Emigrantë ilegalë, grekët kthejnë çdo ditë 28 persona
Korçë- Policia greke vazhdon kthimin e klandestinëve shqiptarë që kapen në thellësi të territorit të saj. Ndërsa mendohej se me liberalizimin e vizave kalimet ilegale nga mali në drejtim të shtetit fqinj do të përfundonin, nuk ka ndodhur kështu. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit mësohet se policia greke ka kthyer në pikën kufitare të Kapshticës 37 shtetas shqiptarë, të cilët janë gjetur pa asnjë lloj dokumenti në shtetin grek. Ndërkohë që duke iu referuar burimeve zyrtare të policisë kufitare në vendkalimin e Kapshticës për gazetën, mësohet se kthimet janë të vazhdueshme, ndonëse jo në shifra të larta. Por ikjet nga mali sidomos gjatë stinës së ngrohtë nuk kanë munguar. Përgjithësisht janë shtetas shqiptarë që nuk kanë marrë ende pasaporta biometrike për shkak të pamundësisë së tyre ekonomike, por edhe për faktin se nuk kanë asnjë lloj mundësie që në kufi të paraqesin shumat që kërkohen nga ana e policisë greke.
Ndaj, ata e kanë më të lehtë të udhëtojnë disa ditë nga mali në këmbë, për të hyrë në tokën greke dhe për të gjetur aty mundësi të vogla punësimi kryesisht në bujqësi dhe turizëm. Ndërsa stina e dimrit është në prag dhe vendet e punës janë mbyllur, kjo ka detyruar policinë greke të ndërmarrë operacionet e kthimit të emigrantëve të paligjshëm dhe në mënyrë të veçantë të atyre që nuk kanë asnjë lloj dokumentacioni.
Kështu ka ndodhur me 37 shtetasit shqiptarë të kthyer në Kapshticë si deportivë nga policia e shtetit fqinj, duke iu dorëzuar autoriteteve të policisë shqiptare. Ndërkaq, siç dhe mësohet nga shifrat zyrtare të publikuara nga policia greke për 9-mujorin e parë të këtij viti, janë kapur dhe kthyer në kufirin shqiptaro-grek 7 820 shtetas shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë hyrë në Greqi nëpërmjet vijës kufitare të qarkut të Korçës nga rrethi i Kolonjës dhe ai i Devollit. Irena Vreto