E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvin Rama s’e ndërron dot qimen, është mësuar të vjedhë


Disfatën zgjedhore që pësoi Edi Rama, kërkon ta shndërrojë në të pamundurën, duke vënë në veprim gënjeshtrën, mashtrimin dhe demagogjinë. Pakënaqësinë në shkallën sipërore të eksponentit të LSI-së, Dritan Priftit, i cili ishte i pakundërshtueshëm në deklaratën publike për vjedhjen ashiqare të votave në qarkun e Fierit, Rama fillimisht e quajti si të paditur dhe, më tej, si të pamundur. Pastaj, duke mos mundur t’i bishtnonte një të vërtete komprometuese për të, ia futi një të sharë dhe parapëlqeu se ajo çka tha D. Prifti nuk meritonte përgjigje!


Në të vërtetë Edvini nuk deshi të zgjatej, se duhej të jepte mendim edhe për atë, që akuzuesi i tij e kishte argumentuar hollësisht, se masakra e votave kundër LSI-së nga ana e komisionerëve socialistë nënkuptonte jo vetëm Fierin, por edhe të gjitha qarqet. Zoti Prifti tregoi se do të kishte mbetur edhe ai vetë pa mandat, nëse nuk do të kishte vajtur vetë në KZAZ, ditën e dytë të numërimit të votave, dhe nw qoftw se nuk do t’i kishte detyruar votënumëruesit të përsërisnin numërimin.


Kandidati i P. Republikane në Berat, Astrit Veliaj, dëshmoi publikisht se koha e regjistrimit për PR-në, katandisej në më pak se një sekondë, ndërsa normativa ishte 4 sekonda. Ai kërkoi me ngulm verifikimin e kësaj të vërtete dhe ballafaqimin e humbjes së votave në dobi të PS-së dhe në dëm të koalicionit të djathtë. Ai ishte i vendosur se do të vinte në dispozicion edhe shpenzimet e tij për t’ia arritur vertetimit sesi manovronte PS-ja për të shtuar arbitrarisht votat e saj.


I ndodhur përkundrejt kontestimesh nga të gjitha anët, Edi Rama po loz rolin e viktimës, se na qenkësh ai i dëmtuari i këtyre zgjedhjeve. Ai kujton se është përballë këpëdarësh injorantë, që e zgjodhën kryetar pas ditës së parë dështuese. E po na mburret, madje, duke na bërë autoportrete si njeri të qetë, që s’e ngre zërin, që nuk fyen të tjerët, që flet në mënyrë njerëzore… A nuk ishte ai që bërtiti publikisht, me sa e kishte në kokë, Hyaaa…, drejtuar liderit Berisha? Zërin e tij jo më kot ia kanë krahasuar me atë të Hitlerit! Edhe lojës së tij aktoreske, me atë zërin e tij të matur, të rrokjezuar (më tepër se s’gjente dot fjalët këtë herë), nuk i besohet: Ai është në rol, përballë humbjes. Dhe e quan meritë të tij që „revolta“ e ulëritësve në sheshin e KZAZ-së së Fierit, përfundoi fatmirësisht pa një incident të rëndë, pas 60 orësh britmash e kërcënimesh të njerëzve të tij, një pjesë të sjellë nga bashkia e Tiranës. Gramoz Ruçi, që mund ta shpërndante turmën e irrituar me një fjalë, preferoi ta justifikojë këtë “zemërim”, duke e përligjur kundërshtimin e njerëzve të eksituar për  orvatjen e KQZ-së që të merrte pesë kutitë e fundit për t’i shqyrtuar vetë në Tiranë. Kamioni i KQZ-së, për pak sa nuk u përmbys nga luhatjet që i shkaktuan këta njerëz të egërsuar. Ruçi t’i jetë mirënjohës grupit të policisë e cila, ç’është e vërteta, nuk ndërhyri për asnjë çast, pavarësisht se ishte në gatishmëri për ndonjë të papritur të mundshme.


Pastaj, kur gjendja po bëhej vërtet e rrezikshme dhe kur Rama e kuptoi se faktori ndërkombëtar nuk po e toleronte dot këtë gjendje, dha urdhër që t’i jepej fund gjendjes së jashtëzakonshme. Dhe njerëzit panë në ekran sesi doli nga selia zgjedhore, një turmë e jashtëzakonshme njerëzish të paautorizuar që kishin „pushtuar“ sallën. Tanimë manipulatori Rama kërkonte dafinat e shpëtimtarit! Kur kjo duhej bërë, përse nuk u bë menjëherë? Gramozi doli gafilk me arsyetimet e tij, për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Tani, „zemërgjerësia“ e shefit del blof dhe në kontradiksion me Ruçin, kur dalin e thonë se këta sugjeruan që ta kryente punën KQZ-ja. U zgjidh, pra,  edhe ajo hilja, që KQZ-ja shkelte kodin zgjedhor me këtë veprim. Atëherë duhet të pranojnë se e shkelën vetë kodin zgjedhor? 


Tani kemi edhe atë anën qesharake se Rama do të vinte vetë në Fier për të marrë dafinat, por këto i ranë me turp nga koka. Sepse… u kthye andej nga erdhi, në mes të rrugës!


Por humbja e toruas nuk po vështrohet vetëm te Rama. Andis Sarasani kaloi nga sharjet verbale, në veprime fizike ndaj një komisioneri demokrat. Ngriti karrigen dhe e theu nga nervozizmi. Nuk e dimë sa e dëmtoi të sulmuarin, por thyerjen e karriges e përmendi edhe Berisha në fjalimin e tij të qetë dhe ironik. Këtë veprim e quajti si të një karrocieri të dehur. Kjo i paska bërë shumë përshtypje Ramës, që përligji veprimin e Sarasanit (të shkretë!). Iu turr edhe doktorit, me fjalët më të vrazhda, që e krahasoi Sarasanin me një karrocier! Sikur foli edhe për hapat për një proces gjyqësor për…fyerje!


Por në ekran të gjithë e kanë parë thyerjen e karriges!


Mjaft socialistë janë zvjerdhur nga Rama, tani, dhe po i quajnë veprimet e tij të fundit si inkoherente. Në të vërtetë kemi të bëjmë me huqe, jo me inkoherencë. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron, - thotë populli!   


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›