E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohet 60-vjeçari, plagosi gruan në gjumë

Veli Zeqiri ka plagosur bashkëshorten, Shefikatin, dhe më pas e ka ndjekur nëpër lagje për ta vrarë

Gruaja: 15 vite më parë më qëlloi me sëpatë, por e fala. Tani kërkoj dënimin maksimal

ELBASAN-Ka tentuar të vrasë gruan, ndërsa ajo ishte duke fjetur, por kur plumbat nuk kanë mjaftuar e ka ndjekur në gjithë lagjen për ta vrarë. Ngjarja ndodhi natën e së martës në lagjen "5 Maji", në afërsi të Kishës "Shën Thanasi", kur Shefikat Zeqiri është qëlluar nga bashkëshorti i saj, Veli Zeqiri, me një armë, që e mbante të fshehur. Gruaja 56-vjeçare, e plagosur edhe 15 vite më parë me sëpatë nga bashkëshorti, ka mundur të vrapojë nëpër natë, me krahun e plagosur dhe është ndihmuar nga një furgon policie që e ka shpënë në spital. Aty është lajmëruar edhe policia, e cila ka bërë arrestimin e bashkëshortit, 60-vjeçar.

Ngjarja

Shefikat Zeqiri nga shtrati i spitalit tregon sesi ka ndodhur gjithçka dhe tmerrin që ka kaluar e ndjekur nga burri që kërkonte ta vriste. Sipas saj, situate ka qenë krejt e qetë. Kanë ngrënë darkë, së bashku me dhëndrin me vajzën dhe ishin duke parë televizor. "Unë shkova e para të fle. Ndërsa bashkëshorti po shihte një film dhe më tha se do të vinte më vonë. Kur pas disa minutash zgjohem nga zhurma e televizorit që ishte ngritur lart ai erdhi tek unë, hapi dritën, pa sesi isha shtrirë, fiku dritën dhe qëlloi një herë",- nis rrëfimin gruaja. Në fillim, mendoi se ishte bashkimi i telave të tensionit elektrik pasi shtëpia e tyre është afër nënstacionit elektrik. "Por ndjeva një breshëri armësh dhe krahu që mu copëtua. U ngrita dhe i thashë se çfarë po bënte kurse ai më goditi me armë kokës, pasi nuk kishte fishekë më",- thotë ajo. Nuk e di se si është ngritur dhe ka marrë vrapin për të dalë jashtë e ndjekur nga burri që i përsëriste vazhdimisht kërcënimin se do ta vriste. "Ai më tha të mos ikja se nuk kisha shpëtim. Aty i thashë "të lutem, nuk do të iki në polici vetëm të shkoj të mjekohem, por nuk më la"- vazhdon ajo. Duke vrapuar, me dorën varur për fat është ndihmuar në rrugë nga një furgon policie. Ata e pyetën për ngjarjen dhe më pas e dërguan në spital. Pas kësaj gruaja nuk mban më mend asgjë.

Policia

Burime nga policia bëjnë të ditur se Veli Zeqiri akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë në rrethana cilësuese. "Ndaj tij janë grumbulluar të gjitha provat për sa ka ndodhur",- thonë burimet zyrtare. Gruaja 56-vjeçare ka kërkuar këtë herë dënim maksimal. Ajo thotë se ka frikë nga ai pasi kur të dalë nga burgu do të përfundojë atë që ka nisur, vrasjen e saj. Gruaja e terrorizuar ka deklaruar në polici se bashkëshorti i saj nuk kishte shfaqur asnjë shenjë që do të sillte më pas reagimin e tij me armë. I dënuar edhe një herë për plagosje të rëndë, Veli Zeqiri fshihte edhe një armë, por që nuk ia kishte treguar këtë gruas së tij. Burimet zyrtare të mbështetura në dëshminë e gruas sqarojnë se në vitin 1992 ai kishte qëlluar gruan me sëpatë në kokë, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Nëna e 6 fëmijëve, atëherë e tërhoqidenoncimin, duke e falur bashkëshortin. Por, ndryshe nga 15 vjet më parë, këtë herë gruaja ka vendosur të mos tërhiqet më. Sipas saj, nëse do të kishte fishekë, ajo tashmë do ishte e vdekur.

Dëshmia e vajzës: U tmerrova kur pashë gjakun

Për shkakun e tentativës së vrasjes, gruaja thotë se është hera e dytë që burri tenton ta vrasë. Sipas saj, ai shfaqte fiksime herë pas here duke thënë se ishte xheloz. Bukurie Zelli, vajza e martuar e çiftit Zeqiri tregon se ajo që u ka ndodhur prindërve të saj është me të vërtetë e tmerrshme. "Unë nuk isha aty por kur kam parë gjakun që kishte mbuluar shtëpinë dhe krevatin dhe krahun e dërrmuar të nënës, e cila rrezikon edhe t'ia presin nuk mund të mos e dënoj për veprimin e bërë babanë tim",- thotë ajo. Kujton precedentin e parë, kur babai ka goditur me sëpatë nënën, por pranon se nuk e ka menduar që gjërat do të përsëriteshin në këtë mënyrë. "Tani për tani nuk mund ta fal babanë për atë që ka bërë. Nëse do të kishte pasur plumba tani nëna ime do të ishte e vdekur. Vëllai i lajmëruar pritet të mbërrijë nga Greqia. Askush nuk ka mundur ta ndihmojë nënën, pasi asnjë nga ne fëmijët nuk kuptuam gjë",- tregon vajza. Sipas saj, babai në mbrëmje kur kishte vendosur të bënte atë që bëri, ishte i qetë dhe i qeshur. Fakt që sipas saj, e bën edhe më të pafalshëm krimin e kryer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›