Dosja paraplegjike e Don Kishotit, dy sançove dhe Dylqinjës së Prokurorisë rrëzohet nga e vërteta
Gjykata e Lartë u ka dhënë dje një shuplakë dy sançopançove që kishte dërguar Dylqinja e Prokurorisë. Mbrojtja s’fshehu dot aventurën donkishoteske që kishte vendosur të ndërmerrte institucioni i akuzës, por, pas betejës me mullinjtë e erës, nuk do të vijë vetëm dështimi, por edhe turpi – për ata që e porositën hetimin, ashtu edhe për drejtuesen e institucionit që pati paturpërsinë ta vinte atë në zbatim, në kundërshtim me ligjin
Skandali i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka treguar një zell të tepruar politik më dosjen e hetimeve për rrugën Durrës - Kukës, është ndalur dje në Gjykatën e Lartë. Përpos zvarritjeve dhe zgjatjeve pa shkak të hetimeve për këtë dosje tej afateve ligjore, duke shpërfillur edhe vendime gjykatash, prokuroria tregua krejt anakronike dhe nga presioni i Don Kishotit, dy sançopançot e hetimit dhe Dylqinja e Prokurorisë u kandisën ta çonin dosjen për gjykim në Gjykatën e Lartë, ndaj Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha dhe ish -drejtorit juridik të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Andi Toma, pa i marrë ata më parë me statusin e të pandehurit.
Nxitimit të vonuar të Prokurorisë së Përgjithshme i ka dalë dje përpara Gjykata e Lartë, Kolegji i Bashkuar i së cilës i kryesuar nga gjyqtari Spiro Spiro, nuk ka lejuar “sançopançot” e prokurorisë, të kërkojnë fillimin e gjykimit, por ka vendosur shtyrjen e seancës së parë deri në 16 mars, datë kur Gjykata e Lartë do të shprehet, “pro” apo “kundër” kërkesës së Lulzim Bashës, Andi Tomës dhe avokatëve të tyre, për pushimin e kësaj çështje.
Hetimet për dosjen Durrës-Kukës, nisën në fillim të vitit 2007 nga Prokuroria e Përgjithshme. Fillimisht nën akuzë u vunë, ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtori juridik i këtij institucioni, Andi Toma dhe ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve, Lejla Saraçi, si edhe ish-Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe telekomunikacionit, Luzim Basha. Ndërsa hetimet për Telitn dhe Saraçin u mbyllën, vazhdon farsa e Prokurorisë së Përgjithshme për Bashën dhe Tomën.
Seanca
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha, ish-Ministri i Punëve Publike, Transporti dhe Telekomunikacionit, së bashku me avokatin e tij Zef Nikaj, si dhe ish-vartësi i tij në këtë ministri Andi Toma, i shoqëruar nga avokati i tij Genc Gjokutaj, mbërritën në Gjykatën e Lartë paraditen e djeshme në orën 10.00.
Në fillimin e seancës së djeshme, avokatët ishin të parët që i adresuan gjykatës kërkesat e tyre paraprake. Sipas kërkesave të avokatëve, aktet dhe mënyra e përcjelljes së tyre për gjykim nga ana e prokurorisë, nuk i lejojnë kësaj gjykate për ta shqyrtuar këtë dosje, e cila ëpr avokatët është jashtë kompetencës së Gjykatës së Lartë.
Hetimet për Durrës-Kukës, janë konsideruar në këtë fazë nga avokatët si një rast i paprecedent. Duke i konsideruar veprimet e prokurorisë si në kundërshtim me Kushtetutën, avokatët, kërkuan pushimin e çështjes për klientët e tyre.
Kërkesa e avokatëve, u pasua nga interesimi i Kolegjit të bashkuar të Gjykatës së Lartë, i cili kërkoi më shumë shpjegime lidhur me pretendimet e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, të shprehur respektivisht nga avokatët e tyre Zef Nikaj dhe Genci Gjokutaj.
Në shpjegimet e tyre prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme Arben Kraja dhe Artur Selman, që kanë edhe “barrën e provës” në këtë ballafaqim ligjor, nuk e fshehën faktin se gjatë këtyre hetimeve ata kanë shkelur ligjet dhe procedurën.
Pas pretendimeve të palëve, Gjykata e Lartë nuk lejoi prokurorët të lexojnë kërkesën për gjykim.
Sipas vendimit të djeshëm të Kolegjit të bashkuar të Gjykatës së lartë, ky proces pritet të marrë një vendim përfundimtar në datën 16 mars, kur kjo gjykatë do të shprehet nëse çështja Durrës- Kukës, do të hetohet e gjykohet, apo do të mbyllet.
Avokatët
Dy avokatët Zef Nikaj dhe Genci Gjokutaj, të cilët respektivisht përfaqësojnë interesat e Lulzim Bashës dhe Andi Tomës, kërkuan dje pushimin e çështjes për dosjen Durrës-Kukës.
