E Shtunë, 31 Tetor 2026

150 mijë nënshkrime për mbylljen e procesit ndaj Kurtit

Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit ka mbyllur peticionin për mbylljen e procesit gjyqësor ndaj kreut të Lëvizjes “Vetëvendosje”, ndërsa javën e ardhshme do t’ia dorëzojnë peticionin kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, nga i cili do të kërkohet mbajtja e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të trajtoheshin kërkesat e nënshkruara nga rreth 150 mijë qytetarë të Kosovës.

Anëtarë të Këshillit të dielën në një konferencë për media kanë bërë të ditur se të premten është mbyllur peticioni për mbylljen e procesit ndaj Albin Kurtit dhe fillimin e hetimeve ndërkombëtare për ngjarjet e 10 shkurtit.

Sipas tyre, për 19 ditë janë mbledhur 148.183 nënshkrime, prej tyre në 2.414 nënshkrime mungojnë numrat personal të nënshkruesve të peticionit, andaj konsiderojnë se të pranueshme janë 145.769 nënshkrime.

Valon Murati tha se peticioni do t’i dorëzohet krerëve të institucioneve të vendit, ndërsa do të kërkojnë një takim me kryetarin e Kuvendit Jakup Krasniqi, nga i cili do të kërkojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku do të trajtohen kërkesat e nënshkruara.

“Ne peticionin do të ua dorëzojmë kryetarit të Republikës së Kosovës, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës Jakup Krasniqit me këtë të fundit ne do të kërkojmë një takim të veçantë ku do të kërkojmë që në emër tash më jo vetëm të këshillit, por të 150.000 qytetarëve të Kosovës që këto kërkesa të shtrohen në një seancë të jashtëzakonshme për të trajtuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Murati.

Për më tepër ai ka thënë se peticioni është nënshkruar në 28 komuna të Kosovës, por edhe jashtë Kosovës, por nuk ka dhënë shifra konkrete për numrin e nënshkrimeve.

“Ajo që ne kemi dëshmuar më tepër me aktivitetin është se shoqëria jonë ka forca për të tejkaluar ndarjet që ekzistojnë për çështje caktuara politike dhe ideologjike, nëse mund të bashkohemi në funksion të një çështje që e konsideron të dobishme për demokracinë në Kosovë. Përgjigjja e qytetarëve ndaj peticionit dhe kërkesave të shtruara në të dëshmojnë për këtë zhvillim pozitiv brenda shoqërisë sonë”, ka thënë Murati.

Sipas tij, nënshkrimi i peticioneve është bërë edhe në trojet e tjera shqiptare, ndërsa në mënyrë simbolike të gjitha këto peticione do t’i dërgohen edhe presidentit të Republikës së Shqipërisë Bamir Topi dhe njëkohësisht do të dorëzohet peticioni te shefja e diplomacisë evropiane Ketrin Eshton, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, si dhe të gjitha organizatat kryesore ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, ka bërë të ditur se për 19 ditë në 28 komuna të Kosovës janë mbledhur 148.183 nënshkrime.

“Peticioni është mbajt në 28 komuna brenda Republikës së Kosovës, prej këtyre fatkeqësisht po them janë 2.414 jo valide për shkak se mungon numri personal kështu që konsiderohen valide 145.769 nënshkrime të qytetarëve të Kosovës. Dhe sipas radhitjes nënshkrime janë më së shumti janë mbledh në Prishtinë 43.694 nënshkrime, pastaj radhitet Gjilani me 14.673 nënshkrime dhe Prizreni mbi 12.000 nënshkrime”, ka thënë Rogova.

Këshilli Kundër Procesit Gjyqësor ndaj Albin Kurtit përbëhet nga 64 organizata dhe aktivistë të shoqërisë civile të cilët janë të shqetësuar për rihapjen e procesit gjyqësor ndaj Albin Kurtit dhe për mungesën e hetimit për vrasjen e dy demonstruesve më 10 shkurt 2007.

Organizatat dhe individët e këtij Këshilli janë Rrjeti i Grave të Kosovës, Qendra për të Drejtat e Njeriut e Universitetit të Prishtinës, Çohu, Lëvizja Fol, Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS), Forumi për Iniciativë Demokratike (FID), Alter Habitus, Shoqata e ish të Përndjekurve Politikë, Emancipimi Civil Ma Ndryshe, Fondacioni për Iniciativë Demokratike (FDI), Mileniumi i Ri, Syri i Vizionit, Shoqata Kosovare për të Drejta të Njeriut dhe të Fëmijëve (KAHCR), Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore (QTSGJ), etj.

Më 15 shkurt 2010 Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX ka rifilluar gjyqin kundër Albin Kurtit nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Kurti akuzohet për organizimin e një turme që ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre zyrtare, si dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më 10 shkurt 2007.

Atë ditë Lëvizja “Vetëvendosje” ka mbajtur një demonstratë paqësore në Prishtinë, por ndaj së cilës është ndërhyrë dhunshëm nga policia e UNMIK-ut. Si pasojë dy protestues paqësorë u vranë nga policia rumune e UNMIK-ut dhe më shumë se 80 të tjerë u plagosën dhe lënduan. As sot e kësaj dite policët rumunë nuk kanë dalë para drejtësisë, por pak kohë pas vrasjes, ata janë kthyer në shtëpi.

UNMIK-u mbajti Albin Kurtin në paraburgim për njëmbëdhjetë muaj dhe inicioi kundër tij një gjyq që është dënuar nga organizatat e të drejtave të njeriut në gjithë botën për shkeljet e tij të shumta. Gjyqi u pezullua në shkurt të 2008-së kur avokatët e Kosovës e mbështetën thirrjen e Albin Kurtit për të mos e mbrojtur dhe u distancuan nga ky procesi gjyqësor.

Padia kundër Albin Kurtit, nga shumë organizata vendore e ndërkombëtare u cilësua si politikisht absurde, dhe ligjërisht e pabazë. Si shembull, në dhjetor të vitit 2007 Amnesty International me korrektësi e përshkroi rastin si "politikisht të motivuar".

Lideri i “Vetëvendosjes”, Albin Kurti, e ka quajtur procesin të montuar politik dhe nuk është paraqitur në asnjërën nga seancat e deritashme gjyqësore, ndërsa seanca e re është caktuar për datën 13 prill. /kosovapress/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›