E Diel, 1 Nëntor 2026

Ujësjellësi, linjë furnizimi më vete për Durrësin

28/04/2011  Projekti do të kushtojë 60 milionë dollarë, do të furnizohen 300 mijë banorë me dyfishin e sasisë

DURRES- Të gjitha variantet që do të shtonin sasinë e ujit të pijshëm në rubinetet e qytetarëve dhe të bizneseve në Durrës janë shtruar për zgjidhje. Bordi i shoqërisë së Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a në Durrës ka hedhur tashmë idenë se “shpëtimi” për zonën bregdetare do të mund të vijë vetëm me gjetjen e një alternative të re. Tubacioni 700 mm që nis në Fushë-Kuqe dhe përshkon shtrirjen në 65 km deri në Durrës shërben edhe për shumë komuna e bashki të qarkut të Durrësit e të Krujës. Drejtori i kësaj shoqërie, Doklead Ademi, ka pohuar se zgjidhja duhet kërkuar në një linjë paralele dhe që do të shërbejë vetëm për Durrësin.

Projekti

“Ujësjellës-Kanalizimet sh.a kanë disa projekte lidhur me përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe rrjetin e kanalizimeve”,-ka thënë Ademi. Një prej tyre ka të bëjë me shtrirjen e tubacionit të veçantë nga Fushë- Kuqe në depot e ujit në Durrës. Kjo do të përmirësojë sasinë e furnizimit me ujë në bazë të përllogaritjeve që kanë bërë specialistët. Sot Durrësi merr ujë jo më shumë se 400 l në sekondë, ndërsa projekti i ri do e dyfishojë këtë sasi duke e çuar në 800 l ujë. Kjo do të mundësojë shmangien e ndërhyrjeve të paligjshme dhe uljen në zero edhe të humbjeve në rrjet. Investimi fizik në sistem do të japë në një kohë të shpejtë rezultatet për të cilat shoqëria anonime e ujësjellësit ka parashikuar. Durrësi brenda në qytet ka shpërdorime të mëdha të ujit të pijshëm si brenda lagjeve edhe ne periferi. Lavazhet, kopshtet dhe vreshtat e pemëtoret rezultojnë të jenë ndër pikat shqetësuese pasi përdorin ujin e pijshëm. Ndërkohë, në bazë të investigimit në terren abuzimet me ujin janë të shfaqura edhe në qytet. Në fillim të viteve 2000 humbjet kapnin shifra të larta, duke shkuar në 73 për qind të sasisë së prodhuar në stacionin e pompimit të Fushë Kuqes. Investimet dhe ushtrimi kontrolleve në linjën kryesore dhe ato dytësore ka ulur ndjeshëm këtë shifër, por nuk ka zgjidhur etjen e qytetit bregdetar për ujë kryesisht në verë, kohë që konsumi i ujit disafishohet. “Kanë qenë disa variante për të gjetur një zgjidhje, e cila do të kërkojë fond të konsideruar dhe kohë”,-ka bërë të qartë Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve sh.a. Pasi specialistët janë shprehur për ndërtimin e një linje të re nga Fushë-Kuqe në Durrës është thënë se janë bërë edhe përllogaritjet. Zbatimi i projektit do të kushtojë afro 60 milionë dollarë dhe furnizimi do të plotësojë kërkesat e më shumë se 300 mijë banorëve. Banka Botërore, OPEC, KFW gjermane kanë dhënë fonde të konsideruara në përmirësimin e treguesve për ujin e pijshëm në Durrës. Drejtori Ademi ka pohuar se tubacionet e ujit janë shtrirë në të gjithë qytetit, edhe atje ku para viteve 2005 banorët furnizoheshin me bote apo udhëtonin me karroca. Uji sot shkon si në Plazh e Currila edhe në pikën skajore të Shkozetit, Kënetës dhe Porto Romanos. “Ajo që mbetet për të bërë është ndërhyrja në rrjet për të shtuar sasinë e ujit”,-ka pohuar Ademi. Drejtori i Ujësjellësit bëri të qartë se uji i pijshëm shkon çdo ditë në çdo shtëpi e biznes. Tani banorët e qytetit apo ata në Plazh, në periferi a në qendër kanë së paku një herë ujë në ditë. Ujësjellësi mendon se investimi i ri do të shtojë orarin me ujë në qytet e në të gjithë zonën turistike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›