Nikollë Lesi presidentit Topit: Shpresoj të mos ma heqësh pas dy muajsh dekoratën
Dy ditë pas dekorimit të Carlo Bollinos, botuesi Nikollë Lesi ka kuptuar hilenë e përdorur nga institucioni i presidencës, por edhe rrezikun që mund t’i vijë medaljes së tij, pas tërheqjes së dekorimit të Carlo Bollinos, veprim që do të jetë i detyruar, me informacionet që posedojnë agjencitë e specializuara të informacionit
I vënë në dyshim, për shkak se dekorata prej presidentit Bamir Topi, botuesit të njohur Nikollë Lesi, iu dha në të njëjtën ditë, e në mënyrë të çuditshme edhe në të njëjtën ceremoni me dekorimin e Carlo Bollinos (çudi për të cilën shkroi dje edhe gazeta “55’), Nikollë Lesi ka filluar të dyshojë për një kurs dekorimesh i cili nuk është shumë jetëgjatë e që mund ta dëmtojë, më shumë sesa ta nderojë. Zoti Lesi ka kryer dje gjatë ditës analizën e vet e ka arritur në përfundime që s’janë shumë shpresëdhënëse për një veneracion afatgjatë nga ana e presidentit Bamir Topi, prandaj edhe ka nisur të marrë masat, që në të ardhmen e afërt të mos bëhet më protagonist i ndonjë (anti)ceremonie të padëshirueshme. Zoti Lesi ka marrë e vesh e ka (mirë)kuptuar se Carlo Bollinos, italianit që u bënte hije e lojë të pandershme gjatë viteve fillestare të shtypit pluralist do t’i hiqet dekorata nga ana e presidentit Topi, meqenëse merret vesh se ajo është dhënë krejt në kundërshtim me rregulloren që rregullon këtë punë, bile kjo rregullore na thotë se dekorata i është dhënë bash antinjeriut simbol të shtypit shqiptar. Presidenca ka krijuar një traditë të këtyre dekorimeve të çastit, që më pas shoqërohen me pështyma, bile edhe me lëpirje. Rasti i Skënder Brecës është më flagranti e ka një konsensus mbarëshqiptar se presidenti e kishte ulur shumë seriozitetin e institucionit, teksa kishte kryer personalisht një sakrilegj të tillë për të gjithë shtresën e ish-të përndjekurve politikë.
Por Nikollë Lesi, ndoshta më shumë sesa shumë të tjerë, ka kuptuar që ditën e dytë të mbajtjes së medaljes së mirënjohjes prej presidentit Topi, se rezervohej një perspektivë jo e mirë për veneracionin, që iu bë kolektivisht me Carlo Bollinon. Hyneret e tij në Shqipëri nuk kanë të numëruar dhe sërish Bamir Topi (bën sikur) e ka kuptuar se ka bërë gabim. Ndoshta raportimet e agjencive të specializuara e kanë ftilluar disi dhe tashmë është e sigurtë se institucioni i presidencës do të dalë brenda dy muajsh për të konfirmuar se kishte bërë gabim që e kishte deklaruar botuesin e një gazete aspak shqiptare, prandaj edhe po e tërhiqte dekoratën, e bashkë me të edhe veneracionin që kreditoi në mënyrë të padrejtë. Nikollë Lesi tashmë ka marrë vesh se i ishte bërë një sakrilegj, teksa ia kishin kolektivizuar momentin e tij të mirënjohjes, së bashku me atë të një puliezi, dhe që tani ka nisur të marrë masat, se nuk do të përfshihet në vorbullën e pështyrjeve e të lëpirjeve, që në mënyrë aspak dinjitoze, po përfshihet prej kohësh, presidenti i republikës. Prandaj, gjëja e parë që mësohet se ka kryer botuesi i njohur i shtypit shqiptar, ka qenë interesimi i drejtpërdrejtë pranë kryetarit të shtetit, me anë të një telefonate paralajmëruese: “Zoti Topi, shpresoj të mos ma heqësh pas dy muajsh dekoratën”. Telefonata ka shprehur divergjencën mes botuesit dhe presidentit të republikës lidhur me dekorimin e zotit Bollino, por edhe për procedurën që u ndoq me këtë rast, por edhe ka përvijuar një perspektivë ngjarjesh, që në fund të fundit nuk do të dëmtonte meritat e botuesit shqiptar, sesa do të spikaste mungesën e meritave dhe të taktit (më e pakta që mund të thuhet) nga ana e presidentit të republikës.