Parlamenti i kërkon Bankës së Shqipërisë të angazhohet për kthimin e inflacionit në objektiv

Në parlamentin shqiptar Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi të martën projektrezolutën për veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë për vitin 2023.
Sipas saj parlamenti i kërkon Bankës së Shqipërisë që gjatë këtij viti të angazhohet të formulojë një politikë monetare, e cila të mundësojë kthimin e inflacionit në objektiv, me sa më pak kosto mbi rritjen e ekonomisë.
Inflacioni bazë pësoi një rënie të ndjeshme në muajin mars, duke prekur nivelin më të ulët që prej majit të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky tregues zbriti në 6.49%, nga niveli rekord historik prej 8.74% ku kishte qëndruar për muajt janar dhe shkurt.
Kreu i komisionit, Eduard Shalsi, ndër të tjera vlerësoi punën e Bankës së Shqipërisë për sigurimin e funksionimit maksimal të sistemit të pagesave, duke kryer vlerësimin e dy sistemeve që operon Banka, AIPS AECH dhe AIPS Euro.
Zoti Shalsi tha se ka rritje të përdorimit të instrumenteve elektronik të pagesave nxitur nga masat e BSH-së dhe politikat e bankave për promovimin e tyre. Sipas tij po rezulton një rritje e vazhdueshme e pagesave me karta, me pagesa elektronike dhe pagesa me home-banking.
“Numri i pagesave për vitin 2022 u rrit me 18.1 %, duke kapur nivelin prej rreth 33.7 milionë pagesash, ndërsa vlera totale e pagesave rezultoi 5.767 miliardë lekë, me një rritje prej 9 %, nga një vit më parë“, tha zoti Shalsi.
Sipas kreut të komisionit parlamentar të ekonomisë, Eduard Shalsi rritje ka pasur edhe për sa i përket numrit të institucioneve të parasë elektronike. Në vitin 2022 kanë operuar 9 institucione të tilla, nga 7 që ishin në vitin 2021. Ato kanë kryer një volum prej 10.2 milionë pagesash me vlerë 45.4 miliardë lekësh, tha zoti Shalsi.
/ rtsh.al /