E Diel, 1 Nëntor 2026

Odiseja e mediave të pavarura në Ballkanin Perëndimor

Zhvillimi i tregut të fjalës së lirë në vendet e ish-Jugosllavisë

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje është se, në shumicën e rasteve, janë njerëz që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me profesionin e gazetarisë, përkundrazi, midis tyre mund të gjesh me shumicë biznesmenë e tregtarë, madje edhe të mishit, deri te figura kriminale, që kanë arritur të shtien në dorë organe të medias në shumë vende të rajonit, theksohet në një analizë për gjendjen e medias në rajonin tonë të radios “Evropa e Lirë”, me seli në Pragë, të publikuar ditët e fundit. Shumë vende të rajonit e filluan me mjaft entuziazëm privatizimin e mediumeve vendëse, si pjesë e procesit më të gjerë të demokratizimit të vendit. Por, për fat që keq, shumë shpejt dolën në pah shumë mangësi dhe dukuri të çuditshme. Pronarë të rinj të mediumeve u bënë njerëz të cilët nuk kishin asnjë lidhje me gazetarinë profesionale dhe që në fillim i blenë ata (mediumet) me “para të vogla”. Për më tepër, për fat të keq, pas procesit të privatizimit u konstatua dukuria e pushimit nga puna të shumë gazetarëve profesionistë, ndërsa ata që mbetën, bashkë me rishtarët, rrallë herë e merrnin në kohën e duhur pagën, megjithëse edhe kjo e fundit në përmasa minimale, thekson radioja e lartpërmendur, duke vazhduar më tej se programet e shumë stacioneve radio-televizive lokale, mbas privatizimit, e humbën pothuajse krejtësisht profesionalizmin, duke synuar më shumë fitimet e shpejta. Në Serbi, vitet e fundit janë shitur dhjetëra mediume lokale, që dikur kishin autoritet dhe prestigj në mjediset e veta. Por, ata (mediumet) u administruan në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi ata që i blenë, ishin kryesisht njerëz që s’kishin asnjë lidhje me gazetarinë, duke mbjellë, sidomos në eter, kaos që shpejt iu afrua agonisë. Në mediume “futën duart” tregtarë dhe biznesmenë të dyshimtë me lidhje të ngushta me strukturat e pushtetit, duke lejuar kështu që politika, në thelb, ta ruante ndikimin e saj të madh mbi mediumet, vihet në dukje në analizën e “Evropës së Lirë”, që si shembull të kësaj situate, në të cilën ndodhen mediumet e privatizuara në Serbi, sjell kompaninë radio-televizive publike, dikur me mjaft prestigj, “Ibarske novosti” të Kraljevës, që sot është pranë falimentimit. Po ashtu, privatizimi i mediumeve, sidomos i atyre të shtypura, edhe në Bosnjë e Hercegovinë mund të përshkruhet si pre që ka rënë në dorë të pasanikëve dhe të njerëzve të afërt me partitë politike, pa asnjë lidhje me gazetarinë dhe qëllimi kryesor i të cilëve ka qenë shtrirja e interesave të veta ekonomike, thekson radioja e lartpërmendur, që shton se nuk kanë qenë të pakta edhe rastet kur as ky qëllim nuk është arritur, duke shkaktuar jo pak falimentime. Radio “Evropa e Lirë” përmend gazetat e njohura të Sarajevës, “Veçernje novine” dhe “Osllobogjenje”, tashmë të privatizuara, si shembuj konkretë se mediumet në këtë vend shfrytëzohen kryesisht për arritjen e qëllimeve që nuk kanë të bëjnë aq shumë me informimin e opinionit publik, sesa me realizimin e qëllimeve krejt të tjera, pra të atyre të biznesit. Mali i Zi është i vetmi vend në rajon, ku stacionet radio-televizive të dikurshme, që kanë qenë pjesë e rrjetit të mediumeve shtetërore, formalisht janë shndërruar në shërbime publike, por, megjithatë, në vend që veprimtaria e tyre të bëhej më e lirë dhe më profesionale, duket qartë se mediumet lokale, kush më pak dhe kush më shumë, nuk i shërbejnë interesimit publik, por janë vënë në shërbim të elitave politike ose të atyre të biznesit. Në Kroaci problemet e mediumeve lokale janë disi më ndryshe, pasi në këtë vend nuk ka pasur privatizim të tyre. Megjithatë, pushteti lokal ndikon te politika redaktoriale dhe ajo e informimit të tyre. Një dukuri negative në këtë vend është se çdo ndryshim i pushtetit në qytet ose në komunë shoqërohet me ndërrimin e njerëzve kryesorë në mediumet lokale, theksohet në analizën e radios “Evropa e Lirë”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›