E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraplegjikët lënë grevën në ditën e nëntë

Paraplegjikët dje, pas daljes nga greva

Para dhe tetraplegjikët janë dorëzuar dje pa arritur të marrin atë që kërkojnë. Në ditën e 9-të të grevës, përballë një heshtje thuajse të plotë nga institucionet qeveritare, forca fizike i ka lënë. Gjendja shëndetësore e tyre është rënduar ndjeshëm çka ka bërë të jetë e pamundur të përballojnë më tej ngujimin. Ata kanë dalë me një deklarate të përbashkët ku i bëjnë apel kryeministrit dhe qeverisë të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar. Unë i bej apel qeverisë, duke i thënë se ne jemi futur në grevë për të drejtat tona, që janë të drejta ekonomike.  Heshtja e tyre është një sfidë për ne.  I them kryeministrit se ne jemi futur në këtë grevë për ti thënë se jemi pjesë e këtij populli dhe duam të jemi të barabartë mes të barabartëve,  tha  kryetarja e shoqatës së paraplegjikëve, Mybere Prizreni. Ajo e cilësoi gjithashtu heshtjen e qeverisë  si një shuplakë të rëndë  për këtë kategori personash. Pjesa më e madhe e tyre u dërguan dje  në spital për të marrë ndihmën mjekësore.  Dy ditë më  parë, kur Kuvendi zhvillonte seancën parlamentare,  grevistët u shprehën të irrituar kur në asnjë debat të deputetëve nuk u përmend çështja e tyre.  Ata pritën ndonjë reagim të mundshëm edhe në mbledhjen e qeverisë, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Për grevën e paraplegjikëve reaguan gjatë këtyre ditëve organizata jo qeveritare. Dy ditë më parë  reagoi Këshillit Britanik dhe ambasadën angleze në vendin tonë, të cilët të shqetësuar  u kërkuan institucioneve të takohen urgjentisht me grevistët dhe të gjejnë rrugët e zgjidhjes. Ambasada Britanike dhe Këshilli Britanik në Shqipëri dëshirojnë të shprehin shqetësimin e tyre për grevën e urisë nga përfaqësuesit e komunitetit të personave me aftësi të kufizuara. Ne nxisim palët e përfshira që të angazhohen në dialog konstruktiv për të zgjidhur shqetësimet e tyre. Si hap i parë, ne inkurajojmë Këshillin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara të takohen urgjentisht për të diskutuar çështjen, thuhet në reagim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›