Paratë e Botërorit
Në Afrikën e Jugut duhet që të nisin të prodhojnë monedha me fytyrën e Sven Goran Eriksson. Ai, në mënyrë të padiskutueshme, është personi që vazhdon të jetojë në një botë që nuk e njeh aspak krizën financiare. Të paktën këtë e tregon pagesa e jashtëzakonshme që merr: 1029 euro në orë, ose 25 mijë euro në ditë, pak më shumë se 760 mijë euro në muaj. Që nga 1 prilli i kaluar e deri në përfundim të kampionatit, Bregu i Fildishtë do t’i japë ish-trajnerit të Kombëtares britanike këtë shumë të jashtëzakonshme parash ose 2.3 milionë euro. Dhe të mendosh se Eriksson nuk duhet as të kishte vënë këmbë në këtë kampionat pas rezultateve të dobëta që ka pasur në të gjitha ndërmarrjet e fundit futbollistike. Ai i zuri vendin trajnerit të kombëtares së Bregut të Fildishtë, i cili u largua nga skuadra në mars dhe zyrtarët vendas e kanë zgjedhur atë si njeriun e duhur për të stërvitur skuadrën dhe kjo kur në këtë vend të varfër dhe konfliktual të Afrikës, pjesa dërmuese e popullsisë jetojnë me më pak se 1 dollar në ditë. Por Eriksson nuk është i vetmi që peshohet me ar në këtë finale të Botërorit. Në tërësi, futbollistëve dhe trajnerëve të cilët marrin pjesë në kampionat, po t’u bëhen bashkë “kuletat”, del një shumë prej 5.6 miliardë eurosh. Në këtë shumë, ato që të bien më shumë në sy janë rrogat e vetë futbollistëve, që kapin shifrën e 2.5 miliardëve. Ndërkaq vetë ndërmarrja e madhe e organizimit për Afrikën e Jugut ka kushtuar 9 miliardë të tjera, që po t’i shtonim 3.2 miliardët që FIFA pret të fitojë nga kampionati, bëjnë gjithsej 20 miliardë euro. është një mal me para që në këto kohë krize është vërtet i paimagjinueshëm. Megjithatë një kampionat botëror ka aftësinë që të frenojë, qoftë edhe për pak, kohën, si dhe të unifikojë botën. Për sa i përket botës së biznesit, një event i tillë është gjithëpërfshirës dhe xhiron sasi të mëdha parash, sipas një plani dhe logjike të mirëpërcaktuar. Futbolli dhe pagat e futbollistëve duket se nuk duan t’ia dinë për krizat financiare botërore. Kështu edhe në momentin e vështirësisë më të madhe financiare Lionel Messi, i cili është lojtari më i paguar në historinë e futbollit me 135 milionë euro, edhe pse aktualisht ajo skuadër që do të dojë që t’ia marrë Barcelonës, duhet që të propozojë 1 miliardë dollarë. Messi i vetëm vlen 20 herë më shumë se e gjithë skuadra e Zelandës së Re, që sot konsiderohet si kombëtarja më ekonomike, me një total shpenzimesh prej 15 eurosh që ndahet nga 23 lojtarë, një pjesë e mirë e të cilëve janë pa kontratë. Megjithatë për sa i përket pagës së lojtarëve të futbollit, ajo është ndër më të lartat në botë. Edhe lojtari më i varfër i këtij Botërori ka të paktën një rrogë prej 5 mijë eurosh në muaj që në fakt janë një hiç për një lojtar si Kristiano Ronaldo, portugezi i Real Madridit, i cili në klasifikimin e sportistëve më të paguar në botë, zë vendin e dytë me 95 milionë euro në vit. E megjithatë, skuadrat e Messi-t dhe Ronaldo-s janë edhe skuadrat më të shtrenjta në botë. Në fakt, sipas klasifikimit, skuadrat më të pasura dhe më të shtrenjta njëherazi janë Spanja, Brazili dhe Anglia. Kombëtarja spanjolle është më e kuotuara nga të gjithë bastvënësit dhe vlera e saj është 565 milionë euro. Janë paratë me të cilat paguhen këmbët e lojtarëve të famshëm si Torres (50 milionë euro), Xavi (50 milionë) Iniesta (50 milionë) e të tjerë milionerë të futbollit. Brazili, edhe pse një skuadër gjithashtu që paguan mjaft mirë lojtarët, vjen në vendin e dytë me shifra më modeste. Në këtë skuadër vlerën më të madhe e ka veçanërisht Kaka. Ka nga ata që thonë se në përfundim të Botërorit, klasifikimi nuk do të jetë ai që është deri më tani. Kjo sepse kombëtarja e Maradonës ka ambicie që të jetë skuadra më e shtrenjtë në botë, sigurisht nëse do të arrijë që të krijojë një figurë të mirë në botëror. Rregullat e tregut të lojtarëve janë shumë të pakta dhe ato ndryshojnë nga stina në stinë, por në të gjitha rastet bëhet fjalë për shifra të jashtëzakonshme, madje edhe në kohën e krizës më të madhe financiare.
#