Parlamenti grek miraton buxhetin e vitit 2012

Ligjvënësit grekë kanë miratuar një buxhet shtrëngues për vitin 2012, një hap që përfshin shkurtime të mëdha të shpenzimeve dhe rritje të taksave, me qëllim uljen e borxheve masive dhe daljen nga recesioni.
Buxheti, i mbështetur nga anëtarët e fraksioneve socialiste, konservatore dhe të ekstremit të djathtë nacionalist, u miratua me 258 vota në parlamentin grek.
Qeveria greke tani për tani është duke mbijetuar me miliarda euro të kredive ndërkombtare për të cilat ka rënë dakord që në këmbim të tyre të shkurtojë buxhetin dhe të rrisë taksat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
BE-ja po kërkon të parandalojë rënien e euros, e cila përdoret nga 17 shtete anëtare të saj, duke përfshirë edhe Greqinë.