E Diel, 1 Nëntor 2026

Të parandalohet çdo lloj diskriminimi ndaj komunitetit rom

Deklaratë e Komitetit të Helsinkit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), gjatë këtyre ditëve ka ndjekur me shumë vëmëndje kushtet e vështira në të cilat është imponuar të jetojnë disa komunitete Rome të qytetit të Tiranës, për shkak të veprimeve të kundraligjshme të pushtetit vendor dhe neglizhencës ose mosreagimit në kohë nga ana e Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Qeverise.

KShH ka reaguar publikisht dy herë për situatën, duke u bërë thirrje institucioneve përkatëse për të marrë masat e nevojshme, por ende nuk shohim veprime konkrete.

Në këtë vështrim, mbështesim interesimin e menjëhershëm të Avokatit të Popullit, ndërhyrjet e tij pranë autoriteteve publike, si dhe vëmendjen e veçantë të tij për këtë komunitet, duke i strehuar përkohësisht në ambjentet e institucionit të tij, gjë që të paktën evitoi qëndrimin e këtyre personave në të ftohtin dhe lagështirën e tepërt të këtyre ditëve. Ne çmojmë dhe bashkohemi edhe me reagimet dhe veprimet e mbështetjes materiale për këtë komunitet që po kryen komuniteti ndërkombëtar dhe shoqëria civile vendase dhe ndërkombëtare.

Pavarësisht nga ngjarjet e ndodhura ditët e fundit, problemi i strehimit të komunitetit Rom, që këto ditë evidentohet qartë me të gjitha pasojat e tij të rënda e të dëmshme, është i njohur nga autoritetet shtetërore të të gjitha niveleve, sepse ngjarjet e fundit në dëm të interesave të komunitetit rom nuk janë as të parat dhe as të vetmet. I kujtojmë opinionit shoqëror se situata të tilla janë të përsëritura edhe në vitet e kaluara. Mediet, KShH dhe organizata të tjera kanë reaguar në vazhdimësi. Të vetmit që nuk reagojnë janë strukturat e shtetit, të cilat kanë dhe përgjegjësinë direket në këtë drejtim ashtu siç kanë marrë përsipër edhe në strategjinë e hartuar e miratuar për këtë qëllim. Deri tani nuk jemi njohur me asnjë veprim konkret për strehimin e komunitetit rom në ambiente të përshtatshme. Edhe premtimi i Ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta për sistemimin e tyre në një godinë në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes duket se ka rënë preh e burokracisë, e cila nuk po tregon ndjeshmërinë e duhur për një çështje kaq urgjente.

KSHH, përsëri, i bën thirrje institucioneve shtetërore përkatëse që me urgjencë të marrin masa për strehimin e komuniteteveRome, duke e zgjidhur këtë nevojë jetike të tyre shpejt, në mënyrë të përshtatshme dhe përfundimtare. Lënia e tyre në kushtet aktuale përbën trajtim çnjerëzor, degradues dhe diskriminues, domethënë një shkelje tepër e rëndë e të drejtave të njeriut, të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Tiranë, 03.02.2012

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›