Parlamenti i kujton rezolutën Thaçit

Parlamenti i Kosovës i ka kujtuar edhe një herë, kryeministrit Hashim Thaçi se deputetët kanë miratuar një rezolutë ku janë të shprehur qartë kornizat se çka mund të negocioj shefi i Qeverisë ne Bruksel me homologun e tij serb, Ivica Daçiq.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se nuk mundë të paragjykojë se cili do të jetë rezultati i takimit të sotëm ndërmjet dy kryeministrave.
“Ne e kemi një rezolutë për normalizimin e marrëdhënieve. Presim normalizimin e këtyre raporteve dhe se në cilin nivel do të jetë ky normalizim nuk mund ta paragjykojmë, as pozitivisht, as negativisht”, tha Krasniqi, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit.
Ndërkaq, shefi i grupit parlamentarë të LDK-së, Ismet Beqiriu, thotë se LDK-ja, jo veç në këto bisedime, por edhe ato që mund të mbahen në të ardhmen pretë që të mos bëhet as një marrëveshje që është jashtë Kushtetutës së Kosovës.
“Ai që e përfaqëson Republikën e Kosovës, jo veç në bisedimet e sotme, por edhe në të ardhmen, duhet ta mbrojë Kushtetutën e Kosovës, ta mbrojë Rezolutën, të punojë në harmoni me to. Kjo është ajo çka kërkojmë nga kryeministri i vendit. Asgjë më shumë e as më pakë se kjo”, tha Beqiri.
Ndryshe, kryesia e Kuvendit ka vendosur që në këtë javë të mbahen dy seanca. Më 7 mars seanca do t`i kushtohet 15 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, ndërsa me 8 mars mbahet seancë e rregullt e punës. /Indeksonline/