E Shtunë, 31 Tetor 2026

O Cezar, ose hiç fare ( Aut Caesar aut nihil)

04-02-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Në një datëlindje miqsh që në shkollë të mesme, të mbledhur në një restorant për datëlindjen e njërit prej nesh, disa prej tyre u kishte bërë përshtypje një libër, të cilin e kisha në çantë, për ta çuar te një tipograf që njihja. Duhej ta lidhja, se e kisha shfletuar si tepër dhe e kisha katandisur keq e mos më keq. Libri titullohet “Protagonistët e së keqes” dhe është përpiluar prej dy autorëve të njohur si biografë: Josè Maria dhe Lòpez Ruiz. Kishte si nëntitull: “Rrugëtim ndërmjet personazheve më mizorë e kobzinj të historisë”.
-Oh, - tha njëri, që kishte bërë edhe 8 vjet burg, se i ati kishte mbaruar shkollën e Fulcit. Babai i tij ishte dënuar me vdekje, pastaj iu kthye dënimi në të përjetshëm. - Ç’më kujtohet një  historian i Enverit, që edhe sot e kësaj dite e përmend idhullin e tij me superlativa. “Nuk u dashka shkruar për Enverin, duke shfrytëzuar ditarët e tij intimë, sepse ato janë, sipas aktit të pronësisë, pasuri e familjes! Demek iu dashka kërkuar leje Nexhmijes, për përdorimin e atyre ditarëve... Atëherë iu dashka kërkuar leje edhe të afërtve të Dr. Gëbelsit, se familjen dhe veten ai i  vrau, me rënien e Berlinit”.
-E paske fjalën për Xh-in, - ia priti tjetri, aty pranë. –E kam lexuar edhe unë, para disa ditësh. Na thotë se Enveri është një figurë historike, që ka qenë në organet më të larta drejtuese për 41 vjet rresht, përveçse në krye të partisë (komuniste)  dhe i madhi i shtabeve partizane (si vasal i Miladinit dhe i Dushanit). Aq më tepër nuk u dashka hedhur baltë ndaj tij, siç paskan bërë ata dy studiuesit e materialeve të Plenumit II të Beratit, Luan Maltezi dhe Ndreçi Plasari, plenum në mbarim të Luftës II Botërore (paçka se studiuesit e arkivave nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme si koment). [Ato kllapat janë shtojca të bashkëfolësit tonë].
-Shkurt, ndërhyri i treti që ishte në këmbë dhe u ul, - ai profesori i universitetit që s’dinte gjë tjetër veçse të fliste për Enverin dhe për Marksin, dashka të na e mbyllë gojën neve (dhe çdo studiuesi) me absurdin se, si personazh historik, ka bërë shumë për vendin, është atdhetar (siç mund të jenë të tillë stalinistët tanë) dhe e ka pas bërë Shqipërinë një vend të bollëkut ushqimor (të dekoruar për lulëzim ekonomik nga një organizatë majtiste braziliane, me njerëz si ai Fosko Dinuçi, që i vuri njerëzit e një kongresi, të këndojnë në kor: “Avanti o popolo, à la riscossa, bandiera rossa, trionferà)!”. – Kuku none, - ndërhyri një ish-bashkënxënësja jonë tiranase, - si jena bo na, fatkeqt, me stalinistat dhe enveristat qi po na mbytin me leksione komunizmi! Ai Xh-i duhet me ndrue mbiemnin, qi e ka nga i njajti fshat me nji atdhetar tonin. M’ia lumsha atyne letonezve qi s’duen me ia nigju zanin atij Stalinit e thoshin qi ky gjksuer ndryshon nga Hitleri vetëm nga gjatsia e mustakëve! (Kjo L-la e shkretë kishte mbetur me tetëvjeçare se ia ati ishte arratisur. 
-Avash një çikë, se na e ulët fare Enverin, - tha si me gjysmë zëri një ish-shoku ynë i klasës, B.-i që i kishte prindërit në një organizatë ekonomike ndërkombëtare dhe që ishte me këpucë të markës së fundit, kur ne të tjerët ishim me këpucë që na fusnin ujë gjithandej.
