Paraqet dorëheqjen kreu i SHIU-t, Ylli Zyla

Ylli Zyla
Kreu i Shërbimit Informativ Ushtarak (SHIU), Ylli Zyla i ka paraqitur dorëheqjen e tij kryeministrit, Sali Berisha dhe ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami. Dorëheqja e tij vjen pas disa akuzave në shtyp, se bashkëshortja e tij është bashkëaksionere me disa tregtarë të licensuar për eksport armatimi në Shqipëri.
Zyla ka shpjeguar se dorëhiqet për të ruajtur integritetin dhe moralin, si dhe për të garantuar vijueshmërinë e institucionet që ai drejton.
SHIU është një agjenci e konsoliduar që vepron në fushën e mbrotjes si pjesë aktive e Forcave të Armatosura. Ka mbështetur dhe mbështet FA në misionet në kuadër të NATO, BE dhe OKB jashtë Shqipërisë, si në Irak, Afganistan, Çad dhe Kosovë.
SHIU është anëtar i bordit të inteligjencës së NATO dhe i Grupeve të Punës së Inteligjencës, Kundërinteligjencës dhe Sigurisë. Ai ka marrëdhënie të rregullta bashkëpunimi me të gjitha agjensitë informative të NATO si dhe marrëdhënie dypalëshe e shumëpalëshe me një numër të konsiderueshëm shërbimesh inteligjence në rajon e më gjerë.