E Diel, 1 Nëntor 2026

Koalicion për Veriun

Grupi Ndërkombëtar Drejtues (ISG) të hënën, në mbledhjen e radhës që u zhvillua në Vjenë, ka vendosur kornizën e ardhshme të punës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar dhe të institucioneve kosovare.

Në një deklaratë për media, të lëshuar pas mbledhjes, thuhet se ISG’ja konstaton se fokusi i punës së Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar në Kosovë (ICR), Pieter Feith, duhet të lëvizë drejt prioriteteve të tjera. Njëherësh ISG’ja kërkon nga institucionet e Prishtinës që urgjentisht të bëjnë përparime në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Siç kërkohet nga Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin (PGJS), ISG’ja ka bërë shqyrtimin e plotë të kompetencave të ICR’së në bazë të shqyrtimit të progresit të bërë kundrejt PGJS’së. Ajo ka ardhur në përfundim se fokusi i ICR’së duhet të lëvizë gjithnjë e më tepër nga përkrahja e krijimit të kornizës institucionale të Kosovës drejt mbikëqyrjes së zbatimit. Kompetencat e ICR’së mbesin pjesë e rëndësishme e kësaj mbikëqyrjeje. Sa i përket çështjeve organizative, ISG’ja ka miratuar planin e ICO’së për fillimin e ribalancimit të strukturave të brendshme”, thuhet në Pikën Shtatë të Deklaratës së ISG’së.

Të hënën, para anëtarëve të ISG’së kanë folur edhe Pieter Feith dhe Hashim Thaçi.
Takimi është zhvilluar në dy sesione: në njërin prej sesioneve kanë diskutuar përfaqësuesit e shteteve anëtare që e përbëjnë Grupin Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën, ndërsa në sesionin tjetër Shefi i Ekzekutivit të Kosovës, Hashim Thaçi ka prezantuar zhvillimet aktuale në vend.

Në deklaratën e ISG’së thuhet se ky trup përshëndet zotimet e institucioneve të Kosovës për të bërë hapa të rëndësishme në zbatimin e Planit të Martti Ahtisaarit, mirëpo konstaton se në këtë drejtim duhet të bëhet punë më e madhe.

“ISG’ja përshëndet përparimin e madh të bërë në zbatimin e PGJS’së gjatë dy viteve të fundit në detyrat jetike për ndërtimin e institucioneve dhe Kosovës shumetnike dhe demokratike. Edhe pse tashmë janë themeluar bazat solide, ka disa çështje të mbetura që duhet të trajtohen për të siguruar zbatimin e plotë dhe me kohë të PGJS’së”.

Sfidë kryesore, sipas ISG’së, mbetet integrimi i komunitetit serb në institucionet vendore.

“ISG’ja mbështet plotësisht domosdoshmërinë e përforcimit të përpjekjeve për Veriun e Kosovës duke marrë parasysh rekomandimet e ICO’së, të cilat do të zhvillohen më tutje në konsultim me palët përkatëse të interesit”, thuhet në deklaratën e ISG’së.

“ISG’ja u bën thirrje të gjitha palëve, duke përfshirë edhe Republikën e Serbisë, që të luajnë rol konstruktiv në këtë proces jetik, për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës. Ajo e mirëpret synimin e Qeverisë së Kosovës për të ofruar financime për projektet që synojnë integrimin e qytetarëve të komunitetit serb të Kosovës si dhe përpjekjet e Bashkimit Evropian në veri të Kosovës”, vazhdon deklarata.

ISG’ja konstaton se integriteti territorial i Kosovës është i lidhur ngushtë me stabilitetin rajonal. Në këtë kontekst, ISG’ja i bën thirrje Republikës së Serbisë, Republikës së Kosovës dhe shteteve fqinje të angazhohen në dialogun pragmatik për çështjet e përbashkëta, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen konstruktive në forumet rajonale.

Grupi Ndërkombëtar Drejtues thotë se institucionet e Prishtinës duhet të bëjnë veprime urgjente me qëllim të vendosjes së ligjshmërisë në tërë territorin e Kosovës.

“ISG’ja beson se Kosova duhet të bëjë përparim urgjent në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, në përmirësimin e kapacitetit administrativ dhe instalimin e Sundimit të Ligjit, duke përfshirë edhe në Veriun e Kosovës. Përparimi i madh në çështjet e qeverisjes do të jetë jetik për të siguruar se Raporti i ardhshëm i Progresit i Komisionit Europian do të dërgojë sinjal pozitiv për avancimet e Kosovës drejt Perspektivës së saj Europiane, të cilën e pret populli i Kosovës. ISG’ja bën thirrje për bashkëpunim të ngushtë të vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë dhe EULEX’it”, thuhet në deklaratë.

ISG’ja, po ashtu, përshëndet zhvillimin e zgjedhjeve komunale në Kosovë, duke e cilësuar si inkurajuese pjesëmarrjen e komunitetit serb në këtë proces.

“Udhëheqësia e freskët komunale, e vendosur në komunat e reja është avancim i rëndësishëm drejt realizimit të vizionit të PGJS’së për decentralizimin dhe krijimin e ndjenjës së pronësisë lokale në shoqërinë shumetnike. ISG’ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës për zbatimin e plotë dhe të shpejtë të decentralizimit dhe për dhënien e përkrahjes politike dhe financiare për komunat e reja. ISG’ja parasheh krijimin e dy komunave të reja sapo të përfundojnë përgatitjet e nevojshme”, thuhet në deklaratën e ISG’së.

Kërkon mbështetje për Strategjinë

Kryeministri Hashim Thaçi në Vjenë ka thënë se Qeveria e Kosovës është e vendosur që në Veri të vendit të vendoset rendi dhe ligji.

“Ne jemi treguar të përmbajtur dhe do të vazhdojmë të kujdesshëm në veprimet tona, por përfundimisht jemi të vendosur për rendin dhe ligjin në Veri të Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Plani gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

“Ky plan është në interes të qytetarëve në Veri sepse me të krijohet Komuna e Mitrovicës Veriore, e cila do të jetë në shërbim të të gjithëve”, ka theksuar kreu i Qeverise kosovare.

Sipas tij, banorët në Veri do të votojnë për udhëheqësit e tyre legjitim dhe ai udhëheqës nuk do t’i shikojë interesat e ngushta personale, sepse do të jetë i kushtëzuar me ligj dhe nga qytetarët, për të punuar për ta.

“E kërkoj mbështetjen tuaj të plotë për këtë plan, mbështetjen e EULEX’it dhe bashkësisë ndërkombëtare, për integritetin territorial të Shtetit të Kosovës dhe përmirësimin e kushteve të jetës së qytetarëve në Veri. Modeli i komunave të reja dhe i Shtërpcës do të funksionojë në Veri dhe për Leposaviqin, Zveçanin, dhe Zubin Potokun; do të këtë institucione legjitime dhe demokratike, shërbyes civilë dhe zhvillim, qeverisje të mirë dhe luftë kundër dukurive negative”, ka thënë Thaçi.

Në fjalën e tij, Kryeministri ka folur edhe rreth procesit të njohjes ndërkombëtare të Kosovës.

“Njohjet e pavarësisë po vazhdojnë, por me një ritëm të ngadalshëm përkundër përpjekjeve tona për të lobuar për njohje sa më të shumta. Ndoshta, opinioni në pritje nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të sjellë një fazë të re”, ka thënë Thaçi.

“Pa dashur ta politizoj këtë proces, Kosova pret që ky opinion të jetë në përputhje me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur. Më këtë rast, dua të ju falënderoj edhe ju, të nderuar përfaqësues, sepse shtetet që ju përfaqësoni po bëjnë shumë për njohjen dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës”, ka shtuar ai.
Thaçi ka folur edhe rreth ndërhyrjeve të Elektroekonomisë së Serbisë në Veri të Kosovës.

“Fatkeqësisht, për momentin kemi jostabilitet në çështjen e rrymës në Veri dhe ka ndodhur një vjedhje e pronësisë së Kosovës në nënstacionin Valaç”, ka thënë ai.
“Unë e kërkoj mbështetjen tuaj në këtë problem, duke besuar se zgjidhjet që nuk janë në përputhje me qëndrimin e Qeverisë do të krijojnë situatë të paqëndrueshme”, shtoi Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›