E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti Evropian shtyn votimin për mandatin e dytë për kandidatin Hose Manuel Barrosos

Parlamenti Evropian ka shtyrë një votim lidhur me kandidimin e Hose Manuel Barrosos për një mandat të dytë si president i Komisionit Evropian, bëri të ditur sot presidenca suedeze e radhës së BE-së.

Barroso, i përzgjedhur muajin e kaluar nga liderët e BE-së për të kryesuar sërish ekzekutivin e bllokut 27-anëtarësh, i ka kërkuar Parlamentit Evropian të marrë një vendim të shpejtë lidhur me kandidimin e tij. Por qendra e djathtë e ish-kryeministrit portugez përballet me kundërshtimin e grupimeve të majta në asamblenë evropiane, që duhet të aprovojë kandidaturën e tij.

"Kemi diskutuar me liderët e disa grupeve parlamentare dhe Parlamenti Evropian nuk do të marrë një vendim lidhur me kandidimin e Barrosos këtë muaj", deklaroi kryeministri suedez Fredrik Reinfeldt në një konferencë shtypi në Stokholm.

"Disa nga grupet e rëndësishme parlamentare kanë deklaruar se aktualisht nuk janë plotësisht gati dhe se kërkojnë të shtyjnë këtë çështje për pak kohë", shtoi ai pa shpjeguar se kush ishin këto grupime dhe nëse ishte caktuar një datë e re votimi.

Deri tani nuk është paraqitur asnjë kandidaturë tjetër përveç Barrosos. Aleatët e tij konservatorë janë grupimi më i fuqishëm në Parlamentin Evropian, por ndërkohë nuk kanë votat e mjaftueshme për të siguruar konfirmimin e mandatit të dytë të Barrosos.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›