E Martë, 3 Nëntor 2026

Parku Kombëtar Divjakë, vetëm në muajin korrik mbi 100 mijë vizitorë

Parku kombëtar Divjakë–Karavasta po vizitohet nga turistë të shumtë.

Francezë, spanjollë e holandezë janë grupet të cilat edhe këto ditë gushti kanë zgjedhur të shohin natyrën e egër të parkut.

Turizmi i natyrës, ecjet e gjata, fauna dhe plazhi, të gjitha bëhen bashkë në këtë vend.

Sipas tyre, parku është i bukur, sepse ofron ecjet e gjata në këmbë ose me biçikleta, shëtitjet me varka, pamjet në lartësi nga Kulla 360 Gradë dhe një sërë speciesh të natyrës.

“Është dita e dytë e vizitës dhe deri tani kemi vizituar kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, një qytet impresionant. Në ditën e dytë jemi nisur në botën apo natyrën e egër, në Parkun e Divjakës, që deri tani na pëlqen dhe po e shijojmë,” shprehet një turist francez.

Për shkak të vendeve të bukura, parku shfrytëzohet edhe për dasmat.

Nuset dhe shoqërueset e tyre e preferojnë zonën e pyllit të Divjakës.

Pastrimi i mbeturinave për të ruajtur ambientin kryhet nga bashkia Divjakë, por në sytë e disa turistëve duhet punuar më shumë në brendësi të parkut, ku vizitorët shpesh lënë gjithçka të konsumuar në natyrë. 

“E kemi folur herë pas here edhe me Qendrën këtu, që të merren masa për pastrimin qoftë nga ata vetë, qoftë me programe të ndryshme,” thotë guida Alban Muharremi.

Për muajin korrik, parku kombëtar Divjakë–Karavasta është vizituar nga mbi 100 mijë turistë, nga të cilët 24 mijë të huaj dhe 80 mijë vendas.

Gazetare: Megi Mëhilli

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›