-As e ulim, as nuk e ngremë, por s’duam t’i dalë emri fare në gazeta, o B. Aktori i madh gjerman, Johanes Esli, që vdiq para pak javësh në moshën 108-vjeçare, vetëm se tha katër-pesë fjalë të mira për një dava pikture të diktatorit nazist, u bllokua nga publiku gjerman. Pastaj, pas disa ditësh,  bëri tërheqje, me lot në sy, që u rehabilitua. Besuan në sinqeritetin e tij dhe e brohoritën sërish. Po këtu? Ofendohet Xh-i se shqiptarët duan ta zbërthejnë  imtësisht E. Hoxhën, që i ka kaluar në satër si nacionalistët, ashtu edhe nacionalçlirimtarët bashkë, me  vasalitetin ndaj emisarëve të Titos, me stalinizmin e tij të hapur sa të mos bënte destalinizimin,  kur këtë e bënë të gjitha vendet e tjera ish-komuniste. Me bunkerët e panumërt na varfëroi edhe më tepër,  megjithëse ata  bunkerë nuk shërbyen veçse për t’i përdorur si VC! – e ç’të them më tepër. – Këto i tha djali i një ish-ushtaraku madhor, që ishte dënuar kot më kot, se i kishte folur një çimke për Petrit Dumen që ishte bërë hero i popullit për qëndresën kundër provokacioneve greke të 2 gushtit.
Ai B.-i uli kokën dhe u skuq. – Keni të drejtë o miq. Ne që s’kemi vuajtur, nuk ju kuptojmë shpeshherë, - tha ai. Duhet të themi se në këtë pasdite përkujtimore nuk kishin ardhur vetëm ata që ishin fanatikë të PS-së, ndërsa majtistë të balancuar kishim disa. Shumica ishim të djathtë. Por të gjithëve na bashkonte malli për një kohë kur ishim shokë klase.
Meqë libri “Protagonistët e së keqes” u mor vesh nga të gjithë se ç’përmbajtje kishte, më ngarkuan që të bëja një përmbledhje të këtij libri. Kështu mori fill ky shkrim i kësaj here. Nuk duhet të harroj se, kur u ndamë me duart në qafë, B. na u lut ta falnim se  nuk ishte shprehur mirë. Na tha edhe se e gjithë familja e tij nuk votonte fare, se nuk e duronte dot atë të gjatin, të lidhur si mishi me thoin me të gjithë ata që kishin bërë zarare e që duheshin ndëshkuar, si në Letoni!
*   *   *
Po e filloj me parathënien:  - Në rrjedhë të shekujve njeriu është gjendur shpesh përballë armikut të tij më të madh: së keqes që ka përfshirë shpirtin e tij. Në të vërtetë janë të shumtë personazhet e përdhosur dhe të pashpirt që kanë lënë gjurmë në rrugëtimin e historisë, duke u bërë protagonistë ndodhish ngjethëse , si dhe të krimeve të llahtarshme, që përshkruhen në këtë libër, të cilin mund ta përcaktojmë „të letërsisë së zezë“.
Dukuritë e mbledhura tregojnë sesi këto figura e kanë ngjyer botën në të kuqe dhe ndërgjegjet  në të zezë, duke u bërë shkas që të shkruhen faqet më shtazarake, përmes një emëruesi të përbashkët: mizorisë së lindur dhe një mungese tërësore ndjenjash njerëzore.
Që nga lashtësia e gjer në ditët tona, libri „Protagonistët e  së keqes“ ravijëzon një profil të qartë e të imtë të çdo personazhi që ka qenë përgjegjës, drejtpërdrejt apo tërthorazi, i vdekjes, i vuajtjes apo i përndjekjes së qenieve të tjera njerëzore.
Le të shohim disa nga protagonistët e së keqes.  Xhezabela e cila, ndonëse e seksit femëror së cilës duhej t’i takonte butësia dhe hijeshia, iu përkushtua luftës me egërsi. Në testamentin Antik na del dhe Dalidaja, një oborrtare e përdalë e seksit, që për pasuri dhe jo për dashuri e tradhtoi të dashurin, Samsonin, gjyqtarin gjigant të Izraelit, forca e të cilit qëndronte në gjatësinë e flokëve.
Le të kalojmë nga kohët biblike gjer në fillimet e republikës romake, para lindjes së perandorisë, kur dolën gjeneralë të pamoralshëm që bënë udhë në histori. Njëri prej tyre, Sila, mund të quhet si shpikësi i luftës civile. Pas këtij shohim Romën dhe perandorinë e saj, gjer në rënien, më së fundi. Ndërkaq, ndër këta shekuj, në fronin e  qytetit të Romulit e të Remit, u dukën njerëz çnjerëzorë e të zvetënuar. Personazhe si Tiberi, Kaligula, Mesalina, Agripina, Popea, Neroni dhe Komodo, e mbushën horizontin me gjak e me zullume.
Nuk vonuan, më tej, barbarët, që i dhanë goditjen e fundit (il colpo di grazia) rrënojave të kalbura të Romës perandorake. Megjithatë këta përtëritës nuk ishin aspak të paqortueshëm, duke filluar me përfaqësuesin e tyre, Atilën. Kryetari i hunëve krijoi pararojën e sovranëve barbarë të cilët, pas Atilës, ndërmorën pushtimet e krahinave romake, duke ndërtuar mbretërí të reja që u shpërndanë në të gjithë Europën.
