E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paradigma dëshpëruese e integrimit në BE

BLENDI KAJSIU

Në fillim të viteve 1990, integrimi i Shqipërisë në BE (atëherë Komuniteti Europian) është bazuar te një shpresë e madhe se integrimi në BE ishte rruga e rimëkëmbjes dhe e kthimit të Shqipërisë në identitetin e saj europian. Një nga parullat më të fuqishme që udhëhoqën Lëvizjen Studentore në përballjen e saj me regjimin komunist ishte: E duam Shqipërinë si e gjithë Europa!. Me rënien e sistemit komunist, Europa zëvendësoi hapësirën simbolike që kish boshatisur rënia e komunizmit si ide organizuese e shoqërisë shqiptare. E thënë më thjesht, ideja se socializmi i vështirë ishte një fazë kalimtare drejt komunizmit si stacion përfundimtar, u zëvendësua me idenë se tranzicioni i vështirë demokratik ishte një fazë kalimtare drejt Europës si stacioni përfundimtar. Në të dyja rastet logjika teleologjike mbetej e njëjtë, por utopia komuniste zëvendësohej me atë europiane.
Paradoksalisht ëndrra europiane dukej më e besueshme dhe më e arritshme pikërisht njëzet vjet më parë, kur nga pothuajse çdo pikëpamje Shqipëria qëndronte më larg anëtarësimit në Bashkimin Europian, sesa sot. Në fillim të viteve 90, shpresa tek integrimi europian si zgjidhja përfundimtare e problemit shqiptar ishte mjaft e madhe. Edhe koha e anëtarësimit nuk dukej shumë larg; sipas një deklarate të Presidentit Berisha në fillim të viteve 90, Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së në jo më shumë se 15 vite. Anëtarësimi në BE shikohej nga aktorët lokalë si procesi konkret nëpërmjet të cilit ëndrra europiane do të bëhej realitet. Ideja bazë që e ushqente këtë shpresë ishte utopia e një Bashkimi Europian si parajsa e kombeve të lumtura. Premisa bazë ishte se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të shënonte fundin e tranzicionit, transformimin e Shqipërisë në një vend të zhvilluar dhe demokratik.
Ama, sa më shumë Shqipëria i afrohej BE-së, aq më shumë dukej se largohej ëndrra europiane. Sa më shumë Shqipëria nënshkruante marrëveshje që e përafronin me BE-në, aq më pak realiteti politik dhe social, i zhytur në zhgënjim, korrupsion dhe padrejtësi, i përngjante ëndrrës europiane. Kështu, gradualisht shpresa tek integrimi europian zëvendësohet me dëshpërimin se as ilaçi i integrimit nuk i bënte derman problematikës shqiptare. Pas krizave të viteve 19971998 dhe me rritjen galopante të korrupsionit në qeverisje përgjatë viteve 2000, ideja se integrimi i Shqipërisë në BE do të sillte europianizimin e saj, fillon e zbehet. Përafrimi me BE-në në legjislacion, në tregti dhe në shumë fusha të tjera, nuk rezultoi automatikisht në më pak korrupsion, më shumë mirëqeverisje, apo më shumë demokraci. Tashmë integrimi në BE nuk shihet me entuziazmin shpresëplotë të fillimit të viteve 90, sipas të cilit, Shqipëria, nëpërmjet integrimit në BE, një ditë do të bëhej si Europa. Për aktorët lokalë ishte bërë e qartë se anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk do të shënonte automatikisht transformimin e saj në një vend të zhvilluar dhe plotësisht demokratik. Pikërisht këtu fillon edhe faza e dytë e integrimit në BE, që më shumë sesa te shpresa, bazohet te dëshpërimi.
Por, dëshpërimi me situatën shqiptare nuk e uli dëshirën për integrim në BE. Përkundrazi, dëshpërimi me Shqipërinë ushqente domosdoshmërinë për Europën. Tashmë integrimi nuk shihet edhe aq si një shpresë për përmirësim, sesa si e vetmja mundësi për të ndaluar degradimin. Pra, ndërsa në periudhën e parë integrimi shikohej si mundësi për ti ngjarë Europës, në periudhën e dytë integrimi shihet si e vetmja alternativë që Shqipëria mos ti përngjante më shumë vetvetes. Politikisht integrimi në BE justifikohet si parakusht i demokratizimit. Presupozohet se pa BE-në polisi shqiptar do të shkonte drejt shthurjes dhe diktaturës. Ekonomikisht Shqipëria është shumë e vogël, shumë e paaftë dhe tejet e varfër që të zhvillohet pa ndihmën direkte të BE-së. Këto janë dy premisat bazë mbi të cilat mbahet paradigma e integrimit sot. Të dyja këto momente kanë një emërues të përbashkët; idenë bazë se zhvillimi politik dhe ekonomik i Shqipërisë buron vetëm nga jashtë, ndërsa pengesat ndaj këtij zhvillimi janë vetëm të brendshme.
