E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parada festive, një javë përpara fillimit të Botërorit të futbollit

Afrika e Jugut po përgatitet për evenimentin më të madh të globit, botërorin e futbollit që do të hapë siparin me datë 11 qershor. Banorët e shtetit më të pasur në kontinentin e zi kanë mbushur rrugët e qytetit Soveto për të festuar në paradën festive të Kupës së Botës. Kjo paradë e mbushur me tinguj muzikorë, me veshje shumëngjyrëshe dhe me festues të gëzuar është në vazhdën e aktiviteteve që qeveria e Afrikës së Jugut po zhvillon në kuadër të përgatitjeve për Kupën e Botës. Këto karnavale patën një itinerar tepër të gjatë që kapte gjatësinë e 6 kilometrave.
Pjesë e këtyre karnavaleve festive kanë qenë edhe personalitetet më të nderuara të shtetit afrikan, ku mund të përmenden dy fituesit e çmimit prestigjoz Nobel, Nelson Mandela dhe Desmond Tutu. Një nga rrugët në të cilën u zhvillua parada, në lagjen Gauteng, është një nga rrugët më të atraktive për vendasit dhe për turistët e huaj. Në këtë rrugë ndodhet edhe shtëpia e vjetër e disidentit karizmatik dhe ish-presidentit të Afrikës së Jugut Nelson Mandela. Shtëpia e vjetër e fituesit të çmimit Nobel për paqen tashmë ka marrë statusin e muzeut. Kjo paradë festive është e përvitshme dhe sponzorizohet nga Ministria vendase e Sportit, Artit dhe Kulturës.
Njerëz nga mbarë vendi erdhën për tu bërë pjesë e këtij evenimenti, por gjithashtu nuk kanë munguar edhe shumë turistë të cilët për një muaj do të kenë mundësinë që të jenë pjesë e Botërorit të futbollit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›