Të gjithë këta ndihmuan në kalimin në atë që u quajt Mesjeta, një periudhë e errët, e shenjuar nga figura ndërmjet historisë dhe legjendës; gra si Fredegonda dhe si Brunilda,  por edhe dy tradhtarë të brohoritur si Ruy Veláskuez dhe Belido Dolfos, i përkasin asaj letërsie të zezë të këtyre figurave; nuk mungoi edhe një fitimtar aziatik, pak a shumë si vazhdues i veprimtarisë së Atilës. Quhej Xhenxhis – Khani (që përkthehet zotëria i fuqishëm). Mos të lëmë pas dore, veç të tjerëve,  edhe mbretër që simbolizuan, si përfundim, etjen për pushtet në një nivel thuajse të paarritshëm. Si skocezi Makbeth por, veçanërisht, e shoqja e tij, që e çoi në krime tepër të rënda bashkëshortin e saj: kobzeza Ledi Makbeth.
Ndërmjet tmerreve të Mesjetës gjejmë personazhin më në dukje, despotin e Transilvanisë së hershme, Vladin VI, që i ngulte në hu viktimat dhe  që ushqente një urrejtje të papërshkrueshme për popullin e vet. Sadist i paepur, më parë se markezi de Sade, mbolli terrorin dhe u bë protagonisti i legjendave të frikshme, që qarkulluan në trojet në të cilat ai ushtroi tiraninë e tij të tmerrshme. Në tregimet e traditës, bëri emër edhe personazhi letrar, Vampiri Drákula, një burim i pashtershëm i artit të ri kinematografik, i shfrytëzuar gjer në trazim të stomakut. Pranë Vladit “hungulës“ nuk duhet lënë jashtë listës një bashkëkohës i tij, Thoma de Torkuemada, përgjegjësi i flakadanëve të Inkuizicionit.
Pas Mesjetës së zymtë, na vjen Rilindja  e ndritshme, etapa e re në të cilën krimi jo vetëm që s’u zhduk, por mori trajta gjithmonë e më të ndërlikuara e më krijuese.
Protagonistë absolutë të kësaj periudhe janë anëtarët e një familjeje me origjinë spanjolle, që zuri rrënjë në Itali, si familja Bória. Kjo familje, pasi mori emrin italian, me mbiemrin  Bórxhia, si babai Aleksandri VI, ashtu edhe të dy fëmijët e tij, Lukrecia dhe Cezari, nuk lanë kusur pa bërë, duke zënë në listat tona një emër të personazheve që vërtet mos qofshin. Lukrecia, hë hë; por sa për Cezarin, ai ishte vërtet i rrezikshëm. Pas të atit, Aleksandrit VI, ai mori vërtet një pushtet të frikshëm e u bë tmerri i njerëzve nën pushtet të tij. Maksima e tij vetjake ishte: “Aut Caesar aut nihil“  (O Cezar, ose hiç fare).
Meqë u zhytëm  në botën piktoreske të piraterisë, me disa nga protagonistët më legjendarë, siç ishte pirati grek, bataçi e kopuk, Barbarosa, që drejtonte një anije të Madhërisë së tij britanike në ngushticën e La Manshit,  ai që tmerroi edhe monarkinë angleze me bëmat e tij aventureske. Duke iu larguar Anglisë, le të futemi pykë në stepat e Rusisë, e cila kishte shpallur si  të parin Car të të gjithë Rusive ( në shumës, - shënim), Ivanin IV, të cilin pasardhësit e pagëzuan me nofkën „Ivani i Tmerrshëm“. I pajisur me një mizorí të pashtershme, monarku i llahtarshëm i kaloi ditët e fundme si i marrosur. Ishte një personazh i pashpirt, i pamëshirshëm dhe një  historian  i vinte në dukje  vetëm metodat për të nënshtruar dhe poshtëruar bujarët, ata që s’kishin kufi në etjen për pushtet. Stalinit i janë gjetur disa shënime, që e tregonin tepër të interesuar për Ivanin IV, të cilin e simpatizonte dhe e kishte njërin ndër etalonët e bëmave të veta.
Duke kaluar në Francë, disa shekuj më vonë,  vëmë ré një vend në rritje që po arrinte të bëhej  një fuqi e madhe europiane, falë metodave të qeverisjes aspak të këshillueshme, të praktikuara nga Kardinali Rishëlié dhe nga Mazarini. Këta dy prelatë e kishin shtuar fuqinë e tyre të pamasë në mënyrë që s’ishte parë një tirani e tillë. Ambientet e liga të intrigave, që spikatën bashkë me këta, nxitën daljen në pah të helmueses së famshme legjendare, siç ishte Lokusta, me prejardhje nga Roma. Kështu markeza de Brenvilié si edhe la Vuazen , nuk kishin ç’t’ia kishin zilinë mjeshtres (Lokusta), që gëzonte një autoritet thuajse të pabesueshëm në oborrin e Mbretit Diell, domethënë Luigjit XIV.
