SHISH kërkon shtesë buxheti për përgjimet dhe zbulimin

Shefi i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, ka raportuar dje përballë 15 anëtarëve të Komisionit të Sigurisë për aktivitetin e shërbimit të inteligjencës shqiptare. Mbledhja me dyer të mbyllura ka zgjatur 2 orë e 47 minuta dhe komentohet nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë si një e drejtë kushtetuese që institucione si prokuroria apo si Shërbimi Informativ Shtetëror të japin raporte vjetore në Kuvend, me qëllim mbikëqyrjen e punës së tyre. Shërbimet sekrete kanë dhënë dje provimin vjetor përballë ligjvënësve shqiptarë dhe duket se e kanë kaluar shumë mirë klasën, pasi shumica e Komisionit të Sigurisë e ka vlerësuar punën e SHISH-it.
RaportiKomisioni i Sigurisë është informuar dje nga shefi i inteligjencës shqiptare, Bahri Shaqiri, i cili ka dhënë një raport mbikëqyrës për punën njëvjeçare të institucionit që ai drejton.
Burime konfidenciale pohojnë se në këtë raport janë përfshirë çështje si krijimi i resurseve financiare, në mënyrë që SHISH të kryejë misionin e tij, mënyra sesi është përdorur buxheti për vitin e kaluar dhe realizimi i të ardhurave. Kryesisht, një pjesë të mirë të buxhetit të vitit të kaluar SHISH e ka shpenzuar për blerjen e makinave të reja, ndërtimin e një palestre pranë godinës qendrore të SHISH-it dhe sistemin e ri që shërbimet sekrete po përdorin mbi përgjimin e personave të caktuar. Raporti i dorëzuar në Kuvend është cilësuar si informacion i kualifikuar dhe për këtë arsye është shmangur shumëfishimi në disa kopje i tij. Burime konfidenciale bëjnë me dije se në raportimin që zgjati më shumë se dy orë e gjysmë, është kërkuar llogari nga anëtarët e komisionit për emërimet në strukturat e SHISH-it dhe rritja në mënyrë të papritur me grada të disa punonjësve të SHISH-it gjatë kohës kur në komisionet parlamentare diskutohej projektligji i ri për Shërbimin Informativ Shtetëror. Institucioni i inteligjencës shqiptare ka paraqitur dje edhe kërkesën për shtimin e buxhetit, duke filluar nga vjeshta e këtij viti. Një ndër arsyet pse drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror ka kërkuar rritje të buxhetit vjetor, është ngritja e strukturave të reja të zbulimit për operimin e SHISH-it jashtë kufijve të Shqipërisë. Mazhoranca dhe opozita janë bashkuar duke ndarë të njëjtat pikëpamje për sa i përket aktivitetit të Shërbimit Informativ Shtetëror, por janë ndarë në aspektin e burimeve financiare me të cilin ky institucion duhet të kryejë misionin e tij. Mazhoranca i ka kërkuar SHISH-it “të shtrëngojë rripin”, ndërkohë që opozita e cilëson si shqetësim serioz mosfinancimin e misioneve të shërbimit inteligjent, që sipas tyre reflektohet edhe në sigurinë kombëtare dhe në eficencën e punës. Mungesa e theksuar e fondeve për operacionet, për një teknologji më të avancuar, për trajtimin e inspektorëve dhe të agjentëve të SHISH-it, trajtimin e tyre dhe të pagave kanë pasur ndikim sipas opozitarëve në efikasitetin e punës. Ndonëse seanca dëgjimore në Komisionin e Sigurisë ka përfunduar në orën 12:47, shefi i inteligjencës shqiptare ka zgjatur qëndrimin e tij në Kuvend me disa prej anëtarëve të Komisionit të Sigurisë. Në këtë mënyrë, drejtori i SHISH-it shmangu edhe kontaktet direkte me median. I vetmi që ka folur pas mbledhjes së Komisionit të Sigurisë ishte deputeti socialist, Pirro Lutaj. “Sot Komisioni i Sigurisë kishte të ftuar kreun e SHISH-it. Deputetët i bënë pyetje dhe morën përgjigje. Problemi kryesor që ka Shërbimi Informativ është mungesa e buxhetit për realizimin e misionit”, u shpreh anëtari i Komisionit të Sigurisë, Pirro Lutaj. Shërbimi Informativ Shtetëror kërkoi në fillim të këtij viti, gjatë ndarjes së zërave në buxhet edhe në komisionin parlamentar, ku opozita mungonte në atë kohë, shtesë në buxhetin e tij. Asokohe, Komisioni i Sigurisë dha një pjesë të kërkesave, por nuk i përmbushi të gjitha ato.