Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha përuroi nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Levan - Vlorë. Kjo rrugë, me gjatësi 24 kilometra dhe vlerë 50 milion euro, është pjesë e Korridorit
Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha përuroi nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Levan - Vlorë. Kjo rrugë, me gjatësi 24 kilometra dhe vlerë 50 milion euro, është pjesë e Korridorit 8-të. Rruga do të jetë me 4 korsi kalimi dhe parashikohet të përfundojë në fillim të vitit 2009. Projekti i autostradë Levan - Vlorë është pjesës përbërëse e projektit Fier - Vlorë.
Kjo vepër e rëndësishme publike do të ndërtohet me financimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankës Europiane të Investimeve (BEI).
Me përfundimin e ndërtimit të këtij aksi do të mundësohet lidhja e qytetit dhe portit të Vlorës me pjesët e tjera të vendit, duke ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e turizmit dhe atë ekonomik në tërësi.
Kryeministri Berisha, duke e vlerësuar këtë rrugë shumë të rëndësishme për vendin në tërësi, u shpreh se me këtë rast do tu jepet mundësia të gjithë qytetarëve vlonjatë që të udhëtojnë drejt kryeqytetit nëpërmjet rrugëve të standardeve të larta evropiane.
Kryeministri theksoi se kjo autostradë do ti sjellë ritme të reja zhvillimit të turizmit, nëpërmjet ardhjes në Vlorë të turistëve, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Evropa dhe më gjerë.
Më tej, Kryeministri u shpreh:
"Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe kombin në tërësi. Në këto 18 muaj Vlora do të lidhet me Tiranën me një autostradë me katër korsi.Çdo qytetar vlonjat do të udhëtojë drejt kryeqytetit si një qytetar evropian.Çdo evropian do të vijë në Vlorë si në një territor të tijin.
Qytetarët e Vlorës do të shkojnë drejt kryeqytetit më shpejt dhe me më shumë lehtësi. Autostrada lidh Vlorën me Tiranën, Vlorën me Morinën dhe me Prishtinën. Kjo autostradë do të fuqizojë turizmin dhe do të shumëfishojë ardhjen e turistëve në Vlorë, duke e bërë Vlorën një nga qytetet më të shijuara për nga bukuritë që mbart. Dhe këta turistë do të jenë jo vetëm nga të katër anët e vendit, por edhe nga Kosova, Maqedonia, Evropa dhe gjithë bota.
Me këtë rast, falenderoj drejtuesit dhe punonjësit e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Drejtorinë e Rrugëve, sikundër edhe Ministrinë e Financave, sepse pa funksionimin e mirë të kësaj ministrie këto vepra publike do të ishin të pamundura.
Dua të informoj gjithashtu qytetarët e Vlorës dhe të Fierit se është garantuar plotësisht financimi për by - pass-in e Fierit nga Banka e Detit të Zi, një vepër e domosdoshme për të kompletuar autostradën që do të nisë punimet nga mesi i vitit.
Së bashku me zotin Alimerko, kryetarin e ardhshëm të Bashkisë, do të inagurojmë fillimin e punimeve të kësaj rruge, të kësaj arterie tepër të rëndësishme për vendin në 18 muaj."
Pyetjes nëse inagurimi i kësaj rruge bëhet për qëllime elektorale, Kryeministri Berisha këtë koment:
"Kjo rrugë nuk ka qene një premtim elektoral, sepse ne nuk e kemi patur të qartë se cila do të ishte performanca. Ju e dini që unë jam njeri i fjalës së mbajtur. Kjo rrugë u avancua shumë dhe avancimi i saj u bë i mundur nga funksionaliteti i mirë i qeverisë dhe lufta kundër korrupsionit. Gjithshtu, dua të theksoj se për asnjë rrugë tjetër nuk është punuar me më shumë përkushtim, sesa për këtë rrugë dhe për autostradën Durrës-Morinë. Me këtë do të shkojmë deri tek by- pass-i i Fierit dhe kemi të kontratuar dhe do të fillojmë punimet në autostradën Vlorë - Tiranë – Morinë në të gjithë gjatësinë e saj."