Mjedisi, tani masa të rrepta
Shkatërrimi i mjedisit sjell një kosto të lartë ekonomike e sociale dhe rikuperimi i të gjitha hapësirave e komponentëve mjedisorë kërkojnë kohë dhe shumë para. Ndaj, Ministria e Mjedisit kërkon që përmes këtij projektligji të ndëshkojë këdo që ndot ambientin. Projektligji për mbrojtjen e mjedisit, i cili pritet të kalojë së shpejti në Komisionin e Mjedisit, i jep më tepër fuqi Agjencisë Rajonale të Mjedisit dhe forcon strukturat kontrolluese e ndëshkuese. Por për realizimin e plotë të këtij ligji dhe për të mbrojtur mjedisin, ministri Fatmir Mediu ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha palëve politike. Anketimet e fundit kanë treguar se transparenca në ekzekutimin e ligjeve, por edhe në hartimin e tyre është shumë e ulët. “Mendoj se në Shqipëri të gjithë politikanët, deputetët dhe shoqëria civile kanë shumë hapa për të bërë për të kuptuar se sa e rëndësishme është pjesëmarrja në bërjen e ligjeve, në mënyrë që të krijojë një bazë të fortë për ligjin e ri”, u shpreh Van den Door, ambasadori holandez.
#