 vjeçare. Në mënyrë të ngjashme, disa shpresa kanë shkaktuar zhgënjim në rajon, megjithëse ato ishin plotësisht të realizueshme. Komunizmi u shemb, pasoi liria e fjalës, kapitalet qarkulluan (në disa vende), radhët u zhdukën, varietete të ndryshme vërshuan nëpër sirtare dyqanesh. Por akoma ato (njerëzit) janë të zhgënjyer. p.sh. Ju mund të gjeni një zhgënjim të tillë në aforizmin si: “Neve dëshironim drejtësi, por gjetëm sundimin e ligjit”, ose “ Neve kërkuam shoqëri civile, por gjetëm NGO të, (m.gj.se sundimi i ligjit dhe NGO të dikur dukeshin si një gur i çmuar, i paprekshëm i perëndimit të ashtuquajtur normal, në shumë vende të lindjes jo normale). Njerëz të cilët duhej ti jepnin ryshfet shitëses për të marrë letër higjienike, ose çantat plastike në duar, i kishin si komoditet i çmuar, ose ju duhej të rraseshin nëpër radha, ku i dihet se për ç‘farë, tashti janë të pakënaqur prej impersonalizimit djerrë, dhe shpeshtësisë së vizitave të tyre në supermarkete.
6. Konkursi i aries - Ka një histori për një konkurs të këngëtarëve lirikë, në të cilin iu dha çmimi i konkursit kandidatit të dytë, sapo i pari mbaroi interpretimin e tij. Anëtarët e jurisë paragjykuan se cilido që vinte pas kandidatit të parë nuk mund të ishte më i keq. Njerëzit menduan shpesh në këtë mënyrë për komunizmin. Kështu që ishte e zakonshme (dhe e drejtë) t’i atribuosh shumë nga problemet më të këqija të komunizmit, shtetit të tij monopolist. Shumë nxorën nga kjo diagnozë e saktë recetën, që fuqia e shtetit duhej të dobësohej në formë drastike. Sa më shumë aq më mirë. Fatkeqësisht ky fenomen ngjau ekzaktësisht në disa prej shoqërive më mizerie post-komuniste. Shumë shpejt, frika prej shtetit u zëvendësua nga frika prej kriminalitetit real ose të imagjinuar. Njerëz me rroga fikse ose subvencione dhe rroga shteti, duhej të përballonin rënien, ndonjëherë kolapsin e buxhetit të shtetit. Atëherë, kishte një çmim për secilin që i përkiste shtetit, që nuk mund të paguante zyrtarët e tij, detyronte gjykatësit e tij, të mblidhnin taksat e kështu me rradhë. Për të mos përmendur përpirjen e aseteve shtetërore, sa më lirë, nga oligarkët dhe biznesmenët. Kështu që, dështimi i teorisë politike sociale, ishte shembull i mirë për të realizuar idenë se e kundërta e së keqes nuk ishte domosdoshmërisht e mira. Dikush mund të shpresojë, për një diçka krejtësisht të ndryshme, e tillë si një shtet që është i fortë në një mënyrë ndryshe prej atij i cili është familjar - p.sh. jo despotik, por infrastrukturorë. Përsëri, një shembull veçanërisht evident në Poloni, është reagimi për shpresat tani e përmbushura; që politikanët ose grupet që ato i përkasin ose “klasa politike” siç quhet atje, do të jetë ndryshe nga ajo që ka qenë përpara. Ish- tipi ideal ishte një parti e vetme e disiplinuar, përkushtuar ideologjisë marksiste dhe arritjes së komunizmit, ose, e përkushtuar në formë prozaike nga fundi për ruajtjen e kontrollit pervers partiak. Qeveria në fuqi, kur iu bënë së pari këto vërejtje (korrik 2001) me devotshmëri realizoi ëndrrën e ndryshimit, e gjithë kjo, duke qenë kaotike, e padisiplinuar, publikisht e përkushtuar shumë ideologjive ose asnjë ideologjie, dhe e përkushtuar kapitalizmit, në të vërtetë, shumë e dhënë ta përkrahi atë me shembullin personal, të tilla si, hapësirat e korruptuara për rryshfete e lobe, sa që ishte e vështirë të gjeje fjalë, për ndonjë gjë tjetër në gazetat polake, përveç reklamave.