Barbanera (Mjekërziu) i përkiste brezit të dytë, që ishte në gjendje të rrezikonte së tepërmi anijet tregtare, me plaçkitje të mëdha. Eduard Tiçi (ky ishte emri i tij), ishte në vartësi të monarkisë angleze dhe i dha fillesën një kohe vërtet të pështjelluar piraterie.
Meqë po zgjatemi si tepër, po bëjmë një kapërcim dhe po shkojmë drejtpërdrejt te sh. XX. Këtu përmenden Katerina II dhe Grigori Rasputini. Ky e bëri përshesh oborrin e Nikollës II, carin e fundit të Romanovëve.
Në Francë, jo shumë kohë më parë, mbushi kronikat njëfarë Landru, që ishte një vrasës në serí. Është e qartë se të gjithë personazhet e cituar zbehen në krahasim me Adolf Hitlerin që la vazhdë në Europë dhe në Perëndim dhe që është sinonim i një mizorie të patregueshme. Bashkë me të do të flitet edhe për bashkëpunëtorët e tij kryesorë të cilët, në Nuremberg u ndëshkuan me hak për krimet e tmerrshme.
Pastaj flitet për Al Kaponen, mbretin e gangsterëve, i cili shkonte në krah për nga mizoria me Josif Stalinin. Ky i fundit ishte i ashtuquajturi Cari i Kuq që nuk ia kishte fare për zilí autokratëve të Rusisë perandorake. Në të vërtetë, jo vetëm që i  asgjësoi kundërrevolucionarët  por – si të mos mundej dot të rrinte pa ekzekutuar, - vuri në zbatim një  përndjekje të pamëshirshme kundër shokëve të vet të partisë.
Meqë po merremi vetëm me hyrjen e librit, theksojmë se këtu jepet vetëm një listë emrash, që portretizohen gjerësisht në brendësi të kësaj vepre. Kuptohet se në këtë listë nuk mungojnë edhe Musolini, i ekzekutuar bashkë me Klarita Petaçin dhe i varur prej këmbësh në Milano; shohim mw tej edhe bashkëpunëtorët gjakësorë të Hitlerit, si propagandisti i tij i zjarrtë, Dr. Josef Gebelsi, që vrau gruan, fëmijët dhe vetveten gjatë rënies së Berlinit. Doemos edhe  Mao Ce Dunin. Ky ishte njollosur me gjakun e miliona viktimave të vendit të tij; por tërhoqi pas vetes edhe një numër të madh personash, në të gjithë rruzullin. Flitet edhe për tiraninë në Kubë, në Kore e në vende të tjera.
Duke lexuar këto fakte të tmerrshme, kuptohet qartësisht sesa e paudhë është ajo “revolta” e Xh-it dhe  sa i indoktrinuar është ai në rolin e një papagalli të një stalinisti si Enver Hoxha, që ka vrarë e prerë njerëz krejtësisht të pafajshëm, në interes të lavdisë së tij dhe të ruajtjes së një kolltuku të përgjakshëm. Duke parë ballinën e protagonistëve të së keqes vërejmë se tri janë figurat që i vënë vulën e mizorisë njerëzimit mbarë: Stalini, Hitleri dhe Rasputini. Kur themi Stalini, nënkuptojmë edhe Stalinin e vogël, Enver Hoxhën, që të parafrazojmë një talent letrar sovjetik, që vrau veten, Majakovskin. Nëse edhe Enveri nuk gjendet në këtë kopertinë, është  se këtij nuk ia kanë varur fare, për përmasat e pallogaritshme të vendit të tij, në krahasim me perandorinë e kuqe sovjetike, që nis në Baltik dhe mbaron në Oqeanin Paqësor. Por, në shmangie të këtyre përmasave, populli ynë ka pasur fatin e keq të ketë pësuar vuajtje të pafundme, që nuk mund t’i kuptojnë dot njerëz si propagandisti i së keqes, ai që përmendëm (se na vjen si për ters, që t’ia zëmë emrin vazhdimisht në gojë, qoftë edhe me iniciale).
Mbase këtë libër mundet edhe ta përkthejë shtëpia botuese “55”.  Do të kuptohej edhe më mirë absurdi sesi nuk mund t’i hidhet baltë një sundimtari, për “meritën” se ka pas vënë nën zgjedhë një popull të tërë, përgjatë më shumë se katër dhjetëvjeçarësh rresht.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›