E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Europian, provimi për Shqipërinë nis më 21 prill

Në Strasburg, delegacioni për Ballkanin do të përgatisë axhendën e 3 dhe 4 majit

Parlamenti Europian do të marrë në provim Shqipërinë më 21 prill dhe në ditët e para të majit, ku do të shqyrtohet situata politike në Shqipëri dhe pritet të jepet një vlerësim shtesë për zgjidhjen e situatës. Më 21 prill në Strasburg do të mblidhet delegacioni i Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, i cili do të nisë diskutimin e gjatë të situatës në Shqipëri dhe do të përgatisë takimin e parë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Parlamentit Europian, që zhvillohet më 3 dhe 4 maj në Bruksel. Në mbledhjen e 21 prillit, sipas axhendës, do të diskutohet dokumenti i paraqitur nga Komisioni i Zgjerimit, që drejtohet nga Stefan Fule, mocioni i reporterit grek, Nikolaos Chountis, si dhe përgatitja e takimit të 3 dhe 4 majit. Në këtë takim, Shqipërinë do ta përfaqësojë ambasadorja e vendit tonë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi, e cila bashkë me delegacionin do të adaptojnë draft-axhendën e mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit. Në mbledhjen e 3 dhe 4 majit do të jenë prezentë përveç delegacionit të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëndimor, edhe deputetë të mazhorancës dhe opozitës. Në këtë takim pritet të zhvillohet një betejë e ashpër mes palëve, për të miratuar një rezolutë përfundimtare, miratimi i të cilit do të varet nga raporti i forcave politike në terren, duke marrë parasysh që deputetët e djathtë pritet të mbështesin PD-në dhe të majtët socialistët. Por ajo që është më e rëndësishme, është që si dokumente bazë do të vlerësohen: mocioni për rezolutë i eurodeputetit grek, Nikolaos Chountis, i cili vizitoi Shqipërinë para pak kohësh me mision raportimi, si dhe strategjia e zgjerimit dhe sfidat kryesore 2009-2010 që është përgatitur nga Komisioni Europian dhe pret të jetë dokumenti kryesor i vlerësimit. Në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asociimit marrin pjesë deputetët: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumçi nga PD-ja dhe Valentina Leskaj, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri, Ilir Beqja nga PS-ja. Zëvendësues janë Arenca Trashani, Gert Bogdani, Shrefedin Shehu dhe Edmond Spaho nga PD-ja, ndërsa nga PS-ja zëvendësues do të jenë Mimi Kodheli, Eduart Shalsi dhe Besnik Bare.

Mocioni

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nikolaos Chuntis, ka përpiluar një projektrezolutë mbi ecurinë e vendit drejt Bashkimit Europian. Që në fillim të dokumentit shprehet keqardhja për krizën politike dhe institucionale që pas zgjedhjeve të fundit. Duke u bazuar në vlerësimin e OSBE/ODIHR-it se zgjedhjet përmbushën pjesën më të madhe të standardeve, drafti tërheq vëmendjen për parregullsitë e vërejtura, “në veçanti për transparencën e procesit, presionin dhe trembjen e votuesve, regjistrimin e zgjedhësve dhe mbi monitorimin e numërimit të votave”, duke u bërë thirrje të gjitha partive politike që përmes një dialogu konstruktiv të eliminojnë të gjitha këto probleme përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2011. Për autorët e parregullsive nënvizohet nevoja urgjente e ndëshkimit efikas. Projektrezoluta e Parlamentit Europian thekson se reformat politike, ekonomike dhe sociale kanë nevojë për konsensus ndërparlamentar. Bëhet thirrje për më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimin e parave, trafikun e drogës e qenieve njerëzore. Projektrezoluta me 25 paragrafë do të diskutohet fillimisht në Komitetin e Jashtëm, ku pas ndryshimeve që do të mund të kërkojnë grupimet e ndryshme politike, do të kalojë për votim në seancë plenare të Parlamentit Europian.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›