E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti miraton marrëveshjen për rrugën Tiranë-Elbasan

 Miratimi i kësaj marrëveshje është bërë vetëm me votat e mazhorancës (71 vota), ndërsa deputetët e opozitës nuk kanë marrë pjesë në seancë.

Marrëveshja me këtë bankë parashikon një kredi të butë prej 222 milionë dollarësh, e cila maturohet për një afat 20 vjeçar, ku tre vitet e para Shqipëria nuk paguan asnjë këst, ndërsa për 17 vitet e tjera interesat e paguara janë të vogla. Kjo është kredi me leverdi për Shqipërinë. Pjesa tjetër e ndërtimit të kësaj rruge, financohet nga buxheti i shtetit.

Ministri i Financave Ridvan Bode tha se, "shkurtimi i distancës Tiranë-Elbasan përbën një nga interesat më të mëdha për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të sjellë uljen e kostos së lëvizjes së mallrave produkteve dhe mjeteve".  Bode bëri të ditur se "kosto totale e vlerësuar e projektit është 380 milionë dollarë" dhe është parashikuar të financohet nga disa institucione financiare të huaja si Banka Islamike për Zhvillim, Fondi Saudit, OPEC dhe pjesa që mbetet nga qeveria shqiptare.

"Banka Islamike kryeson me 222.7 milionë dollarë financim që do të mbulojë ndërtimin e tuneleve dhe gjithë infrastrukturën ndihmëse të tyre si dhe dy segmente me rreth 3 km secili në hyrje dhe dalje të tuneleve", tha Bode.  Minisitri Bode gjithashtu vlerësoi termat, me të cilat është siguruar marrja e kredisë nga Banka Islamike. "Asnjëherë në këtë Kuvend nuk është miratuar një kredi për ndërtimin e një vepre infrastrukturore, e cila në një transh të vetëm të ketë një madhësi prej 222.7 milionë dollarësh", tha Bode.

Po ashtu, Bode vlerësoi edhe rolin lider të Bankës Islamike për negociatat me Bankat e tjera për të mundësur që kësaj shume t'i shtohen edhe donatorë të tjere, si Fondi i Abu Dabit, me të cilin po negociohet marreveshja prej 50 milionë dollarë dhe Fondin Saudit, që bie dakord për t'iu bashkangjitur këtij projekti me një financim prej 15-25 milionë dollarë.

Kreu i financave publike vuri në dukje se, "vlera e ndërtimit mund të jetë edhe më e vogël, pasi siç u vërejt në tenderimin e tunelit, kosto për ndërtimin e tij u ul nga 120 milionë dollarë të parashikuar në 80 milionë dollarë". Bode theksoi se edhe për dy segmente të tjera që janë në proces tenderimi, mund të sigurohet një vlerë më të ulët ndërtimi nga parashikimi./S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-05-26 12:23
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›