Dhe akoma disa “mosmirënjohës” ishin të pakënaqur, aq të pakënaqur në fakt, sa që ato kohët e fundit dhe jo përherë të parë, votuan për partinë paraardhëse, për atë të ish-komunistëve, e mbushur m.gj.atë me fytyra të njohura për secilin me memorie të gjatë. Një ëndërr kontrastuese e realizuar në Poloni dhe në disa vende të tjera, ishte për një “sundim të revolucionit me ligj” që shmangte brutalitetin e revolucioneve të tipeve të tjerë. Një prej simboleve të kësaj alternative të re ishte mungesa e hakmarrjes kundër ish-agjentëve të shtetit komunist. “Ky simbol” u realizua shumë mirë se zhgënjimi i madh, shprehur publikisht, vjen sot si rezultat i pasurimit të suksesshëm të ish-aparatçikëve, menaxherëve, policisë sekrete, dhe nomenklaturës në përgjithësi, e cila tregton rrjetë të çrregullta lidhjeje, informacion, si përfundim fuqi. Shembujt më tragjikë të çmimeve të dhëna gjithashtu shpejt janë të lidhura me një nga shpresat e mëdha dhe të realizueshme të komunizmit të vonë; pavarësinë kombëtare. Në Poloni, Hungari, dhe vende të tjera me pak minoritete ose me minoritete të vogla, ishte shpresë kryesisht jo e realizuar, por gjerësisht e përshëndetur në konsekuencat e saj. Në disa vende të tjera, ishte burim i fatkeqësive të panumërta. Në Jugosllavi p.sh., ishte një fatkeqësi e tillë, që u shfaq në disa rrethana që kandidati i dytë (ose sistemi social trashëgues) mund të ishte më i keq se i pari, me të cilin ai nuk ishte i palidhur.
7. Nuk është drekë pa pagesë - Disa njerëz besonin se ç‘do gjë që ato shpresuan, mund të ishte pa pagesë. M.gj.atë shumë kosto të transformimit ishin të pashmangshme. Dhe me të vërtetë shumë kosto u paguan, të cilat çuditën çdo njerin, dhe disa prej tyre ishin shumë të dhimbshme. Pjesërisht, kjo ishte një humbje e teorisë sociale, për shpresat fillestare, kështu që çmimi që do të paguhej, ishte më i dhimbshëm seç pritej. Disa prej këtyre kostove ishin aspekte shoqëruese të transformimit, të tilla si pabarazitë që shoqërojnë për në kapitalizëm, çrregullimet shoqërore ekonomike dhe psikike, mungesa e përvojës politike, ligjore dhe shumë fenomene të tjera, që e bëjnë jetën të vështirë në botën post-komuniste. Disa prej kostove më të larta, si lulëzimi i nacionalizmit plaçkitës, në disa pjesë të rajonit, ishin të paparashikueshme. Shumë nga këto kosto, ishte shumë e vështirë t’i durosh.
8. Dërgoje faturën tek i zoti - Shumë njerëz shpresuan se kur u shemb komunizmi, do të rindërtohej brenda 24 orësh. Përkundrazi, shumë fenomene të komunizmit janë të pranishëm, duke përfshirë shumë struktura, dhe procese që po e përdhosin atmosferën politike e shoqërore, literalisht dhe metaforikisht, me shumë kosto të cilat duhet të paguhen akoma. Këto fenomene duhet t’i atribuohen më shumë të shkuarës se të tashmes, por nuk po ngjet kështu.
9. Estetika e shpresës, ose problemi i McDonald-it - Isaiah Berlin (filozof hebre) preferonte t’i referohej një aforizmi, të një filozofi amerikan se: “Neve nuk kemi arsye të supozojmë se e vërteta, kur zbulohet, do të provojë domosdoshmërisht interes”. Në mënyrë analoge, neve nuk kemi arsye të supozojmë se demokracia post-komuniste, sundimi i ligjit, ekonomia e tregut, nëse arrihet, do të rezultojë magjepsje. Por shumë njerëz, imagjinonin, diçka ndryshe dhe për këtë arsye janë të pikëlluar kur zbuluan se madje edhe rendet më të suksesshëm post-komuniste janë me zikzake. Ato vajtojnë “bumin e Mc. Donaltëve dhe të supermarketeve”, nganjëherë duke kujtuar në formë nostalgjike, nganjëherë duke harruar me mendjelehtësi, se komunizmi nuk ka qenë kurrë i pasur.
10. Monizmi i shpresës, pluraliteti i zhgënjimeve - Një tjetër pikëpamje e Isaiah Berlin, në të cilën ai insistonte me një frekuencë të madhe, pastaj ai i referohej aforizmit të mësipërm, është që jo çdo gjë që neve dëshirojmë, do të jetë e pajtueshme, me çdo gjë tjetër, që neve dëshirojmë. Këtë e konfirmon qartë eksperienca post-komuniste, madje në versionin e saj më të suksesshëm. Shumë shpresa fillestare ishin moniste, në logjikën e Isaiah Berlinit: fundi i komunizmit do të përhapte çfarë neve dëshironim, dhe jo ç’farë neve nuk dëshironim. Ndërkohë, në disa raste i ka përhapur të dyja. Ndoshta, është një fatkeqësi, por nëse Berlin ka të drejtë nuk mund të shmanget. Por me që është një e vërtetë, jo vetëm e post-komunizmit, por e kushtit njerëzor, dhe Bibla na e thotë neve atë, është e vështirë ta shmangësh, në këtë jetë.
Punoi dhe përktheu Qamil Gjyrezi