E Martë, 3 Nëntor 2026

Parlamenti debat për “Xhaçkën”, Berisha: Poshtëruat Kushtetutën e “Venecias”. PS: Komisioni na dha të drejtë

 Nga Olta Blaceri

Dy ditë pas publikimit të opinionit të Komisionit të Venecias, opozita i kërkoi Kryetares së Kuvendit të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë seancës plenare akuzoi shumicën socialiste se po shkel mbi Komisionin e Venecias dhe mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur ish-ministren e Jashtme, Xhaçka.

“Ne kërkojmë të respektoni Kushtetutën, përndryshe mosbindja civile do të vijë edhe në sallë. Po, do të vijë në sallë. Nuk mund të shkelmoni ju Kushtetutën sipas qejfit tuaj. A mund të rrihet në parlament me një hajdute që ka marrë tokën publike si ministre?”, tha Berisha.

“U tha që ne synojmë ta kthejmë këtë sallë në gjyq publik. E thonë me zë të lartë për gjyq publik që të na ktheni në kohën e persekutimeve politike. E keni në avantazh që thoni fjalën e fundit për këdo që del para. Shqiptarët këtë e kuptojnë. Kaq e thjeshtë është sepse PS fiton,” shtoi Niko Peleshi, kryetar i Grupit Parlamentar të PS-së.

Opozita dhe mazhoranca u përplasën për rekomandimet e Komisionit të Venecias, pasi socialistët theksuan se ekspertët e Venecias njohën të drejtën e çdo deputeti për të votuar sipas bindjes së tij.

“Është detyrimi juaj si Kryetare e Kuvendit, përndryshe jeni ju jo vetëm në shkelje të Kushtetutës, por jeni duke shpërdoruar detyrën. Duhet ta dërgoni çështjen pa vonesë si Kuvendi i Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese dhe të shprehet ajo. Por këtë konflikt kompetencash fals midis jush si Kuvend dhe Gjykatës Kushtetuese ju nuk mund ta krijoni. Kjo është haptas tregues se ku ka degjeneruar sistemi kushtetues shqiptar,” tha Oerd Bylykbashi, nënkryetar i PD-së.

“Rregullorja nuk parashikon ndonjë procedurë që mund të zbatojmë më në këtë rast, siç kërkoni ju, pasi janë ezauruar të gjitha shkallët e gjykimit. Përveçse me 1/10 e deputetëve, ju mund t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese në çdo rast dhe është e drejta e 1/5 së deputetëve të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese,” deklaroi Elisa Spiropali, Kryetare e Kuvendit.

Pas publikimit të opinionit të Venecias, PS deklaroi se ai mbështeti dy vendimet e mazhorancës për të votuar kundër dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të çështjes së mandatit të ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, pasi deputetët nuk mund të detyrohen të votojnë në një mënyrë të caktuar.

Ndërsa opozita beson se Venecia rekomandoi që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen. /vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›