Rënia e “Ariut të kuq”

Ishte fundi i verës në vitin 1991. Bashkimi Sovjetik po lëvizte drejtë shembjes. Mikhail Gorbachev kishte gjashtë vite në pushtet dhe ishte zhytur thellë në programet e tij “Glasnost” dhe “Prestrojka”. Dhe ithtarët e vijës së fortë, të cilët kundërshtonin politikën e tij, sa po kishin bërë përpjekje për puç.
Boris Jelcin, i cili atëbotë ishte presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike i Republikës së Rusisë së Bashkimit Sovjetik, u rreshtua kundër udhëheqësve të puçit dhe barrikadoi vetën në Shtëpinë e Bardhë në Moskë, e cila atëbotë ishte seli e parlamentit të Rusisë, për t’u rrethuar brenda një kohe të shkurtë nga mijëra ithtarë të tij.
Në fund, përpjekja e dështuar për puç zgjati vetëm dy ditë. Bashkimi Sovjetik jetoi vetëm edhe disa muaj të tjerë.
Me mijëra kilometra larg, në Washington, njerëzit në një Shtëpi tjetër të Bardhë po përcillnin me kujdes ngjarjet në atë muaj të tendosur të gushtit para dy dekadave.
Në mesin e tyre ishte edhe Brent Scowcroft, i cili atëbotë ishte këshilltar për siguri kombëtare i presidentit George H.W. Bush. Ai kishte shërbyer në të njëjtin kapacitet edhe në administratën e presidentit Gerald Ford dhe kishte qenë zëvendës i Henry Kissingerit, në administratën e presidentit Ronald Reagan.
Scowcroft thotë se ai dhe disa zyrtarë të tjerë e shihnin Gorbachevin si një njeri, i cili po kryente punën, që në të vërtetë supozohej të ishte punë e amerikanëve, pra zbatimin e reformave dhe të liberalizimit në Bashkimin Sovjetik. Megjithatë, ai më tutje shton se Washingtoni e mirëpriste shpirtin reformator të Gorbachevit.
“Përderisa nuk mendonim se Gorbachevi ishte një demokrat, ai po përpiqej që të bënte më efektiv Bashkimin Sovjetik, duke e luftuar korrupsionin, alkoolizmin dhe aspektin shtypës të sistemit, i cili pamundësonte prodhimtarinë. Pra, përpiqej që të bënte sistemin më efektiv. Dhe ne ishim të mendimit se kjo ishte një gjë e mirë, ngase në proces e sipër gjatë këtij angazhimi, ai po minonte atë që po e mbante sistemin të bashkuar”, thotë Scowcroft.
Puçi në gusht të vitit 1991 dështoi, por ithtarët e vijës së fortë arritën të gjymtojnë njeriun, të cilin e kishin vënë në shënjestër. “Gorbachevi u dëmtua rëndë dhe ishte Jelcini ai, i cili u bë më i rëndësishëm për Washingtonin”, rrëfen Scowcroft.
Por nuk ishte vetëm Jelcini ai, me të cilin Washingtoni duhej të vendoste marrëdhënie të reja. Anembanë Bashkimit Sovjetik, në sipërfaqe po dilnin 15 shtete dhe 15 udhëheqës të ri. Në Gjeorgji në pushtet u ngrit nacionalisti Zviad Gamsakhurdia, ndërsa në Ukrainë kukulla e Kremlinit, Leonid Kuchma.
“Përballja me interesat e Bashkimit Sovjetik ishte një gjë, ndërsa përballja me interesat e 15 apo 20 etniteteve të ndryshme, të cilat përfaqësonin interesa më të specializuara, ishte një problem krejt tjetër. Por ne nuk mendonim duke shikuar gjërat nga ky këndvështrim. Para nesh po shpalosej historia dhe nuk ishim të sigurt se si do të funksiononte ajo. Prandaj thjeshtë u përpoqëm ta bëjmë paqësore dhe të suksesshme”, rrëfen Scowcroft.
Sidoqoftë, në Ukrainë, qasje e Washingtonit për një moment “humbi në përkthim”. Më 1 gusht 1991, në kohën kur në gjithë Bashkimin Sovjetik po forcoheshin lëvizjet për pavarësi, presidenti Bush mbajti fjalimin, i cili u bë i njohur si “Fjalimi i pulave në Kiev”, të cilin ai dhe të tjerët nga ajo epokë, përfshirë këtu edhe Scowcroftin, po përpiqen ta shpjegojnë.
Në fjalimin e tij në parlamentin e Ukrainës në Kiev, Bush tërhoqi vërejtjen nga nacionalizmi vetëvrasës dhe theksoi se amerikanët nuk do të mbështesin zëvendësimin e tiranisë me një despotizëm lokal.
William Safire, i cili atëbotë ishte komentues me ndikim në gazetën “New York Times”, menjëherë e pagëzoi fjalimin e Bushit si “Fjalimi i pulave në Kiev”. Vetëm disa muaj më vonë, ukrainasit me shumicë absolute votuan për pavarësi.
Në vitin 2004, gjatë një vizite tjetër në Ukrainë, Bush para një grupi të studentëve ukrainas theksoi se fjalët e tij janë keqinterpretuar. Ai me këtë rast theksoi se ka dashur të përcjellë porosinë se ukrainasit nuk duhet të bëjnë ndonjë gjë të çmendur.
Scowcroft thotë se ai dhe të tjerët në ekipin e Shtëpisë së Bardhë për politikë të jashtme e kishin shkruar fjalimin e Bushit në Kiev, duke pasur parasysh shpërbërjen kaotike dhe të dhunshme të Jugosllavisë dhe se kurrë nuk kishin besuar se ky fjalim do të konsiderohej si dëshmi se SHBA kundërshton lëvizjet për pavarësi.
Dekada e fundit ka sjellë tri revolucione demokratike në shtetet ish-sovjetike: në Ukrainë, në Gjeorgji dhe Kirgizi.
Që nga largimi i Jelcinit, në vitin 1999, Rusia ka pasur vetëm dy presidentë tjerë dhe asnjëri prej tyre nuk mund të quhet reformator: kryeministrin aktual, Vladimir Putinin dhe presidentin aktual, Dimitri Medvedevin, i cili ka theksuar se do të largohet vitin e ardhshëm, për t’ia liruar sërish presidencën Putinit.
Scowcroft është i mendimit se Rusisë ende do t’i duhet edhe shumë kohë, që të bëhet në tërësi pjesë e Evropës.
20 vjet pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, rusët ende janë në kërkim të qendrës së tyre të gravitetit, nënvizon Scowcroft.