Paratë e 26 mijë kreditorëve shqiptarë, Cenaj mban të fshehur dokumentacion
Mbeten të pakta shpresat për kthimin e parave të kreditorëve të kompanive piramidale, pasi dokumentet për shumat e depozituara në bankat e huaja nuk ekzistojnë. Të tilla janë gjasat për mjaft kreditorë të kompanisë piramidale “Cenaj & Co”. Ekstradimi i ish-bosit të kompanisë, Lefter Cenaj, mban ende të pazgjidhur dilemën e transferimit të një shume prej 2 milionë dollarësh, të investuara në kompanitë e sigurimeve në Luksemburg, të cilat operonin si kompanitë piramidale shqiptare. Pavarësisht mënyrë sesi janë investuar këto para, grupi mbikëqyrës i fajdeve nuk zotëron asnjë dokument zyrtar për tërheqjen e tyre, çka do të thotë që këto para konsiderohen të humbura. Lajmi është konfirmuar për gazetën “Korrieri” nga ish-zyrtarë të Grupit Mbikëqyrës të Fajdeve. Përveç shumave të transferuara në bankat greke dhe 11 milionë dollarë të transferuara në bankat zvicerane, ish-presidenti i kësaj kompania ka depozituar edhe 2 milionë dollarë në Luksemburg. Ndryshe nga skema e mëparshme që është ndjekur nga kjo kompani dhe 22 kompanitë e tjera piramidale, ku paratë që shkonin në bankat zvicerane investoheshin në bono thesari, kompania “Cenaj” ka ndjekur edhe një tjetër skemë. Të njëjtat burime kanë shpjeguar se këto 2 milionë dollarë që janë depozituar në një kompani sigurimi në Luksemburg, konsiderohen të humbura, pasi për shtimin e tyre veprohej pak a shumë në të njëjtën mënyrë si në firmat piramidale shqiptare. Pra, e thënë ndryshe, Lefter Cenaj i ka investuar këto para në vitin 1997 në kompaninë e Luksemburgut me kontratë 3-vjeçare për shtimin e tyre me 2 milionë dollarë në vit. Në vitin 1998, nga Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve për procesin e transparencës është kërkuar nëpërmjet këshilltares së tij, shtetases shqiptaro-greke Eleni Barbara, dokumentacioni për tërheqjen e 2 milionë dollarëve, por ky dokumentacioni nuk është vënë asnjëherë në dispozicion. Edhe sot e kësaj dite nga Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve nuk është marrë dokumentacioni i parave. Sakaq, shpresa mbetet në tërheqjen e shumave të tjera, të cilat janë depozituar në bankat greke dhe ato zvicerane, por për të cilat do të nisë hetimi i prokurorisë shqiptare, pas ekstradimit të tij në vendin tonë. 26 mijë është numri i kreditorëve, që sipas hetimeve kishte kompania “Cenaj & Co”, president i së cilës deri në vitin 1997 ishte Lefter Cenaj. Shuma e llogaritur nga hetuesit që Lefter Cenaj kishte grumbulluar nga qytetarët në arkën e kompanisë së tij ka qenë në vlerën e 54 milionë dollarëve. Sakaq, skema e zbardhur para 10 vitesh nga anglezët e “Price Waterhouse Coopers” mbi destinacionin e 200 milionë dollarë të të gjitha kompanive piramidale të depozituara në bankat zvicerane për tërheqjen e tyre, ka mbetur ende e parealizueshme. Thuhet me plot gojën e parealizueshme, pasi ende për kreditorët nuk ka asnjë rritje të koeficientit të shpërndarjes së parave. Pra, qeveria aktualisht po shpërndan paratë me të njëjtin koeficient, çka automatikisht tregon se nuk është mundur të rialokohet asnjë nga fondet e padokumentuar në balance. E vetmja rrugë që qeveria ka për rritjen e koeficienteve të parave të kreditorëve, është transferimi i fondeve (të ngrira në vitin 1998, pasi ishin investuar në asete) nga BKT në një bankë tjetër më një interes më të lartë. Pra, aktualisht Grupi Mbikëqyrës i Fajdeve nuk ka skemë konkrete si mund të tërhiqen këto para që gjenden në bankat zvicerane. E vetmja zgjidhje që ajo paraqet, është hapja e një tenderi për përzgjedhjen e një tjetër kompanie audituese. Nga mjaft ekspertë kjo zgjidhje shihet me skepticizëm, pasi sërish do të krijonte një punë të stërkryer edhe nga dy kompanitë e tjera audituese.
Kontrata e Cenajt me kompaninë e sigurimeve
Ndryshe nga skema e mëparshme që është ndjekur nga kjo kompani dhe 22 kompanitë e tjera piramidale, ku paratë që shkonin në bankat zvicerane investoheshin në bono thesari, kompania “Cenaj” ka ndjekur edhe një tjetër skemë. Të njëjtat burime kanë shpjeguar se këto 2 milionë dollarë që janë depozituar në një kompani sigurimi në Luksemburg, konsiderohen të humbura, pasi për shtimin e tyre veprohej pak a shumë në të njëjtën mënyrë si në firmat piramidale shqiptare. Pra, e thënë ndryshe, Lefter Cenaj i ka investuar këto para në vitin 1997 në kompaninë e Luksemburgut, me kontratë 3-vjeçare për shtimin e tyre me 2 milionë dollarë në vit.