E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti me rol mbështetës për Veriun

Kuvendi i Kosovës mund t’i jap mbështetje politike zbatimit të strategjisë për integrimin e pjesës veriore të Kosovës, por nuk mund ta obligojë zbatimin e saj.

Ky është qëndrimi i disa deputetëve të Kosovës, të cilët përmendin përfshirjen e Zyrës Civile Ndërkombëtare dhe të faktorëve ndërkombëtarë në implementimin e Strategjisë për shtrirjen e autoritetit në Veri.

Deputeti i PDK’së, Xhavit Haliti, thotë se Kuvendi mund t’i japë mbështetje Strategjisë për Veriun. “Strategjia, e cila po përgatitet së bashku me ICO’në dhe komunitetin ndërkombëtar, do të jetë një strategji me obligime të përbashkëta të Qeverisë dhe të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Haliti për REL.

Ndërsa, deputeti nga AKR’ja, Ibrahim Gashi thotë se Strategjia nuk përmban në vete çështjet esenciale që do ta karakterizonin si plan konkret për integrimin e veriut të Kosovës.

“Strategjia duhet të pasohet, të shoqërohet me një plan veprimi, ku janë të përshkruara qartë afatet e zbatimit, bartësit, aktivitetet dhe kostoja. Këto nuk i ka Strategjia dhe si e tillë ajo është një letër, ku shprehet një dëshirë e mirë për integrimin e Veriut, por nuk ka hapa konkretë të implementimit të saj”, thotë Gashi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›