Avokatët janë ndalur te vendimet e gjykatave të Shkalles së Pare dhe të Apelit, në bazë të të cilave, cilësohen ta paligjshme veprimet e prokurorisë pas skadimit të afatit zyrtar të hetimit, që ishte data 6 nëntor 2008.
“Prokuroria e ka futur procesin në një rrugë pa krye”, mësohet të ketë deklaruar gjatë seancës së djeshme Zef Nikaj, përfaqësues ligjor i ministrit Lulzim Basha.
Në argumentimin e tij, avokati Nikaj parashtroi para Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë të gjitha shkeljet ligjore dhe Kushtetuese të Prokurorisë ndaj klientit të tij për këtë çështje dhe kërkoi pushimin e saj.
Sipas avokatit Zef Nikaj, këto shkelje, kanë të bëjnë me procedurat hetimore të ndjekura nga organi i akuzës, që nga veprimet për thirrjen e Lulzim Bashës në Prokurori në një kohë që Gjykata e Tiranës kishte ndërprerë hetimet, deri te procedurat për njoftimin e akuzës dhe dërgimin e kërkesës për shqyrtimin gjyqësor të çështjes në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e Lartë nuk mund të shqyrtojë çështjen pasi klienti i mbrojtur nga unë Lulzim Basha nuk është i pandehur pasi nuk i është komunikuar asnjë akuzë deri në momentin kur çështja ka shkuar në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe më pas në atë të Apelit”, u shpreh avokati Zef Nikaj.
Sipas avokatit ekziston një vendim i formës së prerë i Gjykatës së Apelit i cili shpall të pavlefshme aktet e Prokurorisë së Përgjithshme për zgjatjen e afateve të hetimit (6 nëntor – 6 dhjetor). Sipas avokatit, po ky vendim shpall të paligjshëm dhe vënien nën akuzë të klientit të tij, për “shpërdorim detyre” për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e aksit Durrës- Kukës, veprim i cili u krye pas 6 nëntorit.
Sipas avokatit Zef Nikaj, “për rrjedhojë klienti i tij nuk mund të konsiderohet i pandehur, pasi nuk ka dijeni për fletëthirrjen si dhe aktet që janë bërë pas një date të palejuar nga gjykata”.
Sipas tij procesi nuk ka bazë ligjore për të nisur.
I njëjti ka qenë edhe qëndrimi i Genci Gjokutajt, avokatit të Andi Tomës.
Sipas Gjokutajt, organi i akuzës kishte shkelur ligjet dhe Kushtetutën e Republikës dhe për këtë shkak çështja duhet të pushohet.
Prokurorët
Përfaqësuesit e Prokurorisë së Përgjithshme, Arben Kraja dhe Artur Selmani, duke kundërshtuar kërkesat e mbrojtjes ligjore si të pabaza, kërkuan shqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Lartë.
Sipas prokurorëve personat e marrë nën hetim kishin refuzuar të paraqiteshin në Prokurori, ndaj ata ishin detyruar që një ditë përpara përfundimit të afateve t’i dërgojnë me postë Ministrit të Jashtëm Lulzim Basha një kopje të dosjes penale.
Përballë pretendimeve të prokurorëve, gjyqtarët e Kolegjit të bashkuar të Gjykatës së Lartë, mësohet se kanë ngulmuar të dinë më shumë për këto veprime që konkluduan të jenë kryer në kohë reale brenda një ditë.
Sipas shpjegimeve të vetë prokurorëve, që më së shumti të bindnin se ata kishin shkelur afatet dhe procedurat, mësohet se në datën 5 dhjetor të vitit që shkoi, duke shkelur zbatimin e një urdhri kategorik të sanksionuar në ligj, ata kishin “kopsitur” dosjen, e kishin postuar atë te të pandehurit dhe po brenda të njëjtës datë (5 dhjetor 2008), e kanë dërguar dosjen në Gjykatën e Lartë.
Por pas polemikës së parë me gjyqtarin Spiro Spiro ka ardhur edhe zbulimi i aventurës së Prokurorisë, e cila gjithçka e kishte vënë në shërbim të një anakronizmi, në mënyrë krejt donkishoteske e për arsye thellësisht personale. Pretendimet absurde të prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, Artur Selmani dhe Arben Kraja, se Lulzim Basha nuk është ankuar për afatet e hetimit, duke pretenduar se ngelen në fuqi veprimet hetimore të akuzës, tingëlluan absurde edhe për trupin gjykues, ndërsa është fakt tashmë se dy vendime të Gjykatës së Shkallës së parë dhe të Apelit të Tiranës, kishin urdhëruar ndërprerjen e hetimeve pas datës 6 nëntor 2008. është fakt se e gjithë mbrojtja e institucionit të Dylqinjës së Prokurorisë ishte një fabul, një përrallë shumë më e largët e më pak e fisme sesa ato beteja që stiste Don Kishoti. Afërmendsh, ato janë beteja që nuk fitohen dot, por paraqitja e një dosjeje të tillë paraplegjike, e paaftë të qendrojë në këmbë e të mbrohet prej ndokujt, do të sjellë jo vetëm dështimin, por edhe turpin e atyre që e inskenuan, e urdhëruan dhe në fund edhe e sançopançove – që fali Zot se s’dinë ç’bëjnë – të cilët u kandisën ta vënë në zbatim.
Pretendimet e prokurorëve janë hedhur poshtë nga gjyqtari Spiro Spiro, i cili mes debateve me përfaqësuesit e akuzës për datat kur ishte njohur ish-ministri i Transporteve me aktet Lulzim Basha, kujtoi se atij (Bashës) nuk i ishte lënë kohë për t’u njohur me materialet, pasi sipas dokumentacionit, në të njëjtën ditë që dosja i është dërguar ish-ministrit me postë, i është dërguar edhe gjykatës.
”Justifikimi” i Prokurorit Arben Kraja, sipas të cilit “ditën që dërguam dosjen në Ministrinë e Jashtme me postë, dy punonjës të kësaj Ministrie i sollën materialet në derën e prokurorisë, mbrëmjen e të njëjtës ditë”, nuk kaloi pa një ilaritet nga anëtarët e Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë.
Në vijim të pretendimeve të tyre, prokurorët Kraja dhe Sulejmani, pohuan se të gjitha veprimet brenda ligjit dhe prandaj kjo çështje duhet të vijojë të gjykohet.
Basha: Nuk merrem me fabulat e Prokurorisë, pres vendimin e Gjykatës së Lartë”
Ish-ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, aktualisht Ministër i Jashtëm, Lulzim Basha, hodhi poshtë akuzat për shpërdorim detyre lidhur me rrugën Durrës- Kukës, akuzë e ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Përgjithshme. “Nuk merrem me fabula të prokurorisë. Këtu jemi në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë”, u shpreh Basha, në përfundim të seancës së djeshme gjyqësore. “Bëmë parashtrimet tona për sa i përket parregullsive, shkeljeve ligjore dhe kushtetuese të prokurorisë në këtë proces. Presim vendimin e gjykatës” tha Basha.
Kronologjia
18 nëntor 2008 – Gjyqtari Sokol Tona i Gjykatës së Shkallës së Parë e Tiranës, vendos se rishtyrja e hetimeve të Prokurorisë së Përgjithshme për dosjen “Durrës – Kukës” pas datës 6 nëntor 2008 është e pavlefshme.
24 nëntor 2008 – Prokuroi Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, i dërgon fletëthirrjen Ministrit Lulzim Bashës, për ta pyetur si të pandehur për dosjen “Durrës – Kukës, kundër vendimit të gjykatës të datës 18 nëntor 2008.
26 nëntor 2008 – Avokati i Ministrit Lulzim Basha, Zef Nikaj depoziton në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës një ankesë kundër fletëthirrjes së prokurorisë, për marrjen si të pandehur të klientit të tij, kundër vendimit të gjykatës.
27 nëntor 2008 – Ministri i Jashtëm Lulzim Basha refuzon dhe nuk paraqitet në prokuroi, duke e cilësuar flet-thirrjen ndaj tij si ta papajtueshëm me vendimin e gjykatës së Shkallës së Parë ët Tiranës të 18 nëntor 2008.
05 dhjetor 2008 – Prokurori Arben Kraja, i Prokurorisë së Përgjithshme, dërgon në Gjykatën e Lartë dosjen në ngarkim të Ministrit Lulzim Basha, ndërsa avokati Zef Nikaj, kishte refuzuar nënshkrimin e mbylljes së hetimit.
11 dhjetor 2008 – Gjyqtari Altin Abdiu i Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, rrëzoi kërkesën e prokurorit Arben Kraja, për përjashtimin e gjyqtares Fatmira Hajdari nga gjykimi i ankesë së mbrojtjes së Ministri Lulzim Basha.
15 dhjetor 2008 – Gjyqtarja Fatmira Hajdari e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, vendosi pranimin e kërkesës së mbrojtjes së Ministrit Lulzim Basha, duke e quajtur të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë.
02 shkurt 2009 – Gjyqtari Pajtim Hoxha i Gjykatës së Apelit të Tiranës, vendosi refuzimin e kërkesë së Prokurorisë së Përgjithshme, duke lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që e quante të jashtëligjshme fletëthirrjen e prokurorisë.
27 shkurt 2009 – Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga Spiro Spiro, shtyn fillimin e gjykimit ndaj Ministrit Lulzim Basha dhe Andi Tomës, pas kërkesës së tyre për pushimin e gjykimit të çështjes.
...