E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraguai në çerekfinale

Paraguai është kualifikuar në çerekfinale të Kampionatit botëror. Këtë sukses paraguaianët e arritën me fitore ndaj Japoninë, pas ekzekutim të penalltive (5:3), pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan baras 0:0.

Me këtë fitore, përfaqësuesja e Paraguait ka hyrë në histori, pasi do të luajë për herë të parë në çerekfinale të një kampionati botëror.

Paraguai e ka nisur mirë takimin ku ka pasur një dominim të letë në fushë. Të parët që patën rastin të shënojnë ishin futbollistët paraguaianë, nëpërmjet Barrios, në minutën e 20-të, por goditjen e tij e ndali portieri japonez, Kawashima.

Vetëm pas dy minutave, Daisuke Matsui rrezikoi seriozisht portierin e Paraguait, kur goditja e tij nga 25 metra përfundoi në transversale.

Në minutën e 28-të, sulmuesi Santa Cruz ka mundur shumë lehtë që ta kalojë Paraguain në avantazh, mirëpo goditja e tij nga afërsia përfundoi pranë portës së japonezëve.

Edhe në pjesën e dytë, futbollistët paraguaianë dominuan në fushë, mirëpo assesi nuk arritën ta gjejnë rrugën deri te goli. Në minutën e 58-të, amerikanojugorët patën mundësi të shënonin, mirëpo goditja me kokë e Riveros u ndal nga portieri Kawashima.

Ndërsa futbollistët japonezë herë pas here tentonin që të rrezikojnë portën e Paraguait me kundërsulme, por pa sukses.

Koha e rregullt e kësaj përballjeje përfundoi me rezultat të barabartë 0:0, derisa edhe pas zhvillimit të vazhdimeve 2x15, rezultati mbeti i pandryshuar.

Pas vazhdimeve, u ekzekutuan penalltitë, ku më të saktë ishin futbollistët e përfaqësueses së Paraguait (5:3).

Kjo është hera e parë që në këtë kampionat, fituesi i ndeshjes përcaktohet pas ekzekutimit të penalltive.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›