Është pikërisht paradigma e dëshpërimit mbi të cilën sot bazohet integrimi në BE që duhet çmontuar për të krijuar hapësira të reja dhe më shpresëdhënëse mendimi. Është një kritikë që duhet ndërmarrë jo vetëm për të ndriçuar atë që kjo paradigmë fsheh, por edhe mënyrën se si paradigma e dëshpërimit e riprodhon pafundësisht vetveten. Nga njëra anë paradigma e integrimit ia vesh çdo progres politik apo ekonomik të Shqipërisë procesit të integrimit në BE duke injoruar çdo arritje lokale që nuk ka të bëjë me integrimin. Nga ana tjetër, paradigma aktuale e integrimit riprodhon vazhdimisht dëshpërimin që legjitimon domosdoshmërinë e integrimit në BE, duke prodhuar vazhdimisht një marrëdhënie asimetrike mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
Në rrafshin ekonomik, zhvillimi i Shqipërisë i dedikohet hapjes së ekonomisë shqiptare ndaj asaj europiane. Me krenari trumbetohet se BE-ja i ofron Shqipërisë jo vetëm ndihmë, por edhe tregjet e saj të pafund, dhe se BE-ja është partnerja ekonomike kryesore e Shqipërisë sot. Ajo që injorohet është fakti se Shqipëria, këto njëzet vite, më shumë sesa nga hapja e tregjeve, është zhvilluar nga hapja e kufijve që BE-ja vazhdimisht i mbyllte. Ka qenë eksporti i krahut të punës apo emigracioni ai që ka përbërë motorin nxitës të ekonomisë shqiptare duke stimuluar direkt sektorët më vitalë, si ai i ndërtimit. Ironikisht, pothuajse i gjithë emigracioni ka ndodhur në kundërshtim të plotë me direktivat e BE-së, të cilat kërkonin dhe investonin në pengimin e tij nëpërmjet një kontrolli më rigoroz të kufijve. Nga ana tjetër, tregtia e lirë me BE-në ka prodhuar deri tani vetëm një deficit tregtar që vazhdon të rritet. Me pak fjalë, edhe pse zhvillimi i deritanishëm i Shqipërisë ka ardhur kryesisht si pasojë e punës së shqiptarëve, meritat shpesh i atribuohen integrimit të ekonomisë sonë në BE, investimeve të huaja nga BE-ja apo ndihmave që janë dhënë nga kjo e fundit.
Në rrafshin politik, BE-ja vazhdimisht portretizohet si garantuesi i demokracisë shqiptare. Vetë BE-ja e shikon vetveten si monitoruese dhe vlerësuese të demokracisë shqiptare. Ndërsa ideja që dominon sot në hapësirën publike shqiptare është se pa BE-në Shqipëria do ish kthyer me kohë në diktaturë. E thënë ndryshe, pa BE-në, në Shqipëri nuk ka demokraci. Ajo që kjo ide fsheh është roli negativ që shpesh BE-ja ka luajtur në demokracinë shqiptare, duke theksuar stabilitetin më shumë se demokracinë, si dhe rolin pozitiv që është luajtur nga vetë populli shqiptar për të ruajtur sistemin demokratik. Kështu, disa nga momentet më të zeza të demokracisë shqiptare, si zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, apo qeverisja e parë e Partisë Demokratike, shpesh kanë ndodhur me mbështetje të aktorëve të fuqishëm të hapësirës europiane, qofshin këto organizma, si Këshilli i Europës, apo politikanë të ndryshëm të lartë europianë që shpesh mbështesnin haptas pushtetin autoritar të Presidentit të atëhershëm Berisha, apo institucionet që dilnin nga zgjedhjet e manipuluara. Ashtu sikurse pothuajse të gjitha proceset e dështuara zgjedhore janë gatuar shpesh me asistencën e organizmave ndërkombëtar alla-OSBE.
Duke marrë si të mirëqenë premisën se demokracinë shqiptare e garanton BE-ja, ne harrojmë se e vetmja forcë reale që ka nxitur demokratizimin shqiptar ka qenë vetë populli shqiptar. Rrëzimi i komunizmit shqiptar vërtet është mbështetur nga jashtë, por, mbi të gjitha, ai është arritur nga brenda si pasojë e revoltës popullore që u shfaq fillimisht në protestat e klasës punëtore në Kavajë dhe Shkodër, vazhdoi me largimin masiv nëpërmjet ambasadave dhe kulmoi me protestat studentore që u mbështetën fuqimisht nga popullsia e Tiranës. Një revoltë që me vonesë filloi të përqafohej edhe nga elita e

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›