E Diel, 1 Nëntor 2026

Parada e pasurive të (pa) deklaruara

 

Është bërë ritual në Shqipëri që çdo fillim pranvere Inspektorati i Lartë për Kontrollin dhe Deklarimin e Pasurive të publikojë pasuritë e zyrtarëve të lartë të administratës publike. Të dhënat shkruhen në një formular ku jepen në mënyrë të detajuar përfitimit nga puna në shtet, shpenzimet për blerje dhe kreditë bankare që përfitojnë.

Por ashtu si djalli fshihet në detaje, është e qartë se pas formularëve të plotësuar janë fshehur pasuritë reale të njerëzve të pushtetshëm që po bëjnë miliardat në këtë vend dhe ata nuk janë vetëm në kabinetin qeverisës, por edhe rrathët e tjerë që kanë çimentuar qeverisjen aktuale si klani që mbledh pasuritë në këtë vend. Është shumë normale që qytetarët Sali Berisha, Fatmir Mediu, apo Lulzim Basha të blejnë shtëpi të bollshme, makina luksoze, toka dhe troje, sepse kështu po bëjnë sot edhe një pjesë tjetër shqiptarësh, të cilët nuk e kanë kusht deklarimin e pasurisë që e kanë vënë me anë të sipërmarrjes private.

Por ata po e bëjnë këtë paradë qesharake të deklarimit të pasurive për t'iu treguar shqiptarëve se po ecin përkrah tyre si rrogëtarë të ndershëm, kur në të vërtetë pasuria e tyre është ngritur mbi pandershmërinë dhe pasuria e tyre mbi fatkeqësinë dhe dhimbjet e shtetasve shqiptarë.

Se si mund t'i bëjnë paratë njerëzit e Sali Berishës në Shqipëri, mjafton të kujtohet përvoja disaditore e një shqiptari të kthyer në atdhe, sipas motos elektorale të PD-së në zgjedhjet e vitit 2005: "Koha për ndryshim". I riu i diplomuar dhe me përvojë menaxheriale në Perëndim u emëruadrejtues në njërin prej porteve të vendit. Në emër të detyrës ky anëtar i ri i administratës publike, nisi të bëjë bujë, sapo bllokoi fillimisht disa an ijeqë sillnin mallra kontrabandë. Një ditë bllokoi tre prej tyre. Në mbrëmje e thirrën në një lokal të qytetit. Ishin zyrtarë të Ministrisë së Brendshme. E këshilluan të mos bënte më aksione të tilla.

Shpërblimi, 50 mijë euro në muaj. Rishtari kishte qëlluar ai "njeriu i mirë" që sapo i bënë ofertën korruptive brofi në këmbë: "Jo ore, zotërinj, nuk jam ashtu njeriu unë, kam ardhur të luftoj korrupsionin dhe të mbaj me nder postin". Të nesërmen herët në mëngjes e shkarkuan dhe ai ish-pjesëtar i administratës publike ende sillet në Shqipëri pa punë.

Kolegët e tij dy ditë më parë ishin pjesa dërrmuese e raportit të ILKDP-së. Zyrtarë të doganave dhe tatimeve që nuk kanë deklaruar pasuritë, sepse nuk dinë kë të deklarojnë: rrogën që ndoshta nuk e dinë se ekziston apo megashpërblimet nën dorë që kanë marrë, ndryshe nga personazhi i rrëfenjës tonë. Ndaj dhe duket shumë qesharake parada e formularëve të pasurive të (pa)deklaruara.

Kur kryeministri i vendit deklaron se ka blerë apo ka shitur shtëpi, ka shtuar llogarinë e tij personale apo ka bërë trafik banesash me të bijën, shqiptarëve të stërlodhur dhe të stërskamur në këto dy vite e gjysmë të mbretërimit të tij, u fanitet në ëndërr buka e përditshme ajo që nuk po arrihet nga gjysma e popullsisë, 40 për qindëshit të popullsisë i ulëret e drejta e mohuar kushtetuese për të pasur një punë të ndershme, qindra mijëra kryefamiljarëve u dridhet shpirti se nuk mund t'iu plotësojnë as kushtet minimale të jetesës familjeve të lemerisura nga rritja galopante e çmimeve, inflacioni tronditës që ka zhvleftësuar fuqinë blerëse të lekut, ngushtica për të pasur një banesë të denjë apo dhe me kredi që nuk vrasin.

Nuk ka përgjigje më groposëse për mbi 580 mijë pensionistët shqiptarë, që po rojnë me barishtet e kalbura, bukën bajate, ilaçet e skaduara pa rimbursim dhe ndonjë kacidhe që ua sjellin fëmijët në emigracionse sa tu flakërish para syve xhirollogari dhjetëra milionëshe.

Kryeministri dhe ish-ministri i tij i Mbrojtjes t'i gëzojnë shtëpitë si fusha futbolli, por viktimat e Gërdecit, ata që i mbijetuan krimit qeveritar, edhe pas 5 javësh nuk kanë një strehë ku të fusin kokat dhe duhet t'ia nisin sërish nga e para, me rrogën që nuk mjafton as për të mbajtur frymën gjallë. Kryeministri dhe ish-ministri i tij i Punëve Publike nuk kanë më borxhe për të larë për fëmijët apo bashkëshortët, por shqiptarëve po u lënë borxhe që do të duhen disa breza për t'i larë. Këto borxhe që nuk janë marrë për të bërë Shqipërinë, por për të paguar korrupsionin dhe për të bërë pasuritë e zyrtarëve do t'i lajnë shqiptarët e vjedhur nga qeveritë.

Kur rreth shtatë vite më parë, me mbështetjen e donatorëve të huaj, mbi 5000 zyrtarë të administratës publike, u detyruan të deklaronin pasuritë e tyre, përpara shqiptarëve bëhej parada e përvitshme e pasurive të (pa)deklaruara: bashkëshorte kryeministri që fitonte sa një kioskë, apo një kryeministër që figuronte i pastrehë, më pas një kryeministër i kishte dhënë borxh të bijës që ka blerë gjysmën e Shqipërisë, deputetë që erdhën me duar në xhepa dhe sot kanë edhe 10 milionë europasuri, drejtorë që nuk dinë se çfarë të deklarojnë më parë dhe i bien shkurt, me mosdeklarim.

Se sa të pasur janë qeveritarët shqiptarë, sot e tregon më së miri varfërimi dhe hendeku i thellë social-ekonomik që i ndan me qytetarët që po privohen edhe nga jetesa me rrugë të ndershme ndaj në respekt të këtij realiteti shokues duhet të marrë fund të paktën kjo paradë e (mos)deklarimit të pasurive të vëna mbi fatkeqësitë e një populli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›