E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paris, takohet Grupi Miqtë e Sirisë

Zyrtarët nga vendet perëndimore dhe shtetet arabe, që synojnë largimin nga pushteti të presidentit të Sirisë, Bashar al-Asad, takohen sot në Paris, në samitin e tretë të Grupit Miqtë e Sirisë.

Ministri i jashtëm francez, Loran Fabius, tha se bisedimet do të fokusohen në hapat konkretë për ta ndihmuar popullin e Sirisë, përfshirë edhe furnizimin e opozitës me teknologji të komunikimit.

Zoti Fabius tha se marrin pjesë afro 100 përfaqësues nga opozita siriane.

Në takim merr pjesë edhe sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, e cila pritet të kërkoj sanksione më të ashpra ndërkombëtare kundër presidentit Asad, dhe qarkut të tij të brendshëm.

Rusia dhe Kina, që deri tani kanë bllokuar shumicën e aksioneve kundër Asadit, nuk do të jenë të pranishme në takimin e Parisit.

Në vigjile të mbledhjes në Paris, organizata Amnesty International, ka bërë thirrje për embargo të armatimit ndaj qeverisë së Sirisë dhe për kujdes gjatë armatimit të kryengritësve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›