E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspozitë fotografie, ndryshimet kur të jemi europianë

Portrete, materiale audio të personave të intervistuar për perceptimin e ballkanasve, kur të jenë pjesë e BE-së

Fotografitë dhe materialet audio, video në ekspozitën e zhvilluar këto ditë pranë Qendrës së Informimit të Bashkimit Europian janë portrete kolektive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që presin të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Ato janë produkt i një projekti trevjeçar bashkëpunimi të quajtur “Lobi Kulturor”. Projekti ishte një iniciativë për të ngritur një “arkiv aktiv”, të kujtesës kulturore në: Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, Maqedoni, Serbi dhe Kosovë gjatë këtij momenti tranzicioni. Kjo duke dokumentuar vizualisht dhe me zë atë ç’ka qytetarët mendojnë se do të ndryshojë, ose do të zhduket kur vendi i tyre t’i bashkohet BE-së. Aktiviteti u konceptua nga artistët kanadezë, Cindy Blaževiç and Pascal Paquette në vitin 2007, dhe u vu në jetë gjatë tre viteve në bashkëpunim me kuratoren e platformës së artit bashkëkohor KIOSK në Beograd, Milica Pekiç. Shtatë organizata arti nëpër Ballkanin Perëndimor bashkëpunuan intensivisht përgjatë vitit 2009, duke shkëmbyer artistë lokalë, qëllimi i të cilëve ishte të mblidhnin bashkë pamje subjektive të qyteteve, fshatrave e qytetarëve të rajonit. Ata u bënë të gjithëve një pyetje: çfarë mendoni ju se do të ndryshojë ose zhduket në jetën tuaj të përditshme kur vendi do t’i bashkohet BE-së? Përgjigjet e mbledhura janë një barometër i çiltër i shqetësimeve, frikës dhe aspiratave të qytetarëve të rajonit, të cilët nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre kontribuuan në krijimin e një historie alternative kulturore, që është në përmbajtje një vepër arti. Forca lëvizëse e projektit ishte njohja e pranimi i faktit se bashkimi me BE-në duket të jetë i pashmangshëm për rajonin, që kjo mundësi është shkrirë me forcën e globalizimit dhe se qytetarët e rajonit janë të vetëdijshëm për ndryshimet kulturore, anësore, që procesi mund të nxisë. Si rrjedhojë ne kërkuam t’i përgjigjeshim rritjes së tensionit duke u nisur nga ndjesitë e çorientuara sociale politike e kulturore, të vëna në pah ose jo, prej këtij momenti të veçantë për rajonin. “Ideja ishte t’u ofronim njerëzve një platformë ku të shpreheshin dhe të identifikonin çështje të përbashkëta që rrezikojnë të kontribuojnë në tensionin politik dhe etnik në rajon. Një qëllim tjetër i yni ishte të ofronim një alternativë domethënëse për të kanalizuar këtë anemi potenciale dhe të vërtetë”, sqaruan kuratorët e projektit. Sipas tyre, të gjitha këto elemente do të shërbejnë si baza e një arkivi të ardhshëm të kujtimeve të një momenti shumë të veçantë në historinë e rajonit. Arkiva është publikuar edhe në një libër dhe do të ekspozohet në hapësira publike nëpër gjithë Ballkanin Perëndimor dhe Europë gjatë periudhës kohore 2010-2011. “Ne shpresojmë që projekti të arrijë të promovojë sensin e mirëkuptimit ndër qytetarët e rajonit nëpërmjet transparencës dhe eksperiencës së vet. Kjo ekspozitë pritet të nxisë bashkëbisedime të matura mbi procesin e tranzicionit, të parë nga këndvështrimi imediat i bashkimit me BE, edhe në mes paragjykimeve të rrënjosura, që ende shkaktojnë dhimbje në rajon. Kjo do të jetë një përvojë, një ekspozitë e mirëfilltë artistike që ka në qendër ndryshimet që do pësojnë vendet e Ballkanit, përfshi Shqipërinë, kur të hyjnë në BE”, sqaroi zyrtarisht “British Council” në Tiranë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›