E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti mbështet proceset integruese të Shqipërisë

31/03/2010 Raportuesi i PE-së takohet me Kryeministrin Sali Berisha

Eurodeputeti zhvillon takim të veçantë me zv/ministren e Jashtme

Raportuesi i Parlamentit Evropian (PE) për Shqipërinë, eurodeputeti Nikolaos Chountis, ka garantuar dje kryeministrin Sali Berisha se institucioni që përfaqëson do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm Qeverinë shqiptare për realizimin sa më parë të projektit për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë në hapësirat evropiane. Gjatë takimit, eurodeputeti theksoi se procesi i liberalizimit të vizave dhe ai i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian gjejnë përkrahjen e PE-së. Sipas tij, anëtarësimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE, do të përbëjë një hap të ri në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por edhe në mbarë rajonin. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha bëri me dije se tashmë ka përfunduar procesi i hartimit dhe miratimit të përgjigjeve të pyetësorit të Komisionit Evropian, duke përgatitur përgjigje për 2284 pyetjet në kohë rekord dhe në javët në vijim do t’i dërgohet Komisionit Evropian. Duke u ndalur në procesin e liberalizimit të vizave, kreu i Qeverisë shqiptare tha se është punuar gjithashtu me intensitet të lartë për realizimin e të gjitha kërkesave të udhërrëfyesit. Raportuesi i PE-së për Shqipërinë ka zhvilluar gjithashtu edhe një takim me zëvendësministren e Punëve të Jashtme Edith Harxhi, me të cilën ndau mendimin për plotësimin e kritereve në funksion të heqjes së vizave.

Takimi me Ziercke

Presidenti i Policisë Federale Kriminale të Gjermanisë, Jorg Ziercke, në takimin që pati dje me Kryeministrin Berisha, ka vlerësuar standardet shumë të larta të prodhimit të dokumenteve të identitetit, si dhe standardet e larta të sigurisë së tyre. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, Ziercke ka nënvizuar se Shqipëria është një vend në rrugë shumë të mbarë. Nga ana e tij, kreu i Qeverisë u shpreh se për Qeverinë shqiptare, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit përbëjnë përparësi madhore. Berisha u shpreh se Qeveria që drejton po punon fort në kuadër të përmbushjes së kritereve dhe standardeve të kërkuara për liberalizimin e vizave, duke arritur standarde të vendeve më të zhvilluara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›