E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fëmijëria peng” e Mustafajt

31/03/2010 Pas filmit dokumentar “Jetë pezull”, realizuar katër vjet më parë, Donika Mustafaj i drejtohet përsëri problematikës së fëmijëve me realizimin e saj të ri “Fëmijëria peng”. Në filmin “Jetë pezull” Donika Mustafaj trajtonte fatin e pamerituar të fëmijëve të ngujuar për shkak të gjakmarrjes, të cilët po kalojnë një fëmijëri nga më dramatiket jo vetëm pse u mungon loja e natyrshme për moshën e tyre, marrin një shkollim të keq e të pamjaftueshëm ose edhe nuk shkollohen fare, por edhe vetë jeta e tyre është natë e ditë e kërcënuar.

Në “Fëmijëria peng” ajo përqendrohet në një aspekt krejt tjetër të ecurisë së shoqërisë sonë. Në objektivin e kamerës së saj kësaj here është shtresa e kamur e shqiptarëve. Donika Mustafaj qëllimisht zgjedh këtë shtresë, e cila përfaqëson dukshëm suksesin e ekonomisë së tregut në Shqipëri gjatë njëzet vjetëve të fundit dhe shtron pyetjen e mprehtë se sa kanë përfituar posaçërisht fëmijët për të pasur një fëmijëri të shëndetshme në sajë të mirëqenies së lartë të siguruar nga puna e prindërve.

“Një temë e tillë është e re për ekranin tonë dhe tejet komplekse për shkak të vetë përmbajtjes së saj, ku ndërthuren shumë faktorë ende pak të studiuar në vendin tonë, siç janë bashkëjetesa e traditave të shoqërisë sonë në investimin për fëmijët me ndërhyrjen e elementeve të reja kulturore e materiale të modernitetit si pasojë e përfshirjes së natyrshme të Shqipërisë në rrjedhat e globalizmit”, vijëzon Mustafaj. Ajo arrin ta ndriçojë lëndën e vet të pasur filmike nga tri pikëvështrime: Si e përjetojnë fëmijët pasurimin e familjeve të tyre? Si e kuptojnë prindërit mundësinë e mrekullueshme për t’ua plotësuar të gjitha kërkesat fëmijëve të vet dhe sa ndikime ka në konceptin e tyre edukativ si prindër fakti se ata vetë kanë kaluar dikur një fëmijëri me mungesa të mëdha? Dhe pastaj pikëvështrimi dhe analiza e vëmendshme e disa psikologëve, sociologëve dhe pedagogëve shqiptarë nga më të shquarit mbi këto realitete.

Si realizuese e filmit, Donika Mustafaj përpiqet të shmangë me kujdes qëndrimet gjykuese. Duke ruajtur asnjanësinë e vet si autore, ajo i jep rëndësi narracionit filmik në kompozimin e historisë, të cilën e shpalos në formë kapitujsh të ndarë në pyetjet që e shqetësojnë, pyetje që në vetvete dëshmojnë se ajo zotëron mirë temën që trajton. “Shpenzojmë për fëmijët apo me fëmijët?”, është njëra nga këto pyetje të mprehta, përgjigja e së cilës vjen nëpërmjet intervistave me të vegjël e të mëdhenj dhe që prek ndërgjegjen e çdonjërit nga shikuesit, i cili vetë është prind. Mustafaj ka zgjedhur qëllimisht kësaj here shtresën e prindërve të kamur, duke ditur se problemet që vuajnë fëmijët e varfër janë krejt të tjera dhe për më tepër janë trajtuar shumë herë qoftë nga specialistët e qoftë nga mediat.

Filmi “Fëmijëria peng” është në dy pjesë. Premiera e tij zhvillohet në sallën “Black Box” të Akademisë së Arteve ditën e enjte, datë 1 prill.

Midis veprave “Jetë pezull” dhe “Fëmijëria peng”, Donika Mustafaj ka realizuar edhe tre dokumentarë me temën e artit e që janë “Magjia klarinetë”, “Ustai i fundit” kushtuar të famshmit Laver Bariu dhe “Një amerikane në Tiranë”, një portret filmik i piktores amerikane Lea Christine dhe marrëdhënieve të saj artistike me botën shqiptare, ku ka kaluar disa vjet të jetës së saj si bashkëshorte e një diplomati.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›