E Diel, 1 Nëntor 2026

Paralele të pakëndshme mes një banke evropiane dhe ekonomisë shqiptare

Share

Nga Endrit Avdullari*

Pas një mbledhje bordi që zgjati 14 orë banka Franko-Belge Dexia, në buzë të falimentimit, i kërkoi qeverive përkatëse ndihmë këtë javë. Lajmi kaloi pa shumë bujë në Shqipëri. Megjithëse disa banka të vendit kanë patur depozitat e tyre tek Dexia, në vitin 2008 kur ajo qe sërish në prag të falimentimit, ato u tërhoqën atëherë dhe ndaj ky lajm në pamje të parë nuk përbën ndonjë interes të veçantë për Tiranën. Në fakt ky lajm përbën një mësim të mirë.

Një nga arsyet kryesore pse Dexia u zhyt dy herë në kaq pak kohë është sepse drejtuesit e saj bënë një nga gabimet bazë të ekonomisë, financuan kërkesat e tyre afatgjata për fonde, me borxhe afatshkurtra. Nëse gjithçkan ecën me të njëjtin ritëm nuk ndodh asgjë e keqe, problemet lindin kur tregjet nisin të kenë mungesë likuiditeti dhe është e pamundur të marrësh hua në kohë të shkurtër. Ajo shtrenjtohet krejt papritur dhe sa më shumë të kesh nevojë për hua aq më pak ke mundësi t`a marrësh atë sepse askush s`ka më besim tek ty. Pikërisht kjo po ndodh në Greqi, Itali etj. Kjo është arsyeja pse të dyja herët Dexia u rrëzua tamam atëherë kur tregjet u ngushtuan.

Buxheti i qeverisë shqiptare është i bazuar mbi të njëjtin model ekonomik. Sipas Bankës së Shqipërise, nga 407 e ca miliardë lekë që merr borxh Shqipëria, mbi 231 miliardë merren me afat 1 vjeçar apo më të ulët, ndërkohë që të gjitha projektet madhore si “Rruga e Kombit”, Autostrada Tiranë-Elbasan etj. kanë të gjitha afat pa dyshim shumë më të gjatë. Nëse ne do na prekë kriza në çfarëdo momenti rezervat tona nuk do mjaftonin për të mbuluar as gjysmën e kreditorëve!

Kriza ekonomike nisi në vitin 2008 dhe pas tre vjetësh, atë e kemi më afër se kurrë. Evropa dhe SHBA kanë ende disa rezerva për t`a përballuar, dhe pse jo për shumë kohë. Shqipëria nëse do ishte prekur nga kjo krizë do kishte falimentuar që në 2009-ën. Borxhi i jashtëm po arrin 60% të prodhimit të brendshëm dhe ka pak hapësira për t`u rritur më tej në rast urgjencash si p.sh. për të shpëtuar ndonjë bankë nga falimentimi. Fati ynë i artë që bankat tona janë më të përgjegjshme se qeveria.

Është thelbësore që projektet afatgjata të financohen me kredi afatgjata. Studentët e fakultetit ekonomik e mësojnë këtë që në muajin e parë të universitetit por shpesh kur ngjitesh në karrierë i harron leksionet bazë të shkollës. Kur këtë gabim e bën një bankier i lartë falimenton një bankë, kur e bën guvernatori i një banke qëndrore apo një ministër financash falimenton një shtet. Unë uroj pa dyshim që Shqipërinë mos t`a prekë kriza kurrë por gjasat që kjo të mos ndodhë kur patnerët tanë kryesorë ekonomikë janë zhytur në krizë deri në fyt, janë të pakta ndaj mbase do ishte mirë të fillonim të mendojmë se ku do shkojmë me not kur kriza të na prekë. Unë nuk ju sugjeroj Belgjikën.

*MSc në Manaxhim Ndërkombëtar dhe Financë, Londër, MB.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›