E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parandalimi i bojkotit më 8 maj, PS kundër

28/04/2011  Shtyhet miratimi i prodhimit të vulave rezervë për çdo qendër votimi

Në rast se nuk arrihet kuorumi, çështja do të dërgohet në Kolegjin Zgjedhor

Opozita ka kundërshtuar dje propozimin për projektvendimin e KQZ-së për prodhimin e vulave rezervë për qendrat e votimit. Me pretendimin se një vendimmarrje e tillë delegjitimon procesin zgjedhor, Partia Socialiste dje nuk ka pranuar ta votojë nismën e KQZ për të parandaluar ndonjë bojkot të mundshëm të komisionerëve ditën e zgjedhjeve. Anëtarët socialist në KQZ i kanë kujtuar kreut të këtij komisioni se një vendimmarrje e tillë kërkon 5 vota dhe jo një shumicë të thjeshtë. Gjithashtu ata kanë kërcënuar se në rast miratimi të kësaj nisme do të bënin sërish ankimim në Kolegjin Zgjedhor. “Prodhimi i vulave në bazë të projektit që ju po ndërmerrni nuk ka bazë ligjore. Pra, ne kemi një proces të delegjetimuar dhe do të kemi një cenim të zgjedhjeve të 8 majit, duke mos bërë të mundur një garë të ndershme”, - u shpreh dje përfaqësuesi i përhershëm ligjor i PS-së Genc Gjonçaj. Por pretendimin e Gjonçajt e ka kundërshtuar kreu i KQZ-së Arben Ristani, i cili ka shpjeguar se kjo vendimmarrje është e bazuar në eksperiencat e kaluara zgjedhore, ku “KQZ-ja është gjendur para faktit të dëmtimit, humbjes së vulave të KQV-ve apo kryetarit të KQV-së, kryesisht si pasojë e largimit të komisionerëve nga detyra. KQZ-ja ka qenë e detyruar që brenda një kohe shumë të shkurtër të bëjë këto vula, në mënyrë që të sigurojë vazhdimin e procesit në qendrat e votimit”, - u shpreh Ristani. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i PD-së Njazi Kosovrasti i ka kërkuar KQZ-së që të parashikohet prodhimi i dy lloje vulash. “Gjysma për kryetarin dhe gjysma për sekretarin”, - propozoi Kosovrasti. Mendimi i këtij të fundit u përkrah dhe nga anëtarja e e KQZ-së Vera Shjefni, e cila i kujtoi Ristanit se vlefshmëria e fletës së votimit është e lidhur me nevojën e dy vulave të komisionit. Pavarësisht debatit, KQZ-ja nuk doli në një vendim për sa i përket prodhimit të vulave rezervë, gjë që pritet të merret në shqyrtim në mbledhjen e pasdites së sotme.

Sot fletët për Tiranën

Gjithashtu në mbledhjen e sotme KQZ-ja do të përcaktojë dhe 2 modelet e tjera të fletëve të votimit në Tiranë. Bëhet fjalë për modelet e fletëve të votimit për kryetarë dhe anëtarë të këshillit bashkiak të kryeqytetit. Pas miratimit të dy modeleve të para, të cilat u shoqëruan me kontestime nga Partia Socialiste sa i përket mungesës së germave nistore të partive aleate të koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” në fletën e votimit për kryetarë të bashkisë së Tiranës. Gjithashtu sa u përket fletëve të votimit po sot KQZ-ja do përcaktojë dhe sasinë e nevojshme të fletëve që do të përdoren më 8 maj. Në mbledhjen e djeshme KQZ-ja ka bërë dhe një ndryshim në vendimin e saj nr. 224 “Për përcaktimin e transmetimit të kohës falas në Radiotelevizionin Publik”. Bëhet fjalë për transmetimet falas në TVSH të reklamave në favor të katër partive të vogla joparlamentare, të cilat për mungesë dokumentacioni nuk ishin përfituese të transmetimeve falas të aktiviteteve të tyre elektorale.

Sasia e prodhimit

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve propozoi që numri i përgjithshëm i prodhimit të vulave rezervë të reduktohet në 20 për qind të totalit të 4880 qendrave të votimit. “Të prodhojmë vula rezervë, diku rreth 20 për qind, që do qëndrojnë në KQZ dhe kur evidentohen probleme, nxirren nga KQZ-ja me vendim të saj dhe të kontrollohen deri në përfundim të zëvendësimit”, - tha Ristani.

Pretendimi i PS-së

Përfaqësuesi i PS-së, Genc Gjonçaj, duke ironizuar propozimin e Ristanit për reduktim të sasisë së prodhimit të vulave, u shpreh dje në mbledhje të KQZ-së: “në rast se do ti prodhoni, unë propozoj që ti magazinoni te PD-ja dhe ti përdorni që atje. Prodhimi i vulkave në bazë të projektit që ju po ndërmerrni nuk ka bazë ligjore. Pra, ne kemi një proces të delegjetimuar dhe do të kemi një cenim të zgjedhjeve të 8 majit, duke mos bërë të mundur një garë të ndershme.”

Parandalimi

“Furnizimi me vula në rast largimi apo dëmtimi ka kosto kohore dhe financiare shumë të madhe. Për arsye të transportit të përdorur por dhe për të shmangur bllokimin e procesit të votimit në qendrat e votimit, ku mund të ndodhë fenomeni i mungesës së njërës prej dyja vulve, është menduar që të prodhohet paraprakisht vula rezervë për çdo qendër votimi”, - ka theksuar Ristani.

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë: KQV sjanë ngritur, afati ka mbaruar

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë 12 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve vendore tërheq vëmendjen për mosrealizimin në kohë dhe sipas kërkesave ligjore të disa elementeve thelbësore në garantimin e procesit zgjedhor, që kanë të bëjnë me administrimin e drejtpërdrejtë të procesit dhe votës së qytetarëve. Në raportin e publikuar dje, koalicioni konstaton me mjaft shqetësim mosngritjen ende të komisioneve të qendrave të votimit, ku afati i fundit për ngritjen e të cilave, në çdo rast, ishte data 18 prill. Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë nënvizon “se mungesa e kohës së mjaftueshme, jo vetëm për ngritjen e tyre, por sidomos për trajnimin e mirëfilltë të komisionerëve të qendrave të votimit mund të shkaktojë pasoja jo të vogla në procesin e votimit”. Për këtë koalicioni u kërkon partive politike “të plotësojnë urgjentisht dokumentacionin ligjor për ngritjen e komisioneve të qendrave të votimit, si dhe të ndikojnë pranë përfaqësuesve të tyre në komisionet zonale të administrimit zgjedhor (KZAZ) për përshpejtimin e këtij procesi”, - thuhet në raportin e tyre. Gjithashtu koalicioni u sugjeron partive politike që të emërtojnë si sekretar në KQV persona me arsim juridik, çka do të ishte një mundësi më shumë për një administrim më të plotë ligjor të procesit të votimit. Ndër të tjera koalicioni u bën thirrje partive politike parlamentare (PD, PS dhe LSI) që të marrin masat e nevojshme për ti paraqitur në kohë propozimet e tyre për ngritjen e grupeve të numërimit të votave, duke u kushtuar rëndësinë e duhur dhe lënë kohën e mjaftueshme për trajnimin e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›