E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpjegim për dashurinë mes PD dhe Dritëroit

Preç Zogaj

Këtë vit,  në 80-vjetorin e ditëlindjes shkrimtari  i shquar Dritëro Agolli mori urime  publike edhe nga zyrtarët e  lartë të qeverisë dhe Partisë Demokratike. Të cilët e selitën me tufa lulesh, me urime,  madje edhe me deklarata  të tipit të Zylos  për veprën e tij.

Nuk më kujtohet  që  Dritëro, një guru i  së majtës  socialiste  përsa  i përket  botwkuptimit dhe angazhimit politik, të  jetë uruar  me kaq  gëzim dhe respekt  pesë vjet më parë apo dhjetë vjet më parë  nga fasha blu e politikës sonë.  Ruaj përshtypjen se në  përgjithësi  këtij shkrimtari  i kanë munguar gjeste të tilla njerëzore  nga ana e kundërshtarëve politikë. Edhe pse jeta dhe vepra e tij kanë qenë plot me akte antikonformizmi dhe me gjeste që sfidojnë sjelljet e ngurta.

Personalisht, nuk mund ta harroj  se në  vjeshtën e vitit 1991 mora qortime  të rënda  në kryesinë e PD-së, ngaqë  si Ministër  i Kulturës  në qeverinë e Stabilitetit kisha organizuar  kremtimin zyrtar të  gjashtëdhjetë vjetorit të poetit. Ishin kohë të turbullta, që u pasuan jo me  kthjellimin që prisnim në lidhje me  qasjen e re të demokracisë ndaj vlerave, por me  një rikthim të përmbysur të kriterit politik, si kriter bazë  në qëndrimin ndaj intelekualëve dhe krijimtarisë së tyre.  Si shkrimtar dhe mendimtar i angazhuar në PS, Dritëro Agolli   i ka paguar haraçin  këtij kriteri të pakuptimtë në shoqërinë e hapur.  Jo gjëra të mëdha nga ato që ndodhin  në regjimet diktatoriale, por le të themi  fyerje, ftohtësi, indiferencë  dhe  mungesë nderimi nga  pala kundërshtare.

Derisa erdhi tetëdhjetë vjetori i tij, kur  qeverinë e zbardhi dita me lule dhe urime  të ngrohta për të- një kthesë njëqind e tetëdhjetë gradë në krahasim me sjelljen e saj  të mëparshme. Mos vallë  me 13 tetor 2011 mori fund periudha e  përdorimit të kriterit politik  partiak  në sjelljen ndaj  njerëve të kulturës  dhe shkencës?  Mos vallë  kryeministri, ministri  i Kulturës dhe kryEbashkiaku i së djathtës u  kthyen ashtu, të penduar  dhe të mallengjyer nga  Dritëroi,  ngaqë është plakur  dhe nuk  merret më me politikë aktive?  Sa mirë do të ishte!

Sa mirë do të ishte ti shihnim ministrat e rinj të së djathtës  sot apo të së majtës nesër duke u përkulur me  nderim  para  intelektualëve dhe krijuesve të shquar, që nuk i kanë me vete politikisht në kuptimin  e partizan të fjalës, por  i njohim dhe i respektojnë si  asete të  kulturës kombëtare.

Do të ishte mirë vërtetë, por duhet të presim akoma. Për nj렠 rastësi të trishtuar lulet dhe urimet e Berishës, Bashës apo  Bumçit  i shkuan   Dritëroit pas urimit të famshëm që ky  i ka bërë Lulëzim Bashës në detyrën e tij të re të kryebashkiakut të Tiranës. Kemi arsye të besojmë se  është ky urim  dhe jo ndonjë arsye tjetër kulturore  dhe botkuptimore shkaku i kthesës  që morën qeveritarët.  Po të mos kishte  bërë  urimin,  që paradoksalisht, i dha më shumë  venerim se vepra e tij në aulat  qeveritare, ka gjasa që Dritëroi, si gjithnjë,  do ta kishte kaluar ditëlindjen vetëm më miqtë e tij dhe me Partinë Socialiste.

Unë nuk e di dhe as kam ndonjë interes ta di kontekstin e atij urimi. Në kushtet e zgjedhjeve normale do ta kisha konsideruar një urim më se të natyrshëm. Panatyrshëmëria  e tij ka patur  lidhje me farsën e njohur të  zgjedhjeve   në Tiranë.  Dritëroi, në fakt, e ka bërë para se të dilte raporti i ODHIR-it që delegjitimoi plotësisht fitoren  me procedurë të Bashës.  Por edhe sikur ta kishte bër렠 pas daljes së atij raporti, sërish  do ta konsideronim një gjest sovran  dhe të padëmshëm të shkrimtarit,  që  është tërhequr si Leon Tolstoj në  vetminë e muzgut të  moshës , që  jeton me ëndrrën e tij të paqes kombëtare dhe universale, që ka një huq  plaku në fund të fundit, nese nuk i merren parasysh të tjerat.

Në fakt  anomalia apo  meskiniteti në  këtë histori  nuk është e nuk mund të jetë urimi në vetvete, por mënyra  vulgare, aspak korrekte dhe  aspak  elegante si e ka  trajtuar e përdorur pala e uruar. Që në fillim pala e uruar e mediatizoi shumë, si ujët e pakët, duke tradhëtuar vetminë e  saj dhe ndoshta edhe diskrecionin e dërguesit.  Mirë që e tepruan herën e parë, meqenëse kishin nevojë për një fjalë të mirë që ta dëgjonte mbarë publiku, por  edhe herën e dytë dolën nga shinat e finesës. Si nuk menduan  pak se po e fyenin shkrimtarin e vjetër duke vrapuar me  lule e kamera drejt tij vetëm se ai kishte shqiptuar një urim?

Edhe po ta kishin të sinqertë nderimin, edhe po ta kishin nga mirënjohja,  pa prapavijë politike, thjesht  sepse në mes ishte ai urim  dhe thjesht sepse Dritëroi  është  bojkotuar  në evente të tilla në të kaluarën, duhej të  ishin më  diskretë, më zotërinj,  duke evituar skenat dhe gjestet e tipit propagandistik. Sepse, duam sduam,  në kontekstin e shpjeguar, gjeste të tillë  lenë përshtypjen sikur  në nomenklaturën zyrtare të vlerave  një furçë  është më shumë se vepra, sikur konformizmi është gjithçka, ndërsa vepra asgjë, sikur një  lajkë  të nxjerr nga pusi, kurse për veprën nuk pyet njeri.

Kriteri përcaktues i  nderimit është  sërish politik, duke keqkuptuar  mirësjelljen e shkrimtarit apo një lajthitje të tij. Në fakt kemi të bëjmë me ato qokat që e turpërojnë urtësinë edhe kur duan ta  nderojnë.

E shoh Agollin  me sytë e mendjes tek qëndron i  menduar në mes të  kësaj parodie. Ata që vinë ta urojnë vetëm për shkak të një urimi e  gëzojnë por edhe e lëndojnë  pa të keq. Ndoshta edhe e  ironizojnë pa të keq: ja kaq do ky!  Nuk e dinë të gjithë, siç e di Berisha, se  përsa i përket  zgjedhjes  politike  Agolli është një  prej  atyre që kanë  një top, të cilin nuk e hedhin  kurrë në vendin e gabuar. Prandaj nuk  është aq entuziast e nukdelzbuluar  si delfinët e tij  politikë zoti Berisha. Ndërkaq, vetë Dritëroi, ndërsa nuk ka asnjë  problem ti lerë  të kënaqen  e të argëtohen me ditëlindjen e tij  delfinët e pushtetit, ka gati në nënqeshjen e tij tipike një ironi  akoma më të madhe për ta: ja si i bëra të spërdridhen vetëm me një urim. Kështu janë këta. Keq e paskan punën!

Loja e  ironive  në brendësi të  kësaj  historie mund të jetë e këndshme në vetvete. Por përtej saj, në një rrafsh me të gjerë,   nuk mund të mos shohim  e të mos shqetësohemi për  problematikën e rëndë që ka krijuar e vazhdon të krijojë  përdorimi i kriterit  apo interesit të ngushtë politik  e propagandistik  si kriter bazë në qëndrimin ndaj  intelektualëve. Për faktin se të mëdhenjtë kanë për të gjithë, pra për dashamirësit  dhe jodashamirësit, për miqtë dhe për armiqtë, kriteri politik  në vlerësimin e tyre është i tillë që  i ngre në qiell apo i zhyt në baltë sipas interesit dhe humoreve të çastit. Kriteri politik nuk ka vërtetësi.  Duket të bëjmë  përpjekje  për një hierarki  zyrtare të vlerave, që nuk është e thënë tu imponohet  gjithë individëve të lirë, por  mund të shërbejë si panteoni  përbashkues  i nderimit zyrtar e kombëtar. Suksesi  hap pas  hapi i kësaj  pëprjekjeje do të kishte veç të tjerash një efekt  jashtëzakonisht  pozitiv në kulturën e  lirisë: Lulet, telegramet, kremtimet, e tjerë e të tjerë, nuk do të ishin më  një investim i drejetërdrejtë apo i tërthortë  për promovimin e konformizmit,  të  kësaj plage të madhe  të inteligjencies shqiptare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›