Parashutisti rus dënon luftën e vendit të tij në Ukrainë: Ne thjesht po shkatërrojmë jetë paqësore!

Justifikimi i Kremlinit për pushtimin e Ukrainës “është një gënjeshtër”. Kjo deklaratë është bërë për CNN nga një parashutist rus, i cili dënoi publikisht luftën e vendit të tij në Ukrainë.
Dy javë më parë, Pavel Filatyev foli kundër konfliktit në një dëshmi prej 141 faqesh të postuar në faqen e tij në mediat sociale VKontakte. Më pas ai u largua nga Rusia. Ai i parë në shërbim i ushtrisë ruse, që kritikoi publikisht pushtimin e Ukrainës.
Ai thotë për CNN se kolegët e tij janë të lodhur, të uritur dhe të zhgënjyer dhe se lufta e Kremlinit po “shkatërron jetët paqësore”.
“Ne e kuptuam pse u tërhoqëm zvarrë në një konflikt serioz. Ne thjesht po shkatërrojmë qytete, nuk po çlirojmë askënd,” i tha Filatyev, Matthew Chance të CNN.
CNN nuk bën të ditur vendndodhjen e intervistës për sigurinë e të intervistuarit.
“Shumë e kuptuan. E gjitha kjo është një gënjeshtër,” tha ai. “Ne thjesht po shkatërrojmë jetë paqësore. Ky fakt ndikoi jashtëzakonisht shumë në moralin tonë.
Filatyev, tha për CNN se “korrupsioni” dhe represioni janë të përhapura në Rusi. Njësia e tij, e cila e kishte bazën në Krime, hyri në Kherson në fillim të konfliktit. Ajo ishte e pajisur keq. Sipas Filatyev, ushtarët dhe komandantët e tyre nuk e dinin se çfarë do të bënin në Ukrainë. Ai shton se ata shpejt u zhgënjyen me arsyetimin e qeverisë për pushtimin e Ukrainës.
Parashutisti shërbeu në regjimentin e 56-të të sulmit ajror të Rusisë dhe ishte i përfshirë në përpjekjet për të kapur qytetin e Mykolaiv. Ai u evakuua nga vijat e frontit për shkak të një lëndimi. Ai tha për CNN se ushtrisë ruse i mungonin pajisjet bazë, si dhe dronët dhe lloje të tjera avionësh pa pilot. “Kazermat tona janë në moshë rreth 100 vjeçare. Nuk janë në gjendje të presin të gjithë ushtarakët. Të gjitha armët tona janë të kohës së Afganistanit,” tha ai. “Disa ditë pasi rrethuam Khersonin, shumë prej nesh nuk kishin ushqim, ujë. Për shkak se natën ishte shumë ftohtë, ne nuk mund të flinim dot. Gjenim mbeturina, lecka, vetëm për t’u mbështjellë dhe për t’u ngrohur.
Kapja e Khersonit ishte një sukses i rëndësishëm ushtarak i Rusisë. Ukraina tani po lufton për të rifituar qytetin, pasi luftimet po zhvendosen gjithnjë e më shumë në jug të vendit. CCN
/rtsh.al/