Parkinsoni “epidemia” e pleqërisë, sëmundje që nuk shërohet, por minimizohet

Parkinsoni është një sëmundje kronike që diagnostikohet rreth moshës 65 vjeç. Mjeku neurolog Gleni Halili na shpjegon se çfarë është Parkinsoni dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në këtë sëmundje.
“Sëmundja e Parkinsonit është një sëmundje neuro-degjenerative progresive që karakterizohet nga humbja e qelizave nervore. 20-25% e rasteve njihen faktorët gjenetikë, por edhe faktorë të jashtëm që rrisin rriskun për sëmundje dhe këtu futen traumat e kokës, sëmundjet inflamatore kronike, ekspozimi ndaj pesticideve, sëmundja e diabetit dhe stili i jetesës”, tha Halili.
Cilat janë shenjat treguese të kësaj sëmundjeje?
“Janë shenjat motorë që ajo jep, ngadalësimi i lëvizjes së pacientit, dridhja e këmbës apo e dorës në njërën anë të trupit kryesisht, vështirësia në ecje dhe ruajtjen e ekuilibrit”, u shpreh mjeku.
Si diagnostikohet Parkinsoni ?
“Vizita te neurologu është e mjaftueshme për të hedhur dyshimin që është Parkinson. Ndërkohë ka edhe metoda imazherike që vlerësojnë strukturën e trurit. Nuk është e provuar akoma një medikament apo mënyrë trajtimi që ngadalëson progresin e sëmundjes, apo e shëron. Ka terapi me medikamente që merren për të minimizuar sidomos shenjat motorë, ka edhe metoda kirurgjikale siç është stimulimi i thellë i trurit”, theksoi mjeku.
Një dietë ushqimore e shëndetshme, aktiviteti i rregullt fizik dhe cilësia e mirë e gjumit ndihmojnë në lehtësimin e simptomave te Parkinsonit.
Gazetare: B. Cina
/rtsh.al/