E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, konsensus për reformën zgjedhore

12-07-2012 / Gazeta 55

Palët kanë gjetur kompromisin e kërkuar, për riformatimin e KQZ-së, procesin e ankimimit si dhe përdorimin e teknologjisë në zgjedhje. Një ditë para skadimit të afatit të komisionit të posaçëm parlamentar, ndërkohë që në Bruksel zhvillohej takimi i 5-të i Komitetit të Stabilizim-Asociimit, ekspertët e PD-së dhe PS-së shprehën dakordësi për mbylljen e 3 çështjeve të mbetura. Ndryshimet e kryera mbi ligjin zgjedhor do të paraqiten në seancën plenare të ditës së sotme, për t’iu nënshtruar procedurës së diskutimit dhe votimit

Reforma zgjedhore ka përfunduar në tërësinë e saj me arritjen e marrëveshjes mazhorancë-opozitës, për tre pikat e mbetura. Një ditë para përfundimit të mandatit të komisionit të reformës zgjedhore (sot, 12 korrik), ekspertët e PD-së dhe PS-së kanë arritur ti zgjidhin këto çështje, duke shprehur dakordësi për sa i përket riformatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili do të ndodhë në fund të mandatit ligjor, sikurse kryetari i KQZ-së do të ketë një mandat 4-vjeçar, ndërkohë që anëtarët e tjerë do të kenë një mandat 6-vjeçar. Në bazë të draftit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të riformatohet dhe kryetari i institucionit më të lartë të administrimit të zgjedhjeve do të zgjidhet me konkurs dhe do të votohet më pas në parlament në seancë plenare. Ndërsa 6 anëtarët e tjerë do të jenë propozime politike, 3 nga mazhoranca dhe tre nga opozita.
Sipas Kodit të ri Zgjedhor, kryetari i KQZ-së zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar procedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së. Ndërkaq lista e kandidatëve për postin e kreut të KQZ-së i kalon komisionit të çështjeve ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve.
Komisioni i shqyrton kandidaturat në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Në këto kushte pas verifikimit të kritereve komisioni përzgjedh për t’iu paraqitur për votim Kuvendit dy kandidatët që gëzojnë mbështetjen më të madhe të anëtarëve të komisionit, por jo më pak se 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Kur shumicën e cilësuar e gëzojnë më shumë se dy kandidatë, në votim paraqiten dy kandidatet që gëzojnë mbështetjen më të madhe. Çdo anëtar i komisionit mund të mbështesë deri në katër kandidatë; ndërkaq nëse shumicën e cilësuar nuk e gëzojnë së paku dy kandidatë, komisioni identifikon katër kandidatët që kanë marrë mbështetjen më të madhe midis anëtarëve të komisionit. Në këto kushte kandidatët e mbetur i kalojnë Kuvendit për votim.
Kryetar i KQZ-së zgjidhet kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave të deputetëve të Kuvendit.
Po ashtu është rënë dakord që mandati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të përfundojë në muajin shtator, pak muaj përpara afatit që ishte përcaktuar më parë deri në shkurtin e vitit të ardhshëm.
Palët politike në komisionin e reformës zgjedhore kanë rënë dakord dhe për procesin e ankimimit. Drafti i dakordësuar me unanimitet parashikon që kërkesa për marrjen e provave kur mbështetet nga dy anëtarë të KQZ-së dhe kur këto prova administrohen vetëm nga KQZ, pranohet menjëherë pa ju nënshtruar debatit apo votimit në KQZ.
Sipas dokumentit të miratuar dje, KQZ është e detyruar të procedojë menjëherë me marrjen dhe shqyrtimin e provave të kërkuara.
Pika e tretë e debatuar prej disa muajsh ishte përdorimi i teknologjisë në zgjedhje.
Edhe në këtë pikë palët kanë gjetur kompromisin e kërkuar, pasi janë përcaktuar zonat ku do të përdoret numërimi elektronik i votave, ku është rënë dakord që përdorimi i teknologjisë për identifikimin e kartave të identitetit do të përdoret në qarkun e Tiranës, ndërsa numërimi elektronik do të realizohet në qarkun e Fierit. Kur përdoret sistemi elektronik i numërimit të votave procedurat, afatet, veprimet përpara dhe pas mbylljes së votimit me pajisjen, të personelit përgjegjës për përdorimin e pajisjeve elektronike në QV, përcaktohen në aktin normativ të KQZ-së.
Me zgjidhjen e këtyre tre çështjeve, puna e komisionit të reformës zgjedhore përmbyllet me mbledhjen e djeshme, ndërsa votimi përfundimtar do jetë sot në seancë plenare. Data 12 korrik ishte dita e fundit e mandatit të komisionit të posaçëm parlamentar, i cili kishte për qëllim rishikimin e ligjit zgjedhor, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe atyre lokale të një viti më parë.
L. Quku

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›