Dhuratat e pamundura
Shembulli i mësueses prishtinase Afërdita Prokshi, të klasës III në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë është vërtet i pamundur. Ajo bleu 32 libra për 32 nxënësit e saj me rastin e mbylljes së vitit shkollor në panairin e librit “Prishtina 2010”! Të bën përshtypje ky fakt. Por edhe diçka shtesë. Edhe në ditën e mësuesit (7 Marsi - sepse edhe në Kosovë 7 Marsi festohet si dita e së parës shkollë shqipe në trojet shqiptare. A nuk kemi një kujtesë kombëtare?) kjo mësuese kishte blerë libra për nxënësit e saj në librarinë “Artini” pranë Institutit Albanologjik. A keni vënë re se ditën e mësuesit në Tiranë (të paktën) t’u blihet dhuratë nxënësve prej mësuesve? Unë di mirëfilli se janë nxënësit që blejnë dhurata për mësuesit dhe jo e kundërta. Mirëpo ky që sapo ju tregova është një shembull vërtet i pamundur për të tjerët, por plotësisht i mundur për mësuese Afërditën, e cila ndihet shumë e gëzuar. “Janë kursimet e mia vetjake përgjatë vitit dhe me to do t’u dhuroj nxënësve atë që mundem dhe aq sa mundem”. Dhe shtëpia botuese e ndau në gjysmë dhuratën e mësueses për nxënësit e saj që, me siguri, duhet ta duan shumë mësuesen e tyre. Në panairin e librit “Prishtina 2010” ranë në sy për herë të parë vizitorët e shumtë pranë librit për fëmijë. Herë të shoqëruar nga mësuesit dhe të shumtën e herës nga prindërit. Fëmijët kërkonin libra. Dhe kjo mundësohet për herë të parë në Prishtinë, pasi gjithë herët e tjera ky interesim ka qenë i vobektë, ose thjesht jo aq i mundur. Fëmijët vazhdimisht kërkonin të blinin libra, por binin ndesh me rezistencën e prindërve. Ose përfytyroni vargjet e vizitorëve të vegjël përballë stendave të librave, që ikin zhurmshëm dhe pothuaj pa parë asgjë. Një vrapim para librave! Pati edhe sivjet vizitorë shkollash të kësaj natyre, kurse interesin e vërtetë e shprehin veç si vizitorë të veçantë. Ndërkaq tri mësuese erdhën me grupet e nxënësve të tyre për të blerë libra që duhej t’i lexonin gjatë verës. Dhe më tepër se kushdo këtë mundësi ta krijon një panair libri! Afërdita Prokshi ndenji gjatë para stendës së librit për fëmijë për të zgjedhur librin që duhej. Dhe arriti ta gjente. “Përrallat e Pyllit” të Vitali Biankit, plus shtatë libra për shtatëshen më të mirë të klasës: “Rrëfenja të vogla për Mozartin e madh” të Ciferovit. Mësuesja dukej e kënaqur si një fëmijë, jo pse arriti t’i gjente librat që i pëlqenin, porse arriti t’u bënte këtë dhuratë të bukur fëmijëve të klasës që drejton. Sikur të kishim gjithandej mësues të tillë! Sepse dy ditë më parë ishte kjo klasë e mësuese Afërditës që u dynd nëpër tryezat e librave dhe secili zgjodhi dy e më tepër libra dhe i bleu ato për t’i lexuar gjatë verës. Prishtina dhe Tirana kanë dhjetëra e dhjetëra klasa të tilla, por duhet që mësuesja e tyre ta ketë emrin Afërdita Prokshi që të mundësohet kjo vepër e bukur.
Dhurata gjithnjë bëhet e pamundur, madje kërkon dhe kurdoherë gjen justifikime të çuditshme. Nuk është fjala për falje, por për të bërë dhurata, as për 14 e 17 shkurtin, as për 7-8 Marsin, as për 1 Majin, as për 1 Qershorin, 28 Nëntorin etj. Fjala është për dhurata solide, për atë që ia mohon vetvetes dhe ia jep tjetrit (një nga veshkat, gjakun etj.), që dhuron një pjesë të kapitalit për pasardhësit e të madhit Petro Marko, për një dukuri kulturore në ndihmë të jetimëve ose të sëmurëve, për një bibliotekë të tërë falas si dhuratë feste etj. Por sigurisht ka edhe plot mënyra të tjera për të bërë dhurata. Ditën e shtunë, më 12 qershor 2010, Prishtina festonte ditën e saj në Gërmi dhe pronari i “Villa Gërmia”, Agron Kelani, gjeti rastin e bukur që kujtdo vizitori (dhe vizitorët qenë gati të panumërt) t’i dhuronte një akullore “Gërmia”. Kështu festa e Prishtinës u dhuronte secilit një buzëqeshje më tepër, e cila reflektohej menjëherë në fytyrën dashamirëse të këtij pronari që di çfarë dhe e gjen ditën kur duhet t’u dhurojë banorëve një buzëqeshje më tepër...
Filip Zimbardo (1999), psikolog amerikan, nënvizon se brutaliteti nuk prodhon kënaqësi dhe as buzëqeshje, ndërsa dhurata, edhe më e thjeshtë, i jep shkëlqim çastit dhe jetës. Dhuratat edhe më të vogla mënjanojnë dhunën e nuk i rrisin njerëzit të dhunshëm...
#