“Të sigurt për fitoren në zgjedhjet e vitit 2013”
Përurohet Terminali modern për pasagjerët në Portin e Durrësit. Berisha: “Shqipëria sfidon krizën me investime”
U inaugurua dje terminali i ri i pasagjerëve në Portin e Durrësit. Ky terminal do të jetë tashmë porta e re e gjithë rajonit drejt Evropës. Terminali përfaqëson një investim me vlerë rreth 21.9 milion euro dhe i bashkëngjitet investimeve të shumta të realizuara në Portin e Durrësit, që prej vitit 2006.
I pranishëm në ceremoninë e përurimit, Kryeministri Sali Berisha e cilësoi një portë hyrëse të rëndësishme e moderne të mbarë rajonit tonë drejt perëndimit, i cili do të kursejë dhe kohën në kapjen me të shpejtë të destinacioneve.
Duke u shprehur i sigurt për marrjen e një mandati tjetër qeverisës në zgjedhjet e 2013, Kryeministri Berisha ka garantuar qytetarët e Durrësit dhe mbarë vendit se investimet do të vazhdojnë dhe se në memorien e qytetarëve do të harrohen këto vepra madhore, me ato që do të pasojnë pas 2013.
“Ne bëjmë gjithçka që çdo pasuri të vendit ta shndërrojmë në vlera për ju, koha tu jepet ju, tu ofrohet në maksimumin e mundshëm. Shqipëria nuk e ka bulevard rrugën e saj. Kemi besim të madh që reformat që po ndërmarrim do ta mbrojnë edhe më tej Shqipërinë nga kriza. Ne kemi rritur çdo vit rrogat dhe pensionet, ndërsa kemi mbajtur borxhin nën kontroll duke mos shënuar asnjë rritje në këto vite. Kriza sigurisht ka ndikimin e saj, por duhet të ndihemi të sigurt se vetëm disa ditë më parë Komisioni Evropian vlerësoi se Shqipëria ka pasur rritje ekonomike 4 herë më të lartë sesa vendet e tjera të Rajonit Juglindor. Ne do të zhvillojmë infrastrukturën në çdo cep të vendit. Anembanë vendit janë në ndërtim me km rrugë. Mandatin tjetër shqiptarët do harrojnë ç’kemi bërë, me ato që do të bëjmë”, deklaroi Kryeministri.
Kreu i qeverisë nuk ka lënë pa shigjetuar edhe kreun e opozitës, ku tha se, “një kundërshtar yni do të thoshte se udhëtova dhe s’gjeta rrugë të asfaltuara, sigurisht ka të tilla, por çdo ditë e më tepër po shkojnë në minimizimin e tyre. Kjo nuk është alternativa e fjalëve, por e zhvillimit, terminaleve, dixhitalizimit”, tha ai.
Terminali përfaqëson një investim me vlerë rreth 21.9 milion euro. Investimi do të përmbushë nevojat në rritje të trafikut, të tregtisë, të ekonomisë shqiptare në zhvillim si dhe të qarkullimit të lirë të njerëzve. Ky terminal i ndërtuar sipas standardeve më të larta evropiane, do të mundësojë një shërbim modern, të shpejtë dhe cilësor për miliona qytetarë, që kalojnë nga ky port çdo vit. Terminali i ri përbëhet nga një sipërfaqe sheshesh prej 65 mijë m2 , nga ndërtime me sipërfaqe 25 mijë m2 dhe nga 4500 m2 godina të pasagjerëve. Po ashtu terminali i ri ka 10 poste të kontrollit të njëkohshëm për pasagjerët këmbësorë, 36 poste për kontroll të njëhershëm për pasagjerët me autovetura si dhe 12 poste për kontrolle të njëhershëm për kamionët.
Në 6 vitet e fundit, Durrësi ka qenë në vëmendje të veçantë projekteve dhe financimeve qeveritare. Sot llogariten 400 km rrugë të ndërtuara, ku përfshihen rrugët ne komuna e bashki nga Fondi për Rajonet, rrugët Kombëtare nga Ministria Punëve Publike si dhe Rrugët Rurale nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Po ashtu në Durrës janë ndërtuar këto vite 62 Shkolla, 107 Ambulanca e Qendra Shëndetësore dhe 112 Sisteme Ujësjellësish e Kanalizimesh. Po ashtu falë klimës së mirë të të bërit biznese, në qytetin e dytë më të zhvilluar pas Tiranës, janë krijuar deri më sot 8200 biznese të reja nga të cilat 1080 biznese të lidhura me sektorin e turizmit.