Ushtria dhe ministria nuk e kontrolluan fabrikën
Të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit akuzojnë njëri-tjetrin për shkaktimin e viktimave dhe dëmeve materiale. Ish-drejtori i fabrikës, që ishte në pronësi të SAC-Albademil, Dritan Minxolli, lexoi dje në seancë një deklaratë, duke pohuar se prej dy vitesh ndodhet në paraburgimin 313. Ai deklaroi se gjatë ushtrimit të funksionit të tij si drejtues, në fabrikë nuk është zhvilluar asnjë kontroll i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për kushtet e sigurisë teknike. “Unë mbaj përgjegjësi për veprimet e mia, por dua të sqaroj se në asnjë rast ushtarakët nuk e kanë kontrolluar fabrikën, duke mos zbatuar në këtë mënyrë një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili përcaktonte se vendi i demontimit duhej të ruhej nga ushtarakë”, theksoi Minxolli. Ai i bëri disa pyetje trupit gjykues, duke kërkuar që në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor të merrte një përgjigje. “Kush nga funksionarët e Ministrisë së Mbrojtjes e ka kontrolluar fabrikën? Kush ishin këta persona që duhet të zbatonin VKM-në për ruajtjen e fabrikave të demontimit? E pra, SAC-i nuk u kontrollua kurrë”, vijoi ish-drejtori i fabrikës, duke deklaruar se ngjarja e 15 marsit 2008 i ka rrezikuar seriozisht jetën. “Unë banoja në atë fabrikë dhe asnjëherë nuk më janë bërë me dije rreziqet. Ditën e ngjarjes, për fatin tim të mirë jam larguar vetëm disa minuta para shpërthimit, por mund të kishte ndodhur e keqja. Pas ngjarjes jam angazhuar në shtabin që krijoi Bashkia Vorë dhe më vonë i jam vënë në dispozicion Prokurorisë së Tiranës, për çdo hetim ndaj personit tim”, përfundoi Minxolli.
#