E Diel, 1 Nëntor 2026

Shmangia e radhëve, skema, si do të shpërndahen tekstet shkollore pas 15 gushtit



Emanuela Sako

Nis shpërndarja e teksteve shkollore në libraritë e kryeqytetit për vitin e ri akademik 2009-2010. Shtëpitë botuese kanë nisur shpërndarjen e teksteve që janë përfunduar, në të gjitha libraritë që janë përzgjedhur për shpërndarjen e teksteve. Aktualisht libraritë nuk kanë filluar ende nga shitja e teksteve. Nxënësit mund t’i blejnë librat duke nisur që nga data 15 gusht, kur do të bëhet edhe shpërndarja e tyre, kur shtëpitë botuese do të kenë përfunduar shpërndarjen më të madhe të teksteve. Vitet e fundit tregu i librit shkollor ka ndeshur mjaft probleme në shitje dhe shpërndarjen ku kanë munguar titujt e teksteve shkollore. Njëkohësisht, prindërit dhe nxënësit janë ndeshur me radhë të gjata para dyerve të librarive. Kjo situatë, ka krijuar konfuzion të madh në blerjen e librave, prandaj këtë vit shtëpitë botuese po përpiqen të bëjnë dorëzimet sa më shpejt.
Tekstet e huaja
Këtë vit studentët do të kenë mundësi të përzgjedhin tekste të huaja, si matematika fizika apo lëndë të tjera. Por të gjitha lëndët do të jenë të përkthyera në gjuhën shqipe. Në këtë mënyrë nxënësit do të mund të përzgjedhin metodika të huaja, por që afrojnë me metodikat që do të përdoren në shkolla për të gjithë të tjerët. Përsa i përket tarifave të reja, çmimi i shitjes duhet të jetë jo më i lartë sesa çmimi me të cilin janë paraqitur për miratim tekstet e certifikuara. Librashitësit, të cilët, i shesin tekstet shkollore me lekë në dorë, duhet t’i lëshojnë blerësit dokumentin e shitjes ose faturën e kasës fiskale, sipas modeleve të caktuara nga Ministria e Financave. Në rastin e teksteve për shkollat e pakicave kombëtare dhe të arsimit profesional, shitja bëhet përkundrejt faturave. Faturat paguhen me pjesën e kontributit të nxënësit dhe subvencionin e caktuar për të, përmes llogarive buxhetore të DAR/ZA-ve ose vetë shkollës, kur ka llogari të tillë. Për këtë, shkollat dërgojnë dokumentacionin e plotë në DAR/ZA-n përkatëse. Pas plotësimit të kërkesave të shkollës, shtëpitë botuese mund t’i shesin këto tekste edhe në librari. Ministria e Arsimit nuk e subvencionon blerësin në shitjen e lirë të këtyre teksteve. Tekstet duhet të jenë të pajisura me pullën me hologramë, të certifikimit, të Ministrisë së Arsimit. Pulla me hologramë u shpërndahet botuesve nga Ministria e Arsimit, kundrejt pagesës. Tekstet, që tregtohen pa këtë pullë, i nënshtrohen procesit të konfiskimit, në përputhje me ligjin në fuqi. Në rastet e subvencionimit të teksteve shkollore, Ministria e Arsimit, fondet, e miratuara për këtë qëllim, ia jep blerësit, si kompensim për blerjen e teksteve, ose i vë në dispozicion të tij, për t’i përdorur për këtë qëllim.
Mungesa
Edhe këtë vit të ri shkollor, një pjesë e nxënësve do të përballet me disa mungesa të teksteve. Pjesë e mungesës do të jenë nxënësit e vitit të parë gjimnaz, të cilët do të nisin vitin me disa tekste mangët. Tekstet që do të mungojnë janë: “Letërsi”, “Guidë Turistike”, “Fotografi dhe Fotoshop”, “Njeriu dhe Ndryshimet Klimaterike” dhe “TIK i avancuar”. Sipas afateve të vendosura nga Komisioni i Miratimit të Teksteve Shkollore, këto tekste do të fillojnë të shpërndahen duke filluar nga data 25-30 shtator 2009. Por, përpara se prindërit t’u drejtohen librarive për të marrë librat e fëmijëve, së pari, duhet të shikojnë në listën e afishuar pranë shkollës përkatëse të fëmijëve të tyre, tekstet për secilën klasë dhe shtëpinë botuese që ka bërë shtypjen e tyre. Çdo shkollë ka përzgjedhur tekste të ndryshme alternative në varësi të kritereve që mësuesit kanë parë si më prioritare. Më pas, me këto të dhëna të marra nga shkolla për librat, bëhet blerja e tyre në librari. Librat për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme do të shpërndahen në shkollat përkatëse, por edhe në libraritë pranë tyre. Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm në blerjen e teksteve shkollore për të mos rënë pre e abuzimeve. Ata nuk duhet t’i blejnë librat e fëmijëve tek shitësit ambulantë, të cilët i tregtojnë me një çmim shumë herë më të lartë. Për rrjedhojë ata jo vetëm që do t’i blejnë librat më shtrenjtë, por nuk do të jenë as pjesë e skemës së subvencionimit.

Dhuna në familje, 546 denoncime dhune në 6-mujorin e parë
Dhuna në familje vazhdon të mbetet në nivele të larta, por duket se situata po ndryshon, përsa i përket denoncimeve. Aktualisht janë depozituar 546 denoncime për dhunë në familje, të cilat i përkasin vetëm 6- mujorit të parë, të vitit 2009. Kjo shifër e krahasuar me 6 -mujorin e një viti më parë është e lartë. Drejtoresha e Politikave të Shanseve të Barabarta, Ana Xheka, shprehet se rastet e dhunës nuk janë shtuar në krahasim me një vit më parë, por denoncimet kanë ardhur në rritje. Ajo theksoi se nga intervistat që janë bërë me viktimat, ndaj tyre është ushtruar sistematikisht dhunë ndër vite, dhe ndoshta besimi tek strukturat mbrojtëse, i ka ndërgjegjësuar për të bërë denoncimet.
“Gjate 6- mujorit të parë të vitit 2009 rezulton që të jenë 396 kërkesë padi për të marr urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, apo urdhrat e mbrojtjes, në krahasim me një shifër 141 urdhra mbrojtje më të ulët me 6- mujorin e parë të vitit 2008. Rezulton që në deklarimet e tyre dhuna ka ekzistuar në vitin 2008, 2007, 2006, por vetëm tani ato kanë arritur të denoncojnë dhunën në familje”, -shprehet Ana Xheka. Pjesa më e madhe e viktimave të dhunës në familje janë femra, të cilat zënë një përqindje të konsiderueshme rreth 67%. Në statistikat e 6 -mujorit të parë nuk raportohen raste të dhunës ndaj meshkujve, por ato kanë ekzistuar në vitet më parë. Rreth 366 raste janë gra dhe bashkëshorte, që kanë hasur në dhunë nga burrat e tyre. Por, specialistja shprehet se dhe ndaj meshkujve ka pasur denoncime në vitet e mëparshme.
Ndërsa, rasteve të dhunës së ushtruar ndaj fëmijëve për këtë 6-mujor, numërohen vetëm 4 denoncime, por ka pasur dhe denoncime për dhunë të ushtruar edhe ndaj të moshuarve.